Abdyl bej Frashëri: Puna juaj me Traktatin e Berlinit mbaron, puna jonë si shqiptarë nga kjo ditë fillon
SHKRUAN: XHAFER SADIKU
Sot mbushen 139 vjet, kur në Prizren filloi punimet mbledhja e parisë shqiptare e njohur në historiografi si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila përbën ngjarjen kulmore në historinë e Shqipërisë, në shekullin XIX.
• Shkaqet e mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit dhe objektivat e saj
Pa analizuar shkaqet e luftës Ruso – Turke, duhet theksur se në përfundim të saj, ushtria ruse u duk në portat e Stambollit duke e detyruar Perandorinë Otomane të nënshkruante traktatin e Shën Stefanit, i cili u jepte pavarësinë e plotë Serbisë, Malit të Zi e Rumanisë. Përsa i përkiste Shqipërisë, traktati në fjalë e cungonte territorin e saj në favor të Bullgarisë, Malit të Zi e Serbisë. Në zonën lindore, vija kalonte në Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Rekë, Dibër, Ohër, gjithë kazaja e Korçës gjer te mali i Lenies dhe nga gjithë prefektura e Korçës, mbetej vetëm kaza e Kolonjës.
Rreziku i coptimit të Perandorisë Osmane dhe rritja e ndikimit rus në Mesdhe cënoi interesat e Anglisë dhe Austro-Hungarisë. Ato kërkuan me urgjencë rishikimin e traktatit të Shën Stefanit dhe për këtë arsye u thirr Kongresi i Berlinit, i cili i filloi punimet më 13 qershor 1878.
Për të kundërshtuar projektet e fuqive të mëdha për coptimin e trojeve shqiptare në favor të fqinjve, elita politike shqiptare në Perandorinë Otomane dhe paria lokale organizuan Lidhjen e Prizrenit, e cila i filloi punimet më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajrakli në Prizren.
Numri më i madh i pjesëmarrësve ishte nga krahinat që cënoheshin nga Traktati i Shën Stefanit, si Dibra, Tetova, Prizreni, Gjakova etj, ndërsa ato më të largëtat u përfaqësuan me delegatë. Si përfaqësues i Organizatës së Lidhjes së Toskërisë, ishte Abdyl bej Frashëri. Pjesa më e madhe e delegatëve përbëhej nga bejlerë e bajraktarë, klerikë myslimanë, krerë malësorë dhe elementë të borgjezisë.
Delegatët zgjodhën një Këshill Qendror që do ta kishte qendrën në Prizren, të përbërë nga figura të njohura të kohës. Ata aprovuan një Kararname prej nëntëmbëdhjetë nene, e cila rregullonte mbrojtjen e viseve shqiptare. Kararnameja u firmos nga të gjithë anëtarët e këshillit.
Kryetar i Lidhjes u zgjodh Iljaz Pashë Dibra, ndërsa Mehmet Ali Vrioni dhe Abdyl bej Frashëri u mandatuan për t’u parashtruar Fuqive të Mëdha memorandumet e shqiptarëve. Në fazën e dytë të Lidhjes, kryetar u zgjodh Ymer Prizreni.
Lidhja e Prizrenit u përkrah që në fillim nga sulltan Abdylhamiti, i cili, në prag të mbajtjes së Kongresit të Berlinit, emëroi si ministër të Jashtëm të Perandorisë Otomane, Abedin Pashë Dinon, nga një familje e njohur e Çamërisë, anëtar i komitetit jugor të Lidhjes. Me anë qarkoresh të fshehta, Abedin Pashë Dino u premtonte komiteteve të Lidhjes ndihmën e Portës.
Objektivat kryesorë të Lidhjes ishin dy: a) ruajtja e tërësisë territoriale; b) autonomia administrative e trojeve shqiptare. Për realizimin e këtyre objektivave ata kërkonin: “një qeverisje autonome në vilajetet Kosovë, Manastir, Janinë me qendër në Manastir”.
• Çfarë kërkonte Lidhja e Prizrenit?
Në varësi të zhvillimeve diplomatike në Kongresin e Berlinit, vepronte edhe komiteti i Lidhjes. Kështu, në fillim të nëntorit 1878 u mbajt në Dibër një kuvend i madh në kuadër të Lidhjes së Prizrenit, ku morën pjesë mijëra vetë. Për rëndësinë e këtij kuvendi flet fakti që ai u drejtua nga shtatë pashallarë, kryesisht nga zona e Dibrës dhe Kosovës.
Vendimet e Lidhje së Prizrenit të aprovuara nga Dega e Dibrës dhe të nënshkruara nga Iljaz Pashë Dibra e Abdyl Frashëri përmbanin pesë pika:
1- Të gjitha krahinat shqiptare të bashkohen në një vilajet, me një seli në një qytet, i cili do të jetë i afërt dhe i përshtatshëm për të gjitha viset e tij.
2- Të gjithë nëpunësit (me’mur) që shërbejnë në krahinat shqiptare të Arnautllëkut duhet të dijnë edhe gjuhën shqipe.
