Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka publikuar parashikimin e saj për ekonominë e 37 shteteve – përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sa i takon këtij të fundit, BERZH parashikon një rritje prej 6.4 për qind për vitin 2021, në raportin e saj të fundit të Perspektivave Ekonomike Rajonale (REP).
Shqipëria renditet e dyta në rajon dhe ndiqet nga Kosova në vendin e tretë. Renditjen e kryeson Mali i Zi dhe listën e mbyll në vend të fundit Maqedonia e Veriut.
Prodhimi industrial dhe eksportet në rritje në Bashkimin Evropian (BE) po mbështesin rritjen në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Ndërsa Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, sipas BERZH, po përfitojnë nga një rikthim i fortë në sektorin e mikpritjes gjatë muajve të verës.
“Rimëkëmbja është nxitur edhe nga zgjerimi i konsumit të familjeve, i mundësuar nga rritja e remitancave, rritja e pagave nominale dhe rritja e kredisë në shumicën e ekonomive të rajonit”, raporton BERZH.
Shqipëri-Kosovë
Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike pozitive për tre tremujorë radhazi.
Për BERZH, kjo rritje është e nxitur nga zgjerimi i kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme.
Turizmi u ringjall fuqishëm në sezonin e verës 2021 me numrin e turistëve të huaj, pothuajse të barabartë me shifrat para-pandemike gjatë periudhës qershor-gusht.
Ekonomia e Shqipërisë, sipas REP-it, pritet të rritet me 8.0 për qind në 2021 dhe me 3.7 për qind në 2022.
Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet kryesisht falë një sektori të jashtëm mbështetës.
Eksportet e shërbimeve – më shumë se katërfishi i eksporteve të mallrave para pandemisë – u dyfishuan në shtatë muajt e parë.
Kjo, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kryesisht për shkak të flukseve hyrëse të lidhura me udhëtimet.
Eksportet e mallrave gjithashtu u rritën bindshëm, sipas BERZH-it.
Konsumi i familjeve po mbështetet nga një fluks në rritje i remitancave dhe nga zgjerimi i kredisë.
Ekonomia parashikohet të rritet me 7.7 për qind në 2021 dhe 4.5 në 2022.
Mali i Zi
Ekonomia e Malit të Zi ka filluar të rimëkëmbet fuqishëm pas një prej tkurrjeve më të këqija në rajonet e BERZH-it në vitin 2020.
Pas një fillimi të ngadaltë, turizmi u rrit fuqishëm gjatë verës, me numrin e turistëve të huaj të ardhur dhe qëndrimet gjatë natës në akomodime kolektive që arrin rreth 85 për qind e niveleve të vitit 2019 në muajt korrik-gusht.
Qeveria pa një rritje të konsiderueshme të të ardhurave gjatë muajve të verës, duke mbështetur llogaritë fiskale.
PBB-ja parashikohet të rritet me 12.3 për qind në 2021 dhe me 5.7 për qind në 2022.
Bosnjë-Hercegovinë
Ecuria ekonomike e Bosnjë-Hercegovinës tejkaloi pritshmëritë në tremujorin e dytë të 2021-ës, si pasojë e rimëkëmbjes në tregjet e jashtme dhe rritjes së fortë të konsumit të brendshëm privat, mbështetur nga efektet bazë.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me më shumë se 50 për qind në terma realë nga viti në vit, falë rimëkëmbjes së fortë në BE, tregun e saj kryesor të eksporteve.
Ekonomia pritet të zgjerohet me 4,5 për qind në 2021 dhe 3,0 për qind në 2022.
Maqedonia e Veriut
Një rimëkëmbje është duke u zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, me rritje të nxitur, si nga kërkesa e brendshme, ashtu edhe nga ajo e jashtme.
Konsumi i familjeve u rrit fuqishëm, i mbështetur nga rritja e pagave, rritja e kredisë dhe remitancat.
Ekonomia parashikohet të rritet me 4.0 për qind si në 2021, ashtu edhe në 2022.
Serbi
Pas një tkurrjeje të lehtë në vitin 2020, ekonomia e Serbisë po rritet fuqishëm në vitin 2021.
Zgjerimi i fortë i vendit në eksporte dhe industri reflekton rimëkëmbjen në eurozonë, partnerin kryesor tregtar të Serbisë, ndërkohë që rritja e fuqishme e konsumit të familjeve ka ndjekur një periudhë të kërkesës së ndrydhur.
Investimet e huaja direkte u rikuperuan në gjysmën e parë të 2021, pothuajse në nivelet e vitit 2019, gjë që duhet të lehtësojë rritjen e ardhshme.
Ekonomia serbe parashikohet të rritet me 6,5 për qind në vitin 2021 dhe me 4,3 për qind në vitin 2022.
BERZH bëri parashikimet e rritjes së këtij viti, por paralajmëroi se rritja e kostove të energjisë dhe përparimi i ngadaltë i vaksinimit kundër COVID-19 zbeh perspektivat e ardhshme ekonomike.