2.2 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Flet personi në foton me ushtarët britanik: Si fëmijë ëndërronim të luajmë kundër Anglisë

Rekomandime

Gjatë ditës, nëpër rrjetet sociale ka qarkulluar një foto e cila është bërë virale ku shihen disa fëmijë kosovar duke luajtur futboll me pjesëtarët e KFOR-it anglez pas luftës në Kosovë.

PORTALI.info ka kontaktuar me njërin nga fëmijët që shihet në foto, i cili ka treguar emocionet që ka sot për ndeshjen mes Anglisë dhe Kosovës.

Shaban Morina, me prejardhje nga fshati Gllarevë e Klinës, tash 32-vjeçar i cili jeton dhe vepron në Prishtinë së bashku me familjen, ka thënë fotoja është bërë pas përfundimit të luftës, kur Morina ka qenë 14-vjeçar duke luajtur me shoqërinë e tij.

- Advertisement -

“Kjo foto është bërë në vitin 2000 kur unë kam qenë 14-vjeçar. Fotoja është shkrepur në lagjen Dardania, ku është tash shkolla ‘Xhemajl Mustafa’ dhe biblioteka ‘Hivzi Sylejmani’. Aty kemi qenë duke luajtur si shoqëri, ku ka qenë edhe futbollisti i njohur Mentor Zhdrella, pastaj Artan Sylaj dhe disa shokë të tjerë. KFOR-i britanik kanë qenë të vendosur në ‘banesat e gjelbërta’ dhe herë pas here kanë kaluar andej për shkaqe sigurie, ku edhe kanë ndaluar për të luajtur me ne ose për të na mësuar ndonjë fjalë anglisht, ndërsa ne i mësonim atyre fjalë shqipe”, shpjegon me emocione Morina për PORTALI.info.

Tutje, Morina ka thënë se nuk e di kush e ka bërë këtë foto dhe është ndjerë i befasuar kur e ka parë duke qarkulluar nëpër rrjetet sociale, pasi që nuk ka qenë në dijeni se një foto e tillë egziston.

“Kur e kam parë këtë foto sot më janë përsëritur emocionet e vitit 2000, kur edhe pse i kemi parë pjesëtarët e KFOR-it të armatosur, ne jemi ndjerë mirë dhe të sigurtë me ta. Nuk e kam ditur se egziston kjo foto dhe jam ndjerë i befasuar kur e pashë”, ka thënë Morina.

- Advertisement -

Ai ka shpjeguar se në atë kohë e gjithë shoqëria e kanë pasur ëndërr që të bëhen futbollistë, ku disa prej tyre edhe janë bërë, ndërsa ka thënë se ka qenë ndjenjë e veçant të luanin me KFOR-in britanik në atë kohë pasi që kanë imagjinuar se po luan Kosova me Anglinë, ndërsa sot pas afër 19 vjetësh, kjo ëndërr po bëhet realitet.

“Disa nga shokët që kemi qenë aty e kanë vazhduar ëndrrën e tyre për t’u bërë futbollistë dhe ia kanë arritur, unë e kam ndaluar shkaku i një lëndimi por e kam ende si hobi dhe luaj kohë pas kohe”, ka thënë Morina.

- Advertisement -


‘Djemtë e Kosovës’, siç i quan Morina lojtarët e përfaqësueses kosovare, sipas tij kanë vazhduar mirë rrugëtimin e tyre dhe kjo e bën të ndihet krenar.

Ai shpreson që edhe sot Kosova të marrë një rezultat pozitiv në Angli.

Në fund, Morina ka thënë se sot do ta përcjell ndeshjen me shumë emocione edhe shkaku i fotografisë që është publikuar, e cila ka thënë se e ka bërë të ndihet edhe më shumë krenar për lojtarët tanë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit