Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, njëherësh drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, ka thënë se pala kosovare po e cenon marrëveshjen e Brukselit dhe po tregon se nuk është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve mes të dy vendeve.
Këtë reagim Petkoviqi e bëri pas deklaratës së ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, në lidhje me zhvillimet dhe aktivitetet e fundit të ndërmarra nga MINT për mbrojtjen e tregut vendor, në veçanti të prodhuesve vendorë nga importet.
Hajdari, në një konferencë të sotme për media, tha se ka ligj që moti por nuk ka pasur zbatim, për t’i mbrojtur prodhuesit vendorë nga Serbia.
“Produktet e importuara në territorin e Kosovës kanë rritje enorme dhe po i dëmton prodhuesit vendorë. Si përfundim, sipas Departamentit të Tregtisë, tregohet se ka rritje të importit nga Serbia për dallim nga viti i kaluar. Ne do të marrim masa ndaj produkteve konditorike siç janë biskotat dhe ëmbëlsirat që prodhohen nga Serbia sepse këto produkte kanë pasur rritje enorme të importit. Ne do t’i shikojmë evidencat e pastaj do të vendosim për masat”, ka thënë ajo.
Kurse Petkoviqi, përmes një postimi në Twitter, tha se bashkëpunëtorët e kryeministrit Albin Kurti, po paralajmërojnë bllokadë të re ndaj produkteve serbe.
“Pas refuzimit të Prishtinës për të marrë pjesë në një dialog konstruktiv në Bruksel, po ndodhin lëvizje të reja të njëanshme nga Albin Kurti, bashkëpunëtorët e të cilit paralajmërojnë bllokadë të re ndaj produkteve serbe. Me këtë ata po shkelin marrëveshjen e CEFTA-s, po cenojnë marrëveshjen e Brukselit dhe po tregojnë se nuk janë të interesuar për normalizim”, ka thënë Petkoviqi në një postim në Twitter.
Sipas tij, “derisa Beogradi qëndron për iniciativën ‘Ballkani i Hapur’, Prishtina vendos barriera dhe bllokada të reja dhe kjo është fytyra e tyre e vërtetë”.