Hulumtuesit australianë duket se e kanë bërë një zbulim të rëndësishëm gjatë punës shkencore për zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit. Ata kanë thënë se vaksina e re është e aftë që ta neutralizojë virusin e ri.
Vaksina eksperimentale, e cila po testohet nga shkencëtarët në Universitetin e Queensland-it, tashmë është duke krijuar nivele më të larta të imunitetit sesa niveli i imunitetit që e kanë pacientët e shëruar nga koronavirusi.
Njëri nga autorët e këtij projekti, profesori Paul Young, tha se rezultatet para-klinike nga rritja e virusit në qeliza tregojnë se zhvillimi i vaksinës është duke shkuar sipas planit, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Shkencëtarët po shpresojnë ta fillojnë testimin e kësaj vaksine në njerëz pasi t’i marrin rezultatet përfundimtare nga testimi para-klinik në pjesën e parë të qershorit.
“Kjo është ajo për të cilën shpresonim dhe është një ndjenjë e madhe çlirimi për ekipin, duke e marrë parasysh besimin e madh që e kemi gëzuar nga qeveria rajonale dhe qëndrore dhe nga partnerët tanë filantropë”, tha Young në një deklaratë të publikuar të mërkurën.
“Ne jemi veçanërisht të kënaqur që fuqia e reagimit të antitrupave ishte edhe më e mirë se në mostrat e marra nga pacientët e shëruar nga Covid-19”, thuhet më tej në deklaratë.
Profesoresha Kanta Subbarao nga Instituti “Doherty”, e cila po bashkëpunon me Unviersitetin e Queensland-it, i testoi mostrat e vaksinës në laborator.
“Kjo është një gjetje shumë e rëndësishme, sepse reagime të ngjashme imunitare te vaksina kundër virusit SARS në trupat e kafshëve kanë dëshmuar se çojnë te mbrojtja nga infeksioni”, tha Subbarao.
Në këtë projekt kërkimor po kontribuon edhe kompania holandeze “Viroclinics Xplore”, e cila është duke e finalizuar punën para-klinike për testimin e vaksinës në Holandë.
Hulumtuesit e Unviersitetit të Queensland-it e kanë përdorur teknologjinë e reagimit të shpejtë për zhvillimin e vaksinës, e cila mori tri javë për t’u prodhuar.
Vaksina u zhvillua duke e përdorur teknologjinë molekulare ngjitëse, e cila e mbyll “majën” e proteinës në një formë që ia mundëson sistemit imunitar që ta njohë dhe më pas ta neutralizojë virusin.