Sot bëhen 23 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Beteja e famshme e Pashtrikut, afër kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë u bë më 14 dhjetor të vitit 1998 ku u vra komandant Mujë Krasniqi dhe 41 ushtarët e tij derisa po sillnin armë për në Kosovë.
Ata kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.
Gjatë luftimeve të pabarabarta të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve.
Në pamjet e asaj kohe e që ishin xhiruar nga ushtarët e UÇK-së, shihen trupat e dëshmorëve që kishin marrë pjesë në këtë betejë.