Ky artikull frymëzues për herë të parë u botua në revistën “Reader’s Digest” disa vite më parë. Bëhej fjalë për historinë e një mësueseje të jashtëzakonshme, Helen Mrosla, e cila ia arriti që t’i bënte nxënësit e saj të besonin te vetja vetëm me një veprim.
Sot, po e shpërndajmë me ju këtë mësim kaq të vyer, i cili nuk do t’ju lërë dhe aq indiferentë.
Një ditë, një mësuese matematike nga Minnesota përgatiti për nxënësit e saj një mësim shumë interesant. Ajo u kërkoi nxënësve të rendisnin në një copë letër emrat e të gjithë shokëve të klasës. Më pas u kërkoi që të mendonin për gjënë më të bukur për secilin prej shokëve dhe ta shkruanin përkrah emrit të tyre.
Në fund të mësimit, çdo nxënës mbante në dorë letrën e vet. Ishte e premte. Gjatë fundjavës mësuesja lexoi të gjitha fletët. Emrin e secilit nxënës e shkroi në një fletë të veçantë dhe bashkoi të gjitha mendimet e bukura që kishin shkruar fëmijët. Të hënën tjetër i dha çdo nxënësi letrën e vet.
Fëmijët ishin kaq shumë të kënaqur sa klasa gumëzhinte nga komentet: “Me të vërtetë mendojnë shokët kështu për mua?!” “Nuk e dija se ndokush do më pëlqente kaq shumë!”. Ata nuk i diskutuan rezultatet gjatë orës së mësimit, por mësuesja e dinte se ia kishte arritur qëllimit të saj. Nxënësit besonin në vetvete.
3Vite më pas, një nga këta nxënës, Mark Eklund, u vra në Vietnam. Funerali u mbajt në Minnesota, kështu që shumica e shokëve të klasës së Markut bashkë me mësuesen ishin të pranishëm në ceremoninë mortore.
Pas funeralit, shumica e shokëve të klasës u mblodhën në shtëpinë e tij bashkë me mësuesen Helen Mrosla. Prindërit e Markut ishin aty duke pritur ngushëllimet dhe babai i tij i tha mësueses: “Duam të të tregojmë diçka” – dhe nxori nga portofoli një copë letër të palosur. “Ia gjetën këtë letër Markut ditën kur u vra. Faleminderit shumë për këtë që keni bërë. Siç mund ta shihni, Marku e ka ruajtur si një thesar të çmuar.”
“E dija pa e parë fare se letra ishte ajo e shumë viteve më parë, në të cilën kisha renditur të gjitha gjërat e bukura që çdo shok i Markut kishte shkruar për të”, – tha mësuesja në një intervistë. “Në atë moment, ish-nxënësit e mi, që ishin të pranishëm në shtëpinë e Markut filluan të nxirrnin nga portofolët letrat e tyre.
Charlie më buzëqeshi dhe më tha se e mbante listën e tij në tavolinën e punës. Ndërsa gruaja e Chuck-ut tha se kjo letër ishte në faqen e parë të albumit të fotografive të dasmës së tyre. Pothuajse të gjithë nxënësit e kanë ruajtur letrën e tyre.
Ishte i vetmi moment kur u ula dhe fillova të qaj. Qava për Markun dhe për të gjithë shokët e tij që nuk do ta shihnin më kurrë atë. Jemi kaq shumë të ngarkuar me ritmin e ditës dhe i përkushtohemi kaq shumë detyrimeve tona, saqë harrojmë se një ditë do të vdesim. Dhe nuk e dimë se kur do të vijë kjo ditë.
Ndaj, ju lutem, thuajini njerëzve që doni dhe i keni për zemër se sa të veçantë dhe të rëndësishëm janë për ju. Thuajani para se të jetë shumë vonë.”.