2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Eksperti amerikan tregon a do të zgjidhë Hill enigmën Kosovë-Serbi: PërpIasja e sotme ishte e shëmtuar

Rekomandime

Njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se përcaktimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që Christopher Hill të jetë ambasador i SHBA-së në Serbi, është sinjal serioz i qëllimit të SHBA-së për të zgjidhur çështjet e mbetura në Ballkan. Në një shkrim në uebfaqen e tij, Serwer edhe pse e ka konsideruar Hillin nominim serioz, ka thënë se kjo përzgjedhje megjithatë s’garanton sukses.

Sipas Serwerit, nominimi i Hillit për ambasador në Beograd është një ndarje e qartë nga përcaktimet e kaluara.

- Advertisement -

Hilli, që është pensionuar gati një dekadë më herët, është një diplomat që e njeh mirë Bideni dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nga shërbimet e tij si ambasador në Irak, Kore të Jugut e Poloni.

“Ky nominim sinjalizon përpjekjen serioze të Administratës që të bëhet një zgjidhje e luftës së mbetur dhe çështjes së paqes në Ballkan, që do ta përkufizoja si njohje të sovranitetit të Kosovës ende të panjohur botërisht dhe mosfunksionim i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë. Të dyja çështjet kërkojnë kontribute pozitive nga Beogradi. Kjo s’do të jetë e lehtë. Përplasja e sotme e Serbisë dhe Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ishte e shëmtuar. Dy shtetet janë në drejtime të kundërta”, ka thënë Serwer.

Serwer ka vazhduar duke komentuar përplasjen e ministrit të Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke përmbledhur akuzat e Selakoviqit se Osmani nuk e përfaqëson askënd pos vetes dhe prezantimin e Osmanit që kërkoi që Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë. Serweri ka kujtuar po ashtu lidhjen e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, dhe të Kosovës me SHBA-në.

- Advertisement -

Sa i përket Bosnjës, Serweri ka shpjeguar politikat që po e ndajnë vendin nga brenda.

Asnjëra situatë nuk është e favorshme, ka thënë ai.

- Advertisement -

“Por një ambasador që arrin në Beograd me qasjen e gatshme nga presidenti dhe sekretari i Shtetit, ka avantazhe. Ai mund të flasë më lehtë për shefat e tij. Mund të mobilizojë shumë më lehtë të gjitha burimet e Qeverisë amerikane dhe madje edhe të sektorit privat më shumë sesa të emëruarit tjerë më pak të rëndësishëm”, ka vazhduar Serweri.

Duke treguar se Hilli është diplomat i njohur në Evropë, për shkak të angazhimeve në të kaluarën, Serweri e ka konsideruar ambasadorin e ri të SHBA-së në Serbi si diplomat me ndikim të madh për çështjen e Kosovës.

“Unë s’po paragjykoj sukses. Chris e di se dështimi është mundësi reale, pasi e ka përjetuar vetë jo vetëm në negociatat e Rambujesë, por edhe në negociatat me Korenë e Veriut kur ishte Ndihmës-Sekretar i Shtetit. Qëndrimi i tij në Irak në periudhë të vështirë nuk u kurorëzua me sukses. Por nëse ai do të jetë të zgjidhë enigmën Kosovë/Serbi ose rubikun në Bosnje e Hercegovinë, do të ketë arsye të mira për të duartrokitur. Zgjidhja e të dyjave do të nënkuptonte ovacion në këmbë”, ka përfunduar Serwer.

Diplomati amerikan, Christopher Hill, ka pasur përvojë të gjatë pune në raport me shtetet e Ballkanit. Ish-përfaqësuesi i SHBA-së për Kosovën gjatë kohës së luftës, ka shërbyer si ambasador edhe në Shkup e Tiranë.

Hill në disa raste është shprehur edhe për miqësinë Kosovë – SHBA. Këtë e kishte deklaruar më 2013, gjatë një interviste në Prishtinë. “Ajo që dua t’ju siguroj juve është se shumë gjërat në botë ndryshojnë. Bota ndryshon çdo ditë. Por një gjë që kurrë nuk do të ndryshon janë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Ne gjithmonë do të jemi afër Kosovës dhe Kosova do të mbetet gjithmonë afër nesh”, pati deklaruar ambasadori Hill më 2013.

Ai ishte pjesë e ekipit që negocioi marrëveshjen e paqes në Bosnje. Punoi bashkë me Richard Holbrooken, duke shërbyer si zëvendës i tij në bisedimet për Marrëveshjen e Dejtonit më 1995. Holbrooke e ka përshkruar si të mahnitshëm e trim në librin e tij për negociatat e Dejtonit. Sipas Holbrooket, Hilli ka “aftësi të jashtëzakonshme të negocimit”. Pasi që Serbia refuzoi të hiqte dorë nga Kosova, përpjekjet e Hillit përfunduan me fushatë bombardimesh të NATO-s për çlirimin e Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit