-0.6 C
Pristina
E premte, 27 Janar, 2023

Detajet e padëgjuara nga lufta, takimi i Ibrahim Rugovës me Adem Jasharin, vijnë rrëfimet e Gecit dhe Lushtakut

Rekomandime

Gani Geci dhe Sami Lushtaku mbrëmë ishin të ftuar për një intervistë në një emision televizioni. Aty u biseduan shumë gjëra që për publikun nuk ishin të njohura.

Që në fillim të emisionin ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, ka vendosur të ulet në anën e djathtë në studio.

“Jam djathtist edhe me pikëpamje politike, ndërsa miku im Samia është majtist pasi që e ka dashur Enver Hoxhën. Mirëpo përkundër pikëpamjeve unë Saminë e kam mik të mirë”, ka thënë Geci, duke bërë që Sami Lushtaku t’i përgjigjet “Unë jam djathtist. Mirëpo gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe Enver Hoxhën, ndërsa nuk e kam dashur Jugosllavinë dhe Titon”.

Gjatë intervistës, ish-komandanti i UÇK-së në Drenicë, Sami Lushtaku, ka treguar për herë të parë se në vitin 1991, presidenti Ibrahim Rugova e ka pritur në Zvicër komandantin Adem Jashari.

Lushtaku thotë se më herët nuk është përmendur ky rast, por në fillim të ’90-tave Rugova e Jashari janë takuar në Zvicër.

“Kemi shku në Zvicër me Adem Jasharin. Atje e kemi taku qeverinë edhe Ibrahim Rugovën. Unë jo, por Ademi (Jashari) e ka taku Rugovën në vitin ‘91”, ka thënë Lushtaku.

Por edhe pse kundërshtar politik, Lushtaku e ka pranuar se në një kohë të caktuar ka qenë përkrahës i Ibrahim Rugovës dhe LDK-së.

“Po, po pa dyshim se e kam votuar Ibrahim Rugovën në vitin 1992, bile e kam pasur edhe fotografinë e tij në lokal në Skenderaj”, ka thënë Lushtaku.

Por si ndodhën aksionet e para antiserbe në Drenicë. Për këtë, Geci dhe Lushtaku rrëfyen se si që nga viti 1991, aksionet e tyre antipolicore kishin filluar.

“Ishte viti 1991 kur jemi gju në Skenderaj, ata më njihnin pak a shumë sepse për shkak të protestave dhe demonstratave… Isha duke shkuar te një shok i imi dhe isha i armatosur. Policia tentoi të më ndalonte e unë nuk kam pranu. Unë kam gjuajtur me revole në drejtim të tyre, unë isha me revole e edhe ata gjithashtu”, theksoi Lushtaku, duke e theksuar disa herë se ka qenë nën shoqërinë e Gani Gecit.

Por si ishin raportet e politikanëve të sotshëm me Adem Jasharin?

“Kam dëgjuar zëra por nuk kam qenë dhe nuk flas për diçka që dëgjoj por kam dëshirë të flas me fakte dhe argumente. Ka pasur mospajtime jo veç me ata të dy po të gjithë. Por rëndësi të madhe ka që nuk ka pasur tradhti mes neve. Pasi po të kishte tradhti në atë periudhë kohore secili ka mundur me dal në pritë tjetrit”, tha Lushtaku duke shtuar se gjithsesi, deri në vitin 1994 raportet mes Jasharit me Thaçin dhe Selimit kanë qenë të shkëlqyera.

Tutje Geci pastaj ka treguar se së bashku me Lushtakun kishin rrahur persona që jepnin intervista për televizione serbe, dhe se ishin ata dytë që bënë aksionet e para guerile në rajonin e Drenicës.

Por si u njohën ata me presidentin e sotshëm të Kosovës, Hashim Thaçin?

“Unë e kam njoftë moti Hashim Thaçin, por dua të përmendi aksionin e vitit 92’ ku kemi marrë pjesë bashkë në Drenas “Te stacioni”, ka thënë Lushtaku.

Ndërsa Geci tha: “Unë me Hashim Thaçin kemi qenë shokë të gjeneratës, ai ka qenë në drejtimin ‘Kimi-teknologji’. Ai ka qenë anëtar i forumit rinor në kohën kur Ademi shkoi në ushtrime Thaçi u bë kryetar, deri në mbledhjen tjetër”.

Ndërsa, Gani Geci tutje tregoi se pse Lushtaku e quajti lloj luftëtari paramilitar.

“Kam qenë më i miri. Pse me ardhë Rexhep Selimi kur unë kam qenë aty para tij. Komandant e kam pasur vetëm Adem Jasharin. Të dytin e kam shënuar veten”, tha ai.

Në fund të emisionit, të dy u përplasën për politikën e sotshme. Vjosa Osmani ishte emri që nxiti debat mes tyre. Përderisa Geci kishte vlerësime të larta për të, Lushtaku jo edhe aq.

“Një grua e martuar, me fëmijë, e përgatitur më shumë se kushdo. Me logjikë të Evropës, ajo ka me fitu”, ka thënë Geci, ndërsa Lushtaku tha “Kjo gruaja [Vjosa Osmani] duhet të shkojë t’i pyesë të tjerët për të marrë një vendim”.

Krejt në fund, Gani Geci dha edhe kalkulimet e tij se si do të mundë të bëheshin koalicionet në bazë të asaj se kush del në vend të parë.

“Nëse PDK-ja del e para, sigurt do të futet në koalicion me Nismën dhe AKR-në… Gjithashtu edhe LDK-ja nëse del e para, mundësitë janë që të futet në koalicion me Nismën dhe AKR-në… E nëse VV-ja del e para, përsëri ju jeni në opozitë sepse VV-ja bën koalicion me LDK-në”, tha Geci.

Më shumë artikuj

Të fundit