1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Haziri pro shkëmbimit të territoreve: S’besoj që ndryshe mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme

Rekomandime

Kosova nuk duhet të frikësohet që t’i mbyllë çështjet e hapura me Serbinë, thotë Lutfi Haziri, përgjegjës i LDK-së për dialogun. Për të, nuk ka zgjidhje të qëndrueshme e të përhershme, pa shkëmbim të territoreve.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka caktuar Lutfi Hazirin si përgjegjës për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Haziri është ndoshta i vetmi në këtë subjekt politik që shkëmbimin e territoreve e sheh si zgjidhjen e qëndrueshme dhe të përhershme në raportin mes dy vendeve. Ai nuk ka votuar pro një platforme për dialogun, të cilën LDK-ja në maj ia kishte ofruar kryeministrit Albin Kurti, e ku përfshihej mbrojtja e integritetit territorial të vendit.

- Advertisement -

Haziri ka thënë mbrëmë në televizionin publik se veçse ka filluar të përgatitet për ta mbuluar këtë çështje të rëndësishme. Këtë tha se ia ka kërkuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë qenë të paqasshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express për angazhimin e Hazirit në këtë detyrë.

“LDK-ja e ka historinë e dialogut tash e 30 vjet-31 vjet. E bartë atë histori me vete dhe unë jam i nderuar që në këtë fazë të procesit me qenë përgjegjësi dhe i deleguari kryesor në këtë çështje, e cila do të duhej me qenë edhe prioritet kryesor”, tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së, i cili tha se ka një zhvillim regjional dhe ndërkombëtar rreth një mobilizimi më të madh për çështjen e Ballkanit Perëndimor, ku në fokus është dialogu Kosovë-Serbi, u shpreh i bindur se kompromiset më të dhimbshme janë kaluar në Rambuje dhe Vjenë. Ai tha se do ta mbrojë parimin e shumicës brenda partisë, e cila është pajtuar për një platformë që përmban mbrojtjen e integritetit territorial, ruajtjen e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues.

- Advertisement -

“Unë jam i bindur që kompromiset politike kanë përfundu me Vjenën. Krejt këto që janë më vonë janë të vogla, janë të përballueshme dhe nuk e cenojnë tërësinë territoriale, as institucionin, as karakterin unitar të Kushtetutës dhe të Republikës”, tha Haziri. “Përkundër qëndrimit tim, unë jam i prirur me e mbrojtë parimin e shumicës dhe platforma e LDK-së është e qartë në këtë drejtim, të cilën unë e mbështes deri në fund”.

Haziri qëndron për shkëmbim të territoreve

- Advertisement -

I pyetur nëse qëndron ende personalisht për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Haziri pohoi pa hezitim: “Gjithmonë. Unë nuk besoj që ndryshe mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme.”

Këtë tha se ia ka thënë edhe lidershipit të partisë “tash e dhjetë vjet”.

Ai tha se i subordinohet qëndrimit të shumicës, ndonëse nuk ka votuar pro platformës së LDK-së për dialogun, e cila e trajton me shqetësim shkëmbimin e territoreve, duke vlerësuar në parimet e saj mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.

“Në momentin që është votuar platforma e LDK-së – sepse unë s’e kam votu, e ka votu shumica – unë prej asaj dite nuk e kam ndryshuar asnjëherë qëndrimin e shumicës politike, sepse kur shumica mendon se kjo është zgjidhja më e drejtë, atëherë unë i subordinohem me qëndrim politik, por deri atëherë të shohim”, është shprehur Haziri, duke shtuar se çështjet që aktualisht janë në tavolinën e dialogut mund të zgjidhen dhe se “mund të arrihet një momentum për një marrëveshje gjithpërfshirëse kurdo që bëhet ajo, qoftë në verë, qoftë në vjeshtë të vitit të ardhshëm.”

Haziri disa herë më parë e ka thënë dëshiron që kufiri me Serbinë të jetë në fshatin Ristovcë, që që nënkupton se Lugina e Preshevës do t’i bashkohej Kosovës. Në këmbim të saj, ai thotë se duhet dhënë Leposaviqi me 17 fshatra.

“Unë jam që në këtë njohje shqiptarët e Kosovës Lindore të përfshihen brenda Kosovës. Serbia ta merr Leposaviqin dhe 17 fshatra”, ka deklaruar Haziri.

Çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Numri dy në partinë më të vjetër në vend tha se të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është dakorduar të zgjiedhen në parimin e reciprocitetit.

“Te të drejtat e shqiptarëve në Luginë ose Kosovë lindore… tash është një dakordim mes Prishtinës dhe faktorit politik atje që reciprociteti me qenë njëri prej parimeve në dialog p.sh., ose në negociata nesër”.

Ai tha dakordimi mund të jetë që “çfarëdo që fitojnë në të ardhmën serbët e Kosovës, me fitu edhe shqiptarët në këto tri komuna që janë atje”.

Tetë çështje për t’u zgjidhur në dialog

Sipas Lutfi Hazirit, Kosova nuk ka çfarë humb në dialog dhe “nuk duhet me u frikësu me hy me i mbyllë çështjet e hapura.” Ai tha se “në dialog nuk shkohet me kushte”, pasi shtoi se në atë mënyrë nuk përfitohet asgjë.

Haziri konsideron që çështja e të pagjeturve është plaga më e madhe e cila duht të trajtohet me prioritet. Përveç kësaj, ai tha se janë edhe shtatë çështje tjera të cilat duhet të zgjidhen në raport negociator me Serbinë. “Nuk ka bisedime, nuk ka takime, po flasim për negociata”, thotë Haziri.

“Tetë çështje të cilat duhet me u barazu, duhet me ardhë në një dokument gjithpërfshirës, të pranueshëm për të dy palët, ku Serbisë i shkoqet faqja e parë e kushtetutës dje o largohen duart e gjata mbi territorin e Kosovës dhe i largohen ndikimet brenda komunitetit edhe në forma të ndryshme. Ndërsa Kosova e definon kufirin e vet dhe parimet që janë vendosë”, tha Haziri.

Haziri: Fjalën e fundit e jep kryetari i LDK-së dhe organet e partisë

Lutfi Haziri thotë se ai do të kontribuojë në detyrën e re dhe se LDK-ja do të ketë rol konstruktiv në Kuvend kur të sillet ndonjë marrëveshje me Serbinë.

“LDK-ja e ka platformën të cilën ne ia kemi ofruar Qeverisë. I kemi thënë, nëse mund të përvetësoni, gjithçka që ndodhet në këtë platformë mund ta merrni. Roli ynë në Kuvend do të jetë konstruktiv në realizimin e këtyre interesave, por nuk mund të vazhdojmë ta injorojmë problemin. Sepse nuk është politika e ‘stickers’-ave që mundet me e zgjidhë problemin”, tha Haziri.

Ai shtoi shton se fjalën e fundit lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, do ta kenë organet e LDK-së dhe kryetari i saj.

“Natyrisht që unë do të jem përgjegjës, por për LDK-në fjalën e fundit e jep kryetari i LDK-së dhe kryesia e LDK-së, organet e LDK-së. Janë deputetët të cilët do ta kenë fjalën, nëse arrihet deri te një marrëveshje gjithpërfshirëse eventuale të negociuar, në cilin format dhe në cilën rrugë ende nuk është zbardhur”, u shpreh nënkryetari i LDK-së.

Haziri pret zhvillime lidhur me çështjen e dialogut. Ai tha se presidenti francez, Emmanuel Macron do të ketë rol shumë më të madh në Ballkanin Perëndimor, në mungesë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel. Po ashtu, beson se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të aktivizohen edhe më shumë.

“Do të jetë njëra prej lokomotivave e BE-së në gjashtëmujorin e parë për një konferencë për Ballkanin. Iniciativa e madhe amerikane, jo vetëm me z. Escobar, i cili tash Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën e Serbinë si dialog e ka portfolio, po vazhdon mbi parimet ditore, po shkon drejt krijimit të një rrethane krejt tjetër”, tha ai.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit