12 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Historia e qelisë numër 26: Si arriti ish-i burgosuri të arratisej nga burgu famëkeq i Prishtinës

Rekomandime

Torturat dhe trajtimet çnjerëzore të shqiptarëve nga pushteti serb, po përcjellin kujtimet e çdo të mbijetuari nga ky regjim.

Burgu famkeq i Prishtinës nuk shërbeu vetëm për privimin nga liria, por edhe të burgosjes së ideve të veprimtarëve të atëhershëm politik. Përballja dhe lufta për liri, i kushtoi edhe Muhamer Shabanit, i cili ishte personi i parë dhe i vetëm që arriti të arratiset nga dhoma e tij e vogël.

- Advertisement -

Katër dekada më parë, ai arriti të dalë nga dritarja e qelisë me numër 26, përmes rretheve të batanijes përmes dritares, hekurat e së cilës i kishte prerë tinëz me një sharrë të vogël që familjarët ia kishin sjellur të fshehur në kuti majonezi.

Ish i burgosuri politik rrëfen për KosovaPress, vuajtjet brenda këtij burgu dhe përpjekjeve të tij që t’i përmbyllë trajtimet çnjerëzore që po i bëheshin.

Ishte vjeshta e vitit 1981 dhe si student në degën e pikturës, Muhameri kishte filluar të shoqërohej me ish-veprimtarë politik.

- Advertisement -

“Në vjeshtë 1981 rash në kontakt me Bajrush Xhemajlin, pa e ditur që ai ishte në ilegalitet dhe Ramadan Veliun, ishin në të njëjtën banesë, aty te Kodra e Diellit, jo larg shumë prej Menzës së Studentëve. Unë isha në konviktin numër 1, aty banonte një kushëri i imi në të njëjtën ndërtesë. Shkova në vizitë te ai edhe pastaj kështu ramë në kontakt, në bisedë me Bajrush Xhemajlin, Ramadan Veliun dhe pas shumë kontakteve, ne u thelluam dhe u njoftuam më mirë. Ata treguan që janë në ilegalitet dhe janë të ndjekur. Bajrushi ishte student në Mitrovicë, në degën e Xehtarisë. Ai ishte i kërkuar prej policisë, unë u afrova shumë me Bajrushin sa në vjeshtë më përjashtuan nga konvikti”, rrëfen Shabani.

Më vonë, Shabani kishte filluar edhe të banonte me Bajrushin. Ky i fundit i kishte lëvizjet e kufizuara dhe ai i ndihmonte për veshmbathje, libra dhe ushqim.

- Advertisement -

Po atë vjeshtë punohej që të sigurohej edhe teknika për shtypjen e revistës “Liria”. Mëngjesin e 14 dhjetorit të vitit 1982, të dy këta po kërkoheshin nga policia serbe.

“Kur shkova në akademi, mbrrijta pak me vonesë, interesant aty një fat i vogël. Se aty pak disa minuta përpara më kishin kërkuar policia, atë moment nuk më tregonte askush dhe të gjithë më shikonin diçka me habi. Edhe e vëreja që diçka po më shikojnë, ti kur e dinë nuk e ke qartësinë që të veproja në ndryshe… Edhe ai objekti ku kemi mbajtur dhe ka qenë Akademia e Arteve ka qenë aty afër shkolla e lartë edhe pasi është kryer ora kam shkuar te salla e pikturës…. Po iu them aty shokëve po u ndjej vetën shumë të plogësht, kisha pasur dëshirë të flej në atelie të pikturës. Edhe ata nuk po më tregojnë asgjë. U kry ajo, dhjetori, dita e shkurt dhe u nisa të shkoj në banesë”, shton Shabani për KosovaPress.

Pas përfundimit të orës, vazhdoi për në shtëpi, ndërkohë që rrugës po e ndiqte një person me pallto të gjatë. Ani pse me vete po mbante kartën e identifikimit me emër serb, nuk arriti t’i bindë që nuk ishte ai për të cilin kishin nisur kërkimet për arrestim.

