Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u shpreh se nuk ka lexuar e as dëgjuar për reagimin e Moskës zyrtare në lidhje me reciprocitetin e vënë nga Kosova ndaj Serbisë.
Kurti nisi me masat e reciprocitetit si zëvendësim për tarifën 100 për qind të vendosur në dhjetor të 2018-s nga Qeveria Haradinaj, transmeton KOHA.
Rusia, të hënën mbrëma, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, tha se vendimi i ri i Qeverisë në detyrë është “vazhdimësi e manipulimit me temën e tarifës”.
Gjatë vizitës së sotme në Gjilan, Kurti u pyet edhe për reagimin e Rusisë.
“Nuk kam dëgjuar për reagimin. Por reciprociteti buron nga koncepti i barazisë dhe s’do mend që atyre nuk iu ka pëlqyer”, tha Kurti.
Rusia në reagimin e saj për këtë, kritikoi edhe BE-në për qëndrimin e saj rreth kësaj çështje.