Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se situata aktualisht në vendin tonë është shqetësuese, dhe se për këtë faji mbetet tek qytetarët të cilën siç ka thënë ai ende nuk po respektojnë sa duhet rekomandimet e profesionistëve shëndetësor në vend.
Ai ka thënë se të gjithë duhet ta kuptojnë se situata është e rëndë, andaj edhe duhet respektuar udhëzimet e profesionistëve shëndetësor, duke vendosur maskën, mbajtur distancën e higjienën personale.
Lexo Edhe:Konfuzioni rreth faljes së namazit të Bajramit, flet Kryeimami i BIK’ut
“Sipas të gjitha gjasave ende nuk po respektohen në masën e duhur rekomandimet që janë dhënë tash e pesë gjashtë muaj nga profesionistët shëndetësor sa i përket masave parandaluese, ne duhet të jemi shumë transparent dhe të sinqertë me të gjithë, kjo situatë është jashtëzakonisht e rëndë, është e rëndë edhe për vet profesionistët shëndetësor edhe për vet sistemin shëndetësor i cili është i tej ngarkuar me numrin e madh të rasteve të hospitalizuara”, tha Krasniqi për IndeksOnline.
Krasniqi tutje ka thënë se fatkeqësisht duke mos pasur një bari efikas apo vaksinë që lufton këtë virus kjo është mënyra e vetme për tu mbrojtur nga ky virus i cili në Kosovë ka marrë jetën sipas raportit të IKShPk-së 185 personave.
E nëse këto masa do të zbatohen nga ana e qytetarëve, atëherë mund të lehtësohet situata.
Krasniqi në asnjë moment nuk ka fshehur shqetësimin e tij dhe tërë personelit shëndetësor, i cili po përballet drejtpërdrejtë me virusin corona.
Ai ka thënë se QKUK ka në dispozicion të saj 700 deri në 750 shtretër, për të gjithë të prekurit me Covid-19.
Mirëpo nëse të gjithë këta shtretër mbushen atëherë sipas Krasniqi do të rrezikohen pacientët e tjerë që janë të vendosur në QKUK e që nuk vuajnë nga Covid-19, por nga sëmundje të tjera.
“Ne kemi thënë se kemi vënë në dispozicion kemi vënë në dispozicion rreth 700 deri në 750 shtretër aktualisht, po nëse këto hapësira, këto shtretër mbushen ne duhet të lirojmë edhe shtretër të tjerë, por të mos harrojmë që krejt Kosova nuk është Covid-19 dhe pacient kanë dhe sëmundje të tjera dhe kanë nevojë edhe për shërbime të tjera dhe ne duhet të ruajmë edhe shërbimet bazike elementare. Prandaj çdo nevojë për të shtuar kapacitetet e shtretërve për Covid, është duke e rrezikuar seriozisht sistemin shëndetësor, është duke e rrezikuar edhe shërbimet tjera jo covid”, theksoi Krasniqi për IndeksOnline.
Ai ka ftuar dhe njëherë të gjithë qytetarët që të respektojnë seriozitetin e situatës në të cilën ndodhemi, e të respektojnë dhe zbatojnë rekomandimet që janë dhënë me muaj të tërë.
Ndryshe vetëm dje në Kosovë janë shënuar 276 raste të reja me Covid-19 ndërsa virusi brenda 24 orëve u bë shkaktar për vdekjen e 8 persona.