“Jam ofruar te dera e hyrjes, dera kishte qenë e hapur edhe u mundova me mbyll, dera nuk po mbyllet kishte qenë si e nxjerrtë prej vendit. U mundova dy-tre herë ta mbyll, nuk po mbyllet, e lash ashtu, thash ku me ditë i zoti i shtëpisë paska punuar diçka aty. Kur jam ofruar te dera ka dalë polici me uniformë dhe me armë të gjatë. Edhe ai po dridhet dhe ma ka drejtuar pushkën në gjoksë dhe më tha mos leviz. I thash çfarë u bë, u bëra sikur nuk po e di se çka edhe automatikisht më ka shkuar mendja të paraqitem si person i rastit. Thash unë erdha të kërkoj banesë, çfarë u bë. Në atë moment kanë dalë edhe policët tjerë prej brenda, ata civilët edhe më kanë futur brenda dhe unë vazhdova të them që unë jam rastësisht këtu, jam student. Ata e kishin pasur fotografinë time, Bajrushin e kishin marrë paradite. Ata kishin qenë duke më kërkuar mua në qytet dhe akademi”, shprehet ai.

Nga aty Muhamerit ia lidhen duart dhe e dërguan në sekretariat. Në Burgun e Hetuesisë u mor në pyetje disa orë, kështu filloi të përjetojë edhe tortura.

“Natën e parë, menjëherë pas menate se di sa ka zgjat tortura, rrahje, me shkop të gomës duarve, këmbëve, fytyrës me shpulla dhe boksa. Më kanë bërë përshesh edhe dikur nuk e di në sa ora, pas mesnata vonë më kanë thirr gardianët edhe kanë ardhur dy gardianë më kanë marrë për krahu, nuk kam mund këmbët me i shti në këpucë, gati zhag më kanë dërguar atje në qeli. Fillimisht më kanë kontrolluar, mi kanë heq rrobat me pa nëse kam diçka para se me më fut në qeli. Edhe më kanë dërguar në qelinë numër 3, aty ishte vetëm një i burgosur, aty ka qenë shumë special dhoma me kushtet më të këqija që kanë ekzistuar në Burgun e Prishtinës. Shtrat nuk ka pasur hiç, ka qenë një dërrasë dhe me batanije për tu mbuluar”, tregon Muhameri.

Edhe për gjatë hetimeve, Shabani kishte përjetuar torturë e dhunë që nuk do t’i harrojë asnjëherë.

Ish-aktivisti politik rrëfen se që nga dita e parë brenda mureve të larta të Burgut të Prishtinës, kishte menduar se si të dilte nga burgu.

“Prej ditës të parë kur kam dalë në shëtitore kam nis të shoh terrenin se çfarë mund të bëjë. Prej fillimit e kam pasur idenë se si. Në fillim ideja ka qenë që të kidnapojmë gardianin, kur të vijnë për të na sjellur ushqimin ose kur të vijnë për të na dërguar që të kapin gardianin me lidh dhe me ja marrë çelësat, uniformën. Por ajo ka qenë shumë problem edhe për ata kolegët. Kur më dërguan në dhomën 26 prej ku kam ikur, kur shkova aty e takova Martin Qunin… Zeneli i Fushë Kosovës ka qenë i dënuar me 15 vjet vrasje, një djalë i ri 22-23 vjeç”, rrëfen mes tjerash ai.

Nga një i burgosur tjetër, e mori idenë se si të kontaktojë me familjarët përmes faculetave. Kështu e planifikoi edhe idenë për arratisje, por për këtë i nevojitej ndihma e familjes. Në një nga vizitat që takoi babin e tij, Muhameri ia dha sinjalet që po kërkonte diçka nga ta.

“Mua më lindi ideja menjëherë, kur e pash majonezën, thash këtu njeri mundet me fut një gjysmë sharre, me hap prapa dhe me shti një gjysmë sharre. Idenë për komunikim e kisha marrë, ky që ma dërgoi majonezën. Krejt idetë kanë ardh prej jashtë, prej të tjerëve. Edhe tash e mora letrën edhe po i shkruaj familjes që të më qojnë dy majoneza, le ta marrin një gjysmë sharre dhe ta thejnë përgjysmë me shti në majonez dhe të ma sjellin në burg… (36:40) Ti po e shkruan letrën, por si me ju tregua atyre si me pa letrën. Edhe tash baba ishte në vizitë 10 minuta. Po e shfrytëzova prej distancës, ishte afruar te grrilat, unë duke u ofruar i kam nxjerrë pak brekët dhe me dorë po ja bëjë prej së largëti. Edhe ja dhash sinjalin se diçka ka në brekë”, thekson Shabani.

Ani pse me vështirësi, familjarët morën sinjalet e Muhamerit. Kështu në vizitën e radhës ia kishin sjellur sharrën të kamufluar në pako të majonezit. Të nesërmen nuk doli në shëtitore dhe provoi se a do të kryenin punë mjetet që u sollën nga shtëpia. Shoku i dhomës, Martini u rikthye me shpejtësi në dhomë për të treguar se sharra po dëgjohej nga jashtë.