3- Të përhapet arsimi (mearif) dhe nëpër shkolla të mësohet gjuha shqipe.
4- Të zbatohen të gjitha vendimet që hyjnë në fuqi lidhur me përmirësimin dhe interesin e shtetit dhe të kombit të cilat mirren nga Kuvendi i Këshillit Qendror (Meclis-i Umumi), i cili do të mbahet në qendën e vilajetit duke e vazhduar punën e vet katër mujore në vit.
5- Të caktohet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme (varidat) të vilajetit, e cila të përdoret për zhvillimin e arsimit dhe ndërtimin publik (punë botore).
Këto pesë kërkesa do t’i parashtronin Portës së Lartë për t’i realizuar. Për këtë qëllim, nga paria e Toskërisë dhe Gegërisë do të zgjidheshin nga pesë përfaqësues dhe brenda një muaji të shkonin në Stamboll.
Më 2 dhjetor 1878, Abdyl Frashëri i shkruante Iljaz Pashë Dibrës, të urdhëronte dërgimin e përfaqësuesve të Lidhjes në Stamboll, për të kërkuar ndihmën e Portës së Lartë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
-Nëse çështja bullgare zgjidhet në pajtim me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit dhe ajo greke në harmoni me vendimet që merren në Kongresin e Berlinit, atëherë, – theksonte Abdyl Frashëri, – “gjysma e viseve shqiptare (Arnautllukut), do të bjerë nën dominimin e armiqve, kurse Lidhja jonë dhe bashkimi ynë nuk do të ketë kurrfarë vlere”. Nëse përfaqësuesit e viseve shqiptare arrijnë në Stamboll para se të trajtohen këto dy çështje, – theksonte ai, – “me siguri do të kemi dobi të madhe”.
• Vendimet e Traktati të Berlinit, shqiptarët kërkojnë ndihmën e sulltanit
Fuqitë e mëdha me traktatin e Berlinit vendosën që një pjesë e territoreve të Gucisë dhe Plavës duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi. Mirëpo, pas kundërshtimit të shqiptarëve, Malit të Zi iu propozua t’i dorëzohej Hoti, Gruda dhe Kelmendi dhe nëse edhe kjo nuk realizohej, do t’i dorëzohej Ulqini si kompensim. Duke mos gjetur mbrojtje nga Fuqitë e Mëdha, me 23 qershor 1879 Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni i derguan Sulltanit një peticion ku i kërkonin mbrojtjen e viseve shqiptare.
Më 19 korrik 1879, delegatët shqiptarë i dërguan nga Stambolli një letër Z. A.I-LLayard në të cilën protestonin “kundër çfarëdo dorëzimi të territorit të Shqipërisë ndonjë shteti të huaj. Letra ishte nënshkruar nga Mehmet Ali Vrioni, Abdyl Frashëri, Said Toptani, Vesel Dino, Ymer Shefkiu e Ahmet Shefkiu”.
Më 22 korrik 1880, Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit iu drejtua sulltanit ku i parashtronin se kishin vendosur të mbronin trojet e atdheut të tyre nga rreziku i fqinjëve që po përgatiteshin për t’i sulmuar. Ata kërkonin që “administrimi i Arnautllukut duhet t’i ngarkohet patjetër një valiu të besueshëm, të aftë dhe të sigurt”. “… Qysh prej stërgjyshërve dhe gjyshërve tanë në mënyrë trashëgimtare kemi gëzuar të drejtën e ekzistimit, lirisë, nderit dhe të fesë, kurse tani është e qartë se Lartmadhëria e Tij Sulltani nuk do të lejojë shkatërrimin tonë brenda sekondës”.
Ata i bënin me dije se: “… në Prizren janë mbledhur paria nga të gjitha viset tona, çdo njëri ka ardhur sipas zakoneve të vjetra ka janë përmbushur fushat me njerëz të cilët kanë lidhur besën e bashkimit duke u zotuar që do t’i zbatojmë dëshirat e përgjithshme të popullit për t’i mbrojtur viset e Arnautllukut”.
Në zonat e Shqipërisë së Veriut u mblodhën vullnetarë për t’i dërguar menjëherë në kampet në Tuz dhe Ulqin.
Presionet e Fuqive të Mëdha mbi Portën e Lartë
Për të zbatuar vendimin e Traktatit të Berlinit, Fuqitë e Mëdha i bënë presion të gjithanshëm Portës së Lartë, madje flota e tyre bllokoi bregdetin e Ulqinit.
Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria vazhduan presionet për të detyruar Portën e Lartë të lëshonte qytetin e Ulqinit ose të zbatonte marrëveshjen e Prillit d.m.th të dorëzonte Hotin dhe Grudën. Për këtë, ato i kërkuan në formë ultimatumi një përgjigje deri në 23 gusht 1880.
