Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këtë të enjte në fshatin Surkish të Podujevës ka konfiskuar tre aparate për prodhimin e kriptovalutave.
“Stacioni Policor i Podujevës, së bashku me Njësitin e Reagimit të Shpejtë, kanë mbështetur ekipe të KEDS-it në fshatin Surkish, ku janë gjetur dhe sekuestruar tri aparate për prodhimin e kriptovalutave”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej, në njoftimin e policisë thuhet se në lidhje me rastin janë njoftuar zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta, sipas tyre, do të ndërmerren veprimet e mëtejme.
Kujtojmë se ditë më parë, me vendim të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndalohet prodhimi i kriptovalutave në tërë territorin e Kosovës, për shkak të krizës energjetike, nëpër të cilën po kalon vendi.