7.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Ish-ambasadori, partive opozitare: Votojeni Vjosa Osmanin për presidente ose do ta harroni ndëshkimin historik të 14 shkurtit

Rekomandime

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ka kërkuar që të respektohet vullneti i mbi 300 mijë qytetarëve që e votuan në zgjedhjet e 14 shkurtit, që Vjosa Osmani të votohet si presidente e Kosovës.

- Advertisement -

Lauka i ka quajtur të pabaza pretendimet e opozitës së re për ndarjen e pushtetit, duke ia ofruar asaj postin e presidentit, gjoja, për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e Vetëvendosjes.

Sipas ish-ambasadorit Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, bashkohen sot politikisht në prioritetet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, por ideologjikisht, u takojnë kampeve të ndryshme, pasi Kurti është i pozicionuar në qendrën e majtë, ndërsa Osmani në të djathtën.

Lauka ka kërkuar nga partitë opozitare, që ta votojnë Osmanin për presidente, në të kundërtën, partitë e “vjetra” do ta harrojnë ndëshkimin e 14 shkurtit, duke rrezikuar degradimin në “parti analistësh”.

- Advertisement -

Postimi i plotë i Laukës në Facebook:

Të respektohet verdikti i popullit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës

- Advertisement -

Në referendumin e 14 shkurtit 2021, Vjosa Osmani mori pjesë si kandidate për deputete dhe për presidente të Kosovës. Verdikti popullor e ngriti atë në piedestalin e njeriut më të votuar në historinë e zgjedhjeve të Kosovës, që kur ato u organizuan me lista të hapura.

Në këtë kontekst, duken të paqëndrueshme “argumentet” e disa partive të vjetra të opozitës së re se “Vjosa Osmani nuk përfaqëson vullnetin e popullit”, se ajo na qenka “përçarëse”, etj. Në demokraci matësi më i saktë dhe objektiv i vullnetit të popullit është referendumi, siç ishte ai i 14 shkurtit. Apo për to nuk ka rëndësi vullneti i mbi 300 mijë qytetarëve të Kosovës, në mbështetje të Vjosa Osmanit? Një përkrahje të tillë mbarëpopullore nuk ka arritur ta sigurojë asnjë prej ish-presidentëve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Apo kërkohet të vazhdohet loja e vjetër e shfrytëzimit të zgjedhjes së presidentit si instrument për realizimin e interesave të ngushta partiake e personale, në dëm të interesave të Kosovës, duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve të saj? Se çfarë pasojash të rënda solli shtrembërimi i vullnetit të popullit, të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, tashmë dihet. Edhe atëherë qytetarët e Kosovës patën votuar që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të qeverisnin së bashku në koalicion, por makinacionet e Isa Mustafës dhe ish-presidentit Thaçi e tjetërsuan vullnetin e tyre dhe rikthyen në pushtet PLAN-in.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, sovrani përsëriti të njëjtin verdikt, me të njëjtën gjuhë, por shumë më qartë e më kumbueshëm për ata që kanë sy të shohin e veshë të dëgjojnë: Kosovës i duhet një standard i ri qeverisjeje dhe bartës e zbatues të këtij standardi duhet të jenë Albin Kurti si kryeministër dhe Vjosa Osmani si presidente.

Të pabaza janë edhe pretendimet e opozitës së re për ndarjen e pushtetit, duke ia ofruar asaj postin e presidentit, gjoja, për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e Vetëvendosjes. Me aq sa i njoh unë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, ata vërtet bashkohen sot politikisht në prioritetet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, por ideologjikisht, u takojnë kampeve të ndryshme: Kurti është i pozicionuar në qendrën e majtë, ndërsa Osmani në të djathtën.

Ditët në vijim do të jenë vendimtare për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Edhe kështu, kemi humbur mjaft. Kosova ka nevojë jetike për stabilitet politik dhe për reforma të thella në drejtësi, punësim, shëndetësi, arsim. Por edhe për reformim të partive të vjetra, tashmë në opozitë. Ky është njëri ndër mesazhet kryesore të referendumit të 14 shkurtit.

Shenja e parë domethënëse që ato e kanë kuptuar drejt këtë mesazh është votimi pro kandidaturës së Vjosa Osmanit për t`u zgjedhur presidente e Kosovës. Në të kundërt, pra, në qoftë se përsëritet përpjekja për nëpërkëmbjen dhe shtrembërimin e vullnetit të popullit, partitë e vjetra, me siguri, do ta harrojnë ndëshkimin historik të 14 shkurti, duke rrezikuar seriozisht që të degradojnë në parti analistësh, siç ka ndodhur më parë me ndonjë parti simotër të tyre (PSD).

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit