Është i cuditshëm fakti i ndarjes së popullatës kosovare në vendor dhe diasporë. Rastet më flagrante janë të figurave të nivelit të lartë intelektual që e bëjnë këtë ndarje, si ai i fundit nga Shkëlzen Maliqi.
Diaspora janë kosovarë. Në të shutmën e rastëve janë pjesëtarë që familjen e ngushtë e kanë këtu. Sot mund të jeshë banor i Kosovës, neser mund të shkosh në ‘diasporë’, pasnesër prap të kthehesh. Kjo është ‘diaspora’ jonë, e cila e viziton Kosovën shpeshherë nga 5 herë e më tepër brenda viti.
Madje, janë disa djem që po vijnë edhe më tepër. Ata sot do të zbresin në fushën e gjelbër edhe njëherë, për të na zbardhur fytyrën në tokën e Cekisë, për të aterruar në Prishtinë një ditë më vonë e për të na kënaqur zermat kundër Anglisë të dielën.
Pra, ata e kanë punën atje, por mbajnë kontakte të vazhdueshme duke qenë pjesë e jona integrale, me vetëm shkëputje të kohëpaskohshme fizike.
Kanë të drejtë vote dhe duhet të bëjnë ndryshimin, pasi shumica ikën për një punë, ose për një punë më të mirë. Madje, ata duhet të jenë të parët që zgjedhin, pasi ikën nga pakënaqësia, në formë proteste për një jetë më të mirë në një vend që funksionon më mirë. Janë ata që kërkojnë ndryshimin.
Secili e sheh vetën të përkohshëm aty dhe po u bë mirë këtu, kthimi do të jetë masiv.
Në këto rrethana, kur ata që kanë ikur jashtë mbajnë kontakte të vazhdushme me vendin dhe me cdo element të tij, nuk mund të jenë diasporë. Diasporë janë ata shqiptarët që jetojnë në Argjentinë ose Ukrainë. Edhe arbëreshët e Italisë janë diasporë. Por, assesi shqiptarët që punojnë në Zvicër a Gjermani e secilin cent që e fitojnë atje, vijnë e shpenzojnë këtu.
Ata janë ne.