Policia e Shtetit shqiptar gjatë 24 orëve të fundit ka pezulluar 57 patentë-shoferë dhe ka arrestuar tetë ngasës të automjeteve për shkak të shkeljes së rregullave në trafikun rrugor, prej tyre edhe një njëzetvjeçar që po ngiste automjetin me shpejtësi mbi normat e lejuara.
Nga tetë personat e arrestuar, pesë prej tyre pasi kanë drejtuar automjetet në gjendjen të dehur dhe tre pa patentë-shofer.
Nga 57 patentë-shoferë të pezulluara, 38 prej tyre ishin për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara nga 74 km/orë në qendrat urbane në Kamëz e deri në 180 km /orë, të një 20-vjeçari F.SH., në rrugën Tiranë- Durrës, në aksin Maminas-Durrës.
19 patentë-shoferë janë pezulluar për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur në masë deri në 0.62 mg/l konstatuar në Tiranë, ku drejtuesi i mjetit shtetasi A.LL., kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe për pasojë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një godine.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 2482 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve , të respektojnë rregullat në komunikacion dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Digjital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.