E ndodhur midis dy palëve, Fuqive të Mëdha dhe shqiptarëve, Porta e Lartë e kushtëzonte dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi me garancitë serioze dhe zyrtare të fuqive të mëdha evropiane. Nëse kërkesat e parashtruara nuk pranoheshin ose injoroheshin nga Fuqitë e Mëdha, Porta e Lartë, theksonte se “nuk do t’u japë urdhër trupave të veta dhe autoriteteve të saj në Ulqin që të evakuohen që aty”. Porta e Lartë besonte se “kabinetet evropiane do të udhëhiqen nga ndjenjat e drejtësisë dhe të barazisë”.
Më 19 shtator 1880, Porta e Lartë iu drejtua Fuqive të Mëdha duke i paraqitur tre kërkesa për dorëzimin e Ulqinit:
• Me aktin e dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha evropiane përfundimisht do të braktisin çdo plan për manovra detare për kërcënim dhe frikësim për çështjet e tanishme dhe të ardhme.
• Duhet të ruhen e të garantohen pasuritë, jeta, nderi dhe të gjitha të drejtat e banorëve, që pas dorëzimit të Ulqinit, do të donin të emigrojnë. Po ashtu duhet të ruhen pasuritë, jeta, nderi e sidomos feja, si dhe të drejtat e tjera të atyre banorëve të Ulqinit, të cilët nuk do të donin të emigrojnë.
• Menjëherë pas dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, fuqitë e mëdha evropiane duhet të pranojnë bazën status quo, që ka propozuar Porta e Lartë dhe në të ardhmen, asnjë lëshim nuk do t’i bëhet Malit të Zi, në cilëndo trajtë qoftë.
Përkundër rezistencës së Portës së Lartë, Fuqitë e Mëdha nuk lëshuan pe. Më 8 nëntor 1880, ambasada osmane në Bruksel, i raportonte ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll se ambasadori gjerman në Paris, i kishte shpjeguar në mënyrë tepër sekrete dhe i rekomandoi t’ia përkujtonte Kryeministrisë së Mbretërisë Osmane që “sa më parë duhet të bëhet dorëzimi i Ulqinit”, pasi sipas tij, “që të arrihet marrëveshja në mes të shteteve, është e pamundshme nëse nuk zgjidhet çështja në fjalë”.
Çështja e Ulqinit ishte ashpërsuar në kulm. I detyruar nga fuqitë e mëdha, Sulltani largoi nga posti i ministrit të Jashtëm Abedin Pashë Dinon dhe siguroi një fetva (vendim) nga Sheh-ul-islami, që e quante të lejueshëm “në interes të shtetit” përdorimin e forcës kundër myslimanëve shqiptarë.
Më 23 nëntor 1880, trupat turke, të komanduara nga Dervish Pasha, hynë në Ulqin dhe më 26 nëntor ua dorëzoi qytetin Malit të Zi. Sipas një raporti të Dervish Pashës, për këtë ngjarje, popullsia e vilajetit të Shkodrës, “është nënshtruar dhe futur në rrugën e bindjes. Në lidhje me çështjen e Ulqinit, tubimet dhe demonstratat e popullsisë së kësaj ane janë qetësuar, ndërsa në viset e tjera: në Prizren, Gjakovë, në Dibër të Madhe dhe të Vogël dhe në Mat, kryengritja dhe ideja për unisimin e shqiptarëve ende ekziston, kurse autoriteti shtetëror është zhdukur plotësisht”.
• Rëndësia e Lidhjes së Prizrenit
Ndonëse nuk arritën të mbronin plotësisht territoret shqiptare, patriotët shqiptarë, me Lidhjen e Prizrenit, ia dolën të bënin bashkimin shpirtëror të kombit.
Lidhja e Prizrenit nxori në skenën ballkanike nacionalizmin shqiptar, që kishte karakter mbrojtës të të drejtave të shqiptarëve nga pretendimet e shteteve fqinje dhe projekteve të Fuqive të Mëdha. Pas kësaj, elita politike dhe ajo lokale do të ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Ata do të përballeshin me luftën e nacionalizmave të vendeve fqinj, veçanërisht të “Naçertanies” dhe “Megali Idesë”, që do të kulmonte gjatë viteve 1912-1914, kur Fuqitë e Mëdha coptuan trojet shqiptare, duke injoruar ato vet, vendimet e Kongresit të Berlinit .
_______________
1- Mehdi Frashëri, Lidhja e Prizrenit edhe efektet diplomatike të saj, Tiranë 1938.
2- Histori e Shqipërisë, Tiranë 1965, vëllimi II.
3- Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1978, fq. 99; (Raport i Dervish Pashës dërguar Portës së Lartë më 27 dhjetor 1880, mbi marrjen e pushtetit nga degët e Lidhjes së Prizrenit dhe projekti për rivendosjen e pushtetit osman).
4- Lidhja e Prizrenit në dokumente angleze, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1978.
5- Kristo Dako, “Liga e Prizrenit e para lëvizje kombëtare”, Bukuresht, 1922.
1- Fejzi Alizoti, Mustafa Kruja, Xhemil Dino, Dhimitër Berati, Tahir Shtylla, “Le Rivendicazioni albanesi”, Edizioni “Distampur”, 1941-XIX
2- AQSH, FO. 491, dosja 13.