Muhameri tregon se kështu kishin planifikuar që të punohet vetëm kur është koha me shi dhe bubullimë natën.

“Në vend të Mehmetit e sollën Radën, ishte serb romë i Ferizajt e folke shqipen më mirë se na. 26 vjeçar, 13 vjet i kishte kaluar në burg, llogaritë çfarë specialisti, ai e kishte thyer burgun e Ferizajt, e kishte hapur dritaren apo derën dhe të burgosurit nuk kishin ikur. Rada nuk e dinte që po e dënojnë…edhe në fillim rrinte qetë, thoshte kryhet gjykimi edhe po shkoj në shtëpi. U kry gjykimi i mori pesë vjet burg, u tranu krejt. Edhe veç në gjumë, i pinte do hapa të forta për gjumë, kur u zgjonte si i trent, hajde me ikë prej burgut, nuk kam kohë shumë thoshte, me i thonë motrës me ma shtu sharrën në këpuca. Ne veç e kishim shti sharrën nën dyshek. Edhe një ditë po bisedojmë më Martinin, edhe po i besojmë Radën”, shton ai.

Muhameri bashkë më Martinin e njoftuan Radën që sharrën e ka nën dyshek dhe se plani ishte të punohet vetëm natën me shi.

Shabani rrëfen se po nga ajo ditë po torturohej e po merrej në pyetje për veprimtarë të tjerë politik. Në hetuesi ishte pyetur edhe nëse e ka në plan të arratisej, ani pse nuk e kishte mohuar. Para hetuesve kishte thënë se e ka të pamundur të kalonte jashtë mureve e telave me gjemba.

“Unë fillova të bëjë edhe si grevë urie, nuk e merrja ushqimin, humba në peshë u bëra pak më mirë që të kalojë prej dritares, si rasisht edhe ajo. U ndërprenë ato hetimet deri në fund të javës, me Radën u bë qielli si i gatshëm edhe po thojmë sonte po punojmë. Edhe kemi fillur ta premë hekurin, atë horizontalin që e pata fillu në fillim kur më erdhi sharra, e kam pre gati që se kam këput, shumë shpejt e kam pre. Shiu na tradhtojë u qetësua shumë shpejt koha edhe u desht me ndërpre punën. Edhe e kemi maskuar prapë hekurin që e kemi prerë”, vazhdon të rrëfejë Muhameri.

Pas tri ditëve, e largojnë Radën nga burgu, siç rrëfen Muhameri, atë kohë po frikësohej se do ta lajmëronte atë për planin që kishte për arratisje nga burgu. Në qelinë numër 26, e kishin sjellur sërish një rom-serb.

Një javë pas, sërish qielli po errësohej, gati të binte shi. Ai tregon për KosovaPress, se i kishin futur këpucët brenda në dhomë së bashku me Martinin.

“Ne tërë kohën sa herë na vinin batanijet e i ndërronin ato, iu heqnin rrethin dhe i patëm shky jogun dhe i futshim në jogat. I kemi ruajtur dhe e patëm bërë një sasi të madhe dhe u patëm përgatit me Radën para se ai me dal, patëm filluar me përgatit litarin. Por edhe një natë para se me dal, mbet Martini me Ilazin që ta punojnë litarin e unë e kam marrë qypin që e kemi pasur për nevoja fiziologjike në dhomë, e kam marrë atë dhe kam hypur që ta bëjë nivelin edhe e kam prerë hekurin e dytë, por edhe tjetrin e kam këput. Edhe unë duke punuar, e kam kthyer kokën, i riu që kishte ardhur e kishte vendosur veshin në muri dhe ishte duke më pëcjellur edhe mua, po më thotë ‘puno, puno se nuk ka asgjë’. Edhe ai po solidarizohet”, shton Shabani duke treguar detaje të ikjes nga burgu, natën e 14 gushtit.

Më tej, rrëfen se si arritën t’i prenë hekurat dhe të dalin jashtë dritares.

