13.5 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Deputetët britanikë paralajmërojnë: Serbia po e kërcënon Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën, kërkojnë reagimin e NATO-s dhe BE-së

Rekomandime

Arminka Helië, anëtare e Dhomës së Lordëve Britanikë që ka shërbyer edhe si këshilltare speciale e Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar William Hague nga viti 2010 deri në 2014 dhe Anthony Mangnall, deputeti konservator për Totnes dhe Devonin Jugor, kanë publikuar një shkrim në “Politico”, ku shfaqin shqetësimet e tyre për politikën serbe në rajon.

Në këtë shkrim, ata thonë se Serbia po e kërcënon Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën, ndërsa kanë kërkuar reagimin e NATO-s dhe BE-së.

- Advertisement -

Sot ka jehona alarmante të viteve 1990 në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Dhe ndërsa bisedimet për zgjerimin e Bashkimit Evropian në rajon ngecin, ekziston një faktor i përbashkët shqetësues në krizat me të cilat përballet Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi: qeveria serbe po mbështet në mënyrë aktive përpjekjet për t’i destabilizuar ato, duke mbështetur përfaqësuesit e brendshëm dhe duke kërcënuar sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.

Bashkë me ndërhyrjen ruse, ndarjen e BE-së dhe dobësinë e NATO-s, kjo po rezulton të jetë një përzierje vdekjeprurëse. Përparimi që u bë në rajon në vitet 2000 – drejt shteteve paqësore, prosperuese, multietnike – po zhbëhet dhe hapësira është e hapur për ngatërrestarët. Ka ardhur koha që NATO dhe BE të punojnë së bashku dhe të ndërmarrin veprime për të ndalur rënien dhe për të mbrojtur progresin që është bërë.

Në shtator të këtij viti, në kufirin me Kosovën, Serbia vendosi automjete të blinduara dhe avionë luftarakë, duke sfiduar demilitarizimin post-1999. Në Bosnje dhe Hercegovinë, politikanët secesionistë serbë të Bosnjës, të cilët janë politikisht dhe financiarisht të varur nga Serbia, po tërhiqen në mënyrë të njëanshme dhe jokushtetuese nga institucionet e nivelit shtetëror të krijuara si rezultat i marrëveshjes së paqes të Dejtonit, ndërsa kryejnë ushtrime speciale policore për të shfaqur forcën hapur. Në Mal të Zi, Beogradi nxit ndarjet fetare, duke kontribuar në një klimë politike gjithnjë e më toksike që ka rindezur çështjet e orientimit të politikës së jashtme, përkatësisë etnike dhe besimit.

- Advertisement -

Këto veprime destabilizuese janë të mbështetura të gjitha nga koncepti i “botës serbe” – një ide e ngjashme alarmante me “Serbinë e Madhe” të ish-presidentit Slobodan Milosheviq – tani e mbështetur hapur nga ministri i Brendshëm i vendit, Aleksandar Vulin. Këtu mund të shihen gjurmë të qarta të viteve 1990, gjatë të cilave regjimi i Milosheviqit krijoi një sërë luftërash, që kulmuan me spastrim etnik dhe gjenocid.

Këtë herë, megjithatë, situata përkeqësohet nga faktorë tjerë. Kryesorja ndër këto është ndërhyrja aktive e Rusisë. Kremlini mbështeti një përpjekje për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016 dhe vazhdon ta ndalojë Kosovën nga njohja e plotë ndërkombëtare në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ajo gjithashtu ka mbështetur paramilitarët dhe ka lëshuar kërcënime të hapura ndaj çdo përgjigje për çdo propozim për anëtarësimin e Bosnjës në NATO, ka kërkuar të minojë përfaqësuesin e lartë përgjegjës për mbikëqyrjen e përparimit të marrëveshjeve të Dejtonit dhe po mbështet secesionistët dhe nacionalistët në të gjithë rajonin.

