Mediat turke kanë shpërthyer ndaj kapitenit serb të Ajaksit, Dusan Tadiç, i cili, ndryshe nga shokët e tjerë të skuadrës së tij dhe asaj kundërshtare, nuk mbante në krah shiritin me flamurin turk dhe sirian, në nderim të viktimave të tërmetit vdekjeprurës të 6 shkurtit, që ka shkaktuar deri më sot mbi 41 mijë viktima në Turqi dhe Siri.
Ky veprim i Tadiç ka shkaktuar reagime të shumta në Holandë, i cili duhet thënë se është vendi i parë që mori vendimin për të mbajtur një moment heshtje para ndeshjeve të kampionatit.
Kapitenët e ekipeve në Holandë dolën në fushë me shirita me flamuj turk dhe sirian. Megjithatë, kapiteni i Ajax-it, Dusan Tadic, u pa në fushë me një shirit me tre shkronja ‘X’ në ndeshjen e tyre kundër RKC Waalwijk.
Ish-lojtari holandez i Galatasaray, Sneijder, ka bërë të ditur se këtë vendim e ka marrë klubi dhe jo Tadiç. Megjithatë, futbollistët turq që luajnë në këtë kampionat kanë reaguar ashpër ndaj kësaj lëvizjeje të Ajax-it në rrjetet sociale.