Shefi i deputetëve të VV’së, Rexhep Selimi, ka thënë se do të koordinohen me SHBA’në për heqjen e taksës 100 përqind.
Kështu ka deklaruar ai sot në një intervistë për Express, ku ndër të tjera ka shtuar se do të vendosin masën e reciprocitetit.
“Reciprocitetin e shohim si niveli më i lartë i besimit reciprok dhe i raporteve reciproke, dhe këtë vlerë si shumë vlera të tjera i kemi mësuar pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë ai.
Mirëpo të njëjtën SHBA nuk e ka përkrahur dhe këta kanë kërkuar heqjen e plotë të taksës. E për këtë çështje, Selimi ka thënë se do të koordinohen pikërisht me aleatin më të madh të Kosovës.
“Nuk e di saktësisht, kur është agjenda po gjithsesi ne do të koordinohemi në mënyrë të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
Kujtojmë se ambasadori amerikan, Richard Grenell, ditë më parë ka deklaruar se është kundër vendosjes së reciprocitetit, duke kërkuar heqjen e plotë të taksës.