- Advertisement -

Pastaj është problemi i një BE të përçarë. Ndërsa Bullgaria mbetet vetoja e vetme kundër bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kryeministri hungarez Viktor Orban ka ofruar një platformë për retorikë të rrezikshme islamofobike dhe anti-boshnjake dhe revizionizëm historik që shtrembëron faktet e vërtetuara rreth luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi. Me ide të tilla në qarkullim të hapur, BE-ja nuk është në gjendje të përballet me sfidën e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Përfundimi i ‘hat-trick’-ut – dhe i inkurajuar nga tërheqja kaotike nga Afganistani – është perceptimi se NATO-ja është e pafuqishme dhe se tani është një kohë e mirë për të sfiduar qëndrimin e saj në rajon.

Prandaj, është thelbësore që ne të ndërmarrim veprime kolektive. Së pari, rajoni duhet të trajtohet si një tërësi koherente: politika Perëndimore duhet të ketë parasysh se krizat dhe tensionet në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi janë të gjitha të lidhura dhe se të mbështetesh tek Serbia si një shtyllë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor është, fatkeqësisht, një politikë e gabuar.

Serbia nuk është më një aleate ndihmuese në zgjidhjen e problemeve politike në Ballkan; përkundrazi, është shkaku kryesor i tyre. Prandaj, qasja jonë duhet të kalojë në atë të kontrollit, duke kërkuar llogari nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe qeveria serbe për provokimin e destabilitetit.

Së dyti, NATO-ja duhet të sigurojë që prania e saj në rajon të jetë mjaft e konsiderueshme për të vepruar si një pengesë ndaj dhunës. Kjo do të thotë rritje e numrit të trupave. Forca stabilizuese e EUFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë ka vetëm rreth 700 anëtarë, një kontingjent i pakët që nuk ka gjasa të frenojë ndonjë destabilitet të konsiderueshëm. Kosova gjithashtu duhet të pranohet në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s së bashku me Bosnjën dhe të mirëpritet në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, BE-ja duhet të zgjohet nga kërcënimi në kufijtë e saj. Fjalët e sjellshme nuk do të na çojnë askund. Një përgjigje e fortë e mbështetur nga kërcënimi i sanksioneve është i vetmi mesazh që do të kalojë. Kërcënimet e dhunës, nacionalizmit etnik dhe mohimit të gjenocidit duhet të përballen me dënim të qartë dhe të shpejtë në vend të heshtjes së zakonshme të sikletshme të BE-së. As deklaratat nuk duhet të vazhdojnë të jenë të shkruara në gjuhën e “të dy palët”.

Disa politikanë evropianë mund të shqetësohen se një përgjigje e tillë e fortë do të shërbejë vetëm për të armiqësuar Ballkanin Perëndimor, por kjo frikë është e pabazë. Rusia nuk do të zëvendësojë BE-në. Të rinjtë e rajonit nuk po largohen për në Moskë, por për në BE. Kur liderët evropianë deklaruan në vitin 2003 se “e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian”, ata kishin të drejtë. Pyetja është se sa më shumë konflikte do të duhet të përjetojë rajoni para se të arrijë atje.

Nëse liderët evropianë si Orbani i Hungarisë ose Janez Jansha i Sllovenisë bllokojnë këtë kthim drejt politikës parimore, atëherë qeveritë progresive duhet të koordinohen, së bashku me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, dhe të ecin përpara në afat të shkurtër. Në planin afatgjatë, vendet evropiane do të duhet të ndërtojnë një strategji dhe politikë për të cilën të gjithë 27 anëtarët mund të bien dakord – diçka që SHBA-ja duhet të punojë për ta inkurajuar. Nëse anëtarësimi në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është në plan, atëherë duhet të merren parasysh hapat e përkohshëm, si anëtarësimi në tregun e vetëm dhe në unionin doganor dhe në rritjen e financimit.

Pa dyshim, konflikti në rajon më nuk është i paimagjinueshëm – nëse nuk veprojmë, është thjesht çështje kohe. Rusia e di këtë dhe po teston qëllimisht vendosmërinë dhe aftësitë e NATO-s. Nëse NATO-ja dhe BE-ja nuk janë në gjendje të mbrojnë stabilitetin në Ballkan – që nuk është thjesht një oborr i shtëpisë së tyre por një oborr në zemër të shtëpisë së tyre – atëherë ka pak gjasa që ata ta bëjnë këtë diku tjetër. Dhe në mungesë të një angazhimi të besueshëm euroatlantik, nuk do të vuajë vetëm Ballkani.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit