Një mësimdhënës në Viti dyshohet se ka rrahur brutalisht një nxënëse të shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë”. Gazeta Sinjali ka siguruar pamjet e kësaj ngjarje të tmerrshme.
Në këto pamje shihet se mësimdhënësi ia gjuan çantën dhe rrah nxënësen, e cila më pas tenton të dalë nga klasa, por i njëjti nuk e lejon, duke vazhduar të bërtas.
Policia, shkolla dhe drejtoria e Arsimit në Viti, kanë pohuar se nuk kanë informacione për këtë ngjarje dhe se nuk ka ndonjë rast të hapur.
Megjithatë Sinjali në bazë të informacioneve që posedon, ka krahasuar fotografinë që ka siguruar për mësimdhënësin që dyshohet se ka rrahur nxënësin me pamjet e dërguara nga sinjalizuesi, ku del të jetë se është i njëjti person dhe se incizimi është realizuar gjatë kësaj jave.
Drejtori i shkollës, Qemajl Hyseni, ka thënë se nuk ka informacione për një ngjarje të tillë, derisa drejtori i Arsimit në këtë komunë, Basri Aliu tha se profesori, emrin e të cilit ia ka përmendur Sinjali, është ende mësimdhënës.
“Nuk jam i njoftuar për rastin. Ai është ende arsimtar, e konsideroj atë si arsimtar goxha të mirë, ai edhe pak del në pension. Deri tash nuk ka ankesa as prej familjes së nxënëses. Të hënën do ta shohim rastin se çka ka ndodhur dhe do të merren veprimet që duhen”, tha Aliu.
Policia e Kosovës ka thënë se ende nuk ka ndonjë rast të hapur.
“Së pari duhet me identifiku kush është arsimtari, kur ka ndodhë, konsultohet prokurori pastaj vendoset çka tutje. Nëse inicohet rast ndaj arsimtarit, ju njoftojmë”, kanë thënë nga Policia e rajonit të Gjilanit.