Dy nga dhjetë të infektuarit e mbrëmshëm në Prishtinë, janë fëmijë të çerdheve

0
75

Në mesin e dhjetë rasteve të fundit me coronavirus në Prishtinë, janë edhe dy fëmijë nga çerdhet e këtij qyteti.

Njoftimin e ka bërë drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi në një prononcim për RTV Dukagjinin.

Si rezultat i këtyre ngjarjeve kryetari Shpend Ahmeti ka vendosur të mbyllen tri çerdhe në kryeqytet.

“Mbrëmë patëm edh dhjetë raste të reja që çuan numrin total të infektuarve në Komunën e Prishtinës në 106. Dy prej tyre rezultuan të jenë fëmijë të institucioneve parashkollore të cilët kanë qenë pjesëmarrës në çerdhet e Prishtinës. Si rezultat i kësaj kryetari Ahemti ka kërkuar që të mbyllen tri çerdhe në kryeqytet. Pastaj ka filluar gjurmimi dhe kontaktimi i fëmijëve tjerë”.

Gashi thotë se po kontaktohen të gjithë fëmijët që kanë qenë në kontakt me fëmijët e infektuar.

“Janë të njohura të gjitha rastet e kontakteve. Edhe këta dy fëmijë janë kontakte të familjeve që kanë qenë më parë të infektuar”.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë thotë se me rastet e fundit, numri i rasteve aktive në Prishtinë shkon në 31.

“Me përjashtim të një rasti që është duke u trajtuar në Klinikën Infektive, rastet tjera janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe gjenden në shtëpi”, tha ndër të tjera Bujra Gashi.