Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se së bashku me presidenten në detyrë, Vjosa Osmanin e raportuesen për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe deputetin e të gjelbërve ne Bundestagun gjerman, Manuel Sarrazin, kanë biseduar mbrëmë për situatën politike.
Ai tha se biseduan edhe për vizionin reformator socio-ekonomik e ligjor të Qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve.
“Bashkë me presidenten në detyrë, Znj. Vjosa Osmani, raportuesen për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Znj. Viola von Cramon dhe deputetin e të gjelbërve ne Bundestagun gjerman, Z. Manuel Sarrazin, mbrëmë diskutuam një orë e gjysmë në Zoom mbi situatën politike në Kosovë, vizionin reformator socio-ekonomik e ligjor të Qeverisë sonë të ardhshme pas zgjedhjeve, agjendën tonë për nxjerrjen e shtetit nga kriza e shumëfishtë, si edhe integrimin evropian e rolin e diasporës.
Aktivistët shqiptarë, Muhamet Idrizi në Hamburg, me prejardhje nga Mitrovica dhe Emiljo Jazxhi, në Berlin e me prejardhje nga Korça, organizuan dhe moderuan këtë debat. Me miq të këtillë shtohet shpresa e rriten mundësitë për vendin tonë”, tha ai.