“E kemi qu hekurin deri me një masë, edhe hajde po e provojmë me hi unë aty, hic nuk mujshem se nuk po muj me kalu, hekuri nuk po qohet boll. Edhe kena livrit ne aty edhe përfundi neve ka pas n aftë dhe kur bijke malteri ka bërë zhurmë shumë. Por ne kemi pasur shumë fat…jemi munduar disa herë që të provojmë me dal. Patëm bërë një thikë prej lugës, nuk prejke ishte bërë druri kocë. Duke provuar dhe filluam të shkëndim edhe u këput, Martini e kapi i mbeti si kryq në dorë dhe filluam të qeshnim, po thojmë tash qysh e ngjesim. Po provoj me dal, më kanë shtyrë prej prapa e kam qit kokën jashtë, cfarë qetësie, si natë varri. Gardiani nuk ishte fare aty…. Prej dritares isht përmbi kulm, Martini ma ka dhënë litarin, duke e vendosur rreth oxhakut Martini arriti. Përmbi kulm ka qenë si mur , përjashta ka qenë një strehë rreth nivelit kulmit. Martinit i them mbaje litarin pëembi mur dhe po kapna e lëshohem poshtë. Jam lëshuar si ballkon kam shkel edhe prej atyre në dritare të koridorit, prej atyre kam filluar të lëshohem, filloi të krijohet distancë dhe litari filloi t’hollohet, u këput dhe rash me shpindë”, tregon Shabani.

Pasi ra në tokë, Muhamerit i duket se kërsiti dera dhe nuk lëviz nga vendi. Martin Quni u zbulua nga një gardian serb duke e ndihmuar atë që të largohej nga burgu.

“I kam kalua ato grilat në atë oborrin e sekretariatit e burgut dhe duke u fshehur pas veturave dhe po punon ai rojtari dhe ma kishte kthyer shpinën. Kam dalë në oborr dhe po e shoh hyrjen e burgut, aty një dritë. Po shoh anën e majtë ka qennë gjyqi, po shkoj anej. Edhe kam hecur anej, përmbi veturat ngjiit me barakut, përmb baraka muri që ndan pëjashta. Edhe e kam nxjerrë kokën ka hyrja e burgut, nuk ka qenë asnjë njeri edhe e kam kcyer murin”, thekson ai.

Natën e 14 gushtit të vitit 1983, ai vazhdoi rrugën në lagjet e Prishtinës, ku u ballafaqua edhe me një rrezik tjetër. Pranë parkut të qytetit pa një veturë me policë serbë dhe vrapoi nën hijen e shtëpive. Policët nuk arritën ta shohën dhe vazhdoi ecjen sërish.

Muhamerit, të cilit iu ndërpren studimet në degën e pikturës, me shumë vështirësi u arratis në Zvicër. Për vendin ku ai u torturua dhe për përjetimet brenda burgut, sot mund të shohin e dëgjojnë shumë gjenerata.

Koordinati i Burgut të Idealit, Emin Sallahu tregon për KosovaPress, se këtu janë të mbledhura të gjitha kujtimet e torturave në gjenerata të ndryshme që nga vitet e 50-ta, deri në çlirimin e Kosovës.

“Rëndësia e hapjes së këtij muzeu, për nga natyra e tillë në Kosovë është që të mblidhen të gjitha kujtimet nga e kaluara e afërt e popullit tonë që ka kaluar nëpërmjët një procesi të torturave ndër gjenerata të ndryshme nga pushteti i atëhershëm jugosllav. Duke e paraqitur në forma të ndryshme të kaluarën e afërme, nëpërmjet kujtimeve dhe materialeve, të cilat shpresojmë që do t’i grumbullojmë në të ardhmen e afërt në muzeun e Burgut të Prishtinës, gjegjësisht arkivin e burgut që do të jetë aktiv për gjatë tërë kohës”, deklaron për KosovaPress.

Në këtë burg të kthyer këtë verë në muze, Sallahu thotë se nxirren në pah vuajtjet e dikurshme të shqiptarëve nga regjimi serb.

“Të burgosurit jo vetëm në Burgun e Prishtinës, i cili është hapur në vitet e 50-ta edhe ka qenë funksional deri në vitin 2015 pas clirimit dhe përfundimisht është mbyllur, që nga fillimi e deri në vitin 1999, të burgosit sidomos ata politik, për shkak të veprimtarive të tyre politike të cilët janë organizuar nëpërmjet organizatave të atëhershme, ata janë ndjekur, përndjekur, burgosur e torturuar dhe janë dënuar me vite të tëra të cilët pas një procesi të marrjes në poyetje në Burgun Hetues, janë shpërndarë anë e kënd në burgun e Jugosllavisë”, përfundon Sallahu.

Në muzeun “Burgu i Idealit”, janë të paraqitura edhe veprat e katër të burgosurve politikë gjatë qëndrimit të tyre në burgje.

Dyert e muzeut në Prishtinë janë të hapur nga e marta deri të shtunën.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit