1.4 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë: Gylenistët mund të jenë kërcënim edhe për Kosovën

Rekomandime

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar tha në Prishtinë se Lëvizja Hizmet e klerikut Fetullah Gulen, mund të paraqesë kërcënim për shtetin e Kosovës. Turqia i referohet kësaj lëvizjeje me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

Gjatë një konference për media së bashku me homologun e tij kosovar, Akar tha se me palën kosovare kanë takime edhe për çështjen e Lëvizjes Hizmet dhe se Turqia pret “hapa konkretë” në këtë drejtim.

- Advertisement -

“Kjo çështje nuk është kërcënuese vetëm për shtetin tonë, por mund të jetë kërcënuese edhe për shtetin e Kosovës. Në këtë aspekt, nga miqtë tanë kosovarë dhe nga institucionet kosovare po presim të ndërmerren hapa konkretë”, tha ministri turk.

Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Arrestimit dhe dëbimit i ka paraprirë revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit në Kosovë. Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

- Advertisement -

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje. Ankaraja e ka shpallur terroriste lëvizjen “Hizmet” në maj të vitit 2016, duke i akuzuar mbështetësit e saj për përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke.

Gulen ka qenë aleat i presidentit aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deri në vitin 2013. Në atë kohë, policë dhe prokurorë që janë parë si përkrahës të Gulenit, kanë hapur hetime për korrupsion në rrethin e ngushtë të Erdoganit. Erdogan ka thënë se Gulen ka bërë komplot për ta rrëzuar Qeverinë e tij në vitin 2016, duke ndërtuar një rrjet mbështetësish në media, gjyqësor dhe arsim, që do të ngriheshin kundër tij. Gulen i ka hedhur poshtë këto akuza.

- Advertisement -

Që nga puçi i dështuar, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra njerëz, nën dyshimet se kanë lidhje me Gulenin.

Mehaj: Turqia kontribuon në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së
Ndërkaq, sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se ky proces është i rëndësishëm, duke shtuar se Turqia po përcjellë nga afër edhe zhvillimet e tjera në rajon “në mënyrë që të krijohet stabilitet dhe paqe”.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj e falënderoi Turqinë për mbështetjen që i ofron në aspektin e mbrojtjes.

“Sa i përket çështjeve të mbrojtjes, Republika e Turqisë është një prej kontribuueseve më të rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, e ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, tha Mehaj.

Ai shtoi se aktualisht janë 19 pjesëtarë të FSK-së që po trajnohen në akademitë e mbrojtjes në Turqi dhe se trajnime e stërvitje të tjera do të ketë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Mbështetja e Turqisë për FSK-në
Turqia vitet e fundit ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryesisht përmes donacioneve. Radio Evropa e Lirë raportoi në korrik se FSK-ja merr rreth 100 milionë lira turke në vit si donacion, e të cilat i shfrytëzon për të kontraktuar blerjen e pajisjeve ushtarake po ashtu nga Turqia.

Kosova po ashtu ka nënshkruar një kontratë me shtetin turk për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje armatimi.

Katër automjete do të jenë të tipit Vuran me tërheqje 4×4, ndërkaq dhjetë të tjera të së njëjtës kompani, por të tipit KIPRi, të pajisura me armatime. Automjetet Vuran prodhohen nga kompania komerciale turke për makina ushtarake, BMC Otomotiv në bashkëpunim me firmën më të madhe për pajisjet e mbrojtjes, Aselsan. Më herët Turqia i ka dhuruar FSK-së si donacion automjete të blinduara të tipit Cobra. Ndërkohë që gjatë tre vjetëve, FSK-ja ka siguruar pajisje individuale, në vlerën e donacioneve vjetore që i jep shteti turk.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit