Bernard Challandes, trajneri i Kombëtares së Kosovës, është shfaqur në konferencë për media para ndeshjes me Anglinë në “Fadil Vokrri”, që do të zhvillohet të dielën nga ora 18:00.
Sa herë që Kosova luan, interesimi i tifozëve për të shikuar nga afër ‘Dardanët’ është i jashtëzakonshëm, por kapaciteti në ‘Fadil Vokrri’, nuk ua plotëson dëshirat të gjithëve.
Për këtë, Challandes thotë se do të dëshironte që Kosova të ketë një stadium më të madh sepse dashuria për futbollin në Kosovë, sipas tij, është si në Angli.
“Është e qartë se ne e kemi bërë një kampanjë mirë. Tifozët duan të vijnë të na shohin dhe të na mbështesin. Gjithashtu, luajmë ndaj një ekipi të madh. Pra, kemi bërë lojëra të mira dhe njerëzit janë krenarë me ne. Dhe, nëse luajmë ndaj Anglisë, me lojtarë të mëdhenj, është po ashtu një eveniment i madh. Shpresoj që këta njerëz ta shijojnë lojën. Thonë se ekipi me tifozë i ka 12 lojtarë, por neve na duhen ndoshta 14 apo 15 lojtarë, por kjo nuk është e mundshme. Do të jetë një lojë mjaft e vështirë për ne. Vetëm një pishman e kam që nuk e kemi një Wembley në Kosovë”.