1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dodik: Asociacioni duhet t’i ngjajë Republika Sërpskas, tema e kufijve në Ballkan nuk ka mbaruar

Rekomandime

Presidenti i entitetit Republika Sërpska, Milorad Dodik, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe t’i përngjajë entitetit që ai drejton.

“Pajtohem me Vuçiqin që tha se do t’i vazhdojë diskutimet nga momenti i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me funksione ekzekutive që duhet të ketë, siç është dakorduar. Në këtë drejtim nuk do të vazhdojmë diskutimet derisa të formohet Asociacioni në kapacitetin e dakorduar, e jo siç po e ndërmjetësojnë tash shqiptarët. Pa funksione ekzekutive, nuk ka kuptim të ndërtohet një guaskë e zbrazët që nuk shërben për asnjë qëllim. Perëndimi po përpiqet gjithashtu ta bëjë Republika Sërpskan një guaskë të zbrazët pa asnjë përmbajtje”, tha Dodik për “Kosovo Online”.

- Advertisement -

Dodik, që është në listën e personave të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, madje ka pasur edhe një paralajmërim për “amerikanët e evropianët, se kufijtë në Ballkan nuk kanë mbaruar”.

Ai është pyetur edhe për kushtet që i ka vendosur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për Asociacionin.

“Nuk ka kushte të Kurtit, ka vetëm një marrëveshje që duhet të zbatohet. Dihet se çfarë është rënë dakord. Çfarë do të thotë kjo, se çdo kryeministër i ri që vjen të vendosë kushte të reja. Myslimanët në Sarajevë, që kontaktojnë me shqiptarët në Kosovë, arritën ta denigrojnë në atë nivel Republika Sërpskan, sa që jemi një lloj ‘përbindëshi’ për Kurtin. Nuk jam marrë me ta, vetëm se kam ndjekur politikën e Serbisë, por tash do ta them – Serbia kurrë nuk duhet t’i jap pavarësinë Kosovës e M. Le të bëjnë çfarë të duan, mund të qeshin me ne, ne do të presim, por historia ka plotë ndryshime. Amerikanët dhe evropianët duan të thonë se kufijtë në Ballkan kanë mbaruar, por nuk kanë mbaruar”, ka thënë Dodik.

- Advertisement -

Dodik ka thënë se ndërkombëtarët duan të thonë se “Kosova është rast i veçantë”.

“Në çdo rast, qëndrimi i tyre se Kosova e M. është rast i veçantë, se nuk vlen për rastet tjera, është mesazh edhe për ne në Republika Sërpska – mos e imitoni këtë, nuk vlen për ju. Kurti po adhurohet. Ai ka prapa vetes fuqinë amerikane dhe NATO-n, dhe ata po e mbrojnë të porsalindurin e tyre të abortuar diku në histori, që do të jetë një shtet. Nëse duan të luajnë shtete, atëherë edhe Republika Sërpska është shtet. Asociacioni duhet të ketë pushtet ekzekutiv dhe në një pjesë duhet t’i ngjalë Republika Sërpskas, e kjo është e saktë”, ka thënë Dodik.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit