13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nisin hetimet për tenderët e dyshimtë të dhënë në kohën e Arben Vitisë

Rekomandime

Disa kontrata të prokurimit publik të iniciuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë periudhës së ish-ministrit Arben Vitia, janë nën hetime nga Prokuroria e Shtetit.

- Advertisement -

Tenderët, për të cilat raportoi Gazeta Insajderi në fillimin e fazës së pandemisë në Kosovë rreth gjashtë muaj më parë, e implikojnë Ministrinë e Shëndetësisë në procedura të dyshimta të prokurimit për disa kontrata të lidhura me firma private.

Përmes një serie shkrimesh, Insajderi ka dëshmuar se si përmes procedurave emergjente nga zyra e prokurimit të MSh-së, fituan kontrata të majme kompani të afërta me ish-ministrin Vitia e firma të mistershme, të cilat sipas të dhënave publike, gjatë asaj kohe kishin më pak se tre punëtorë të regjistruar.

Lidhur me këto kontrata të dyshimta, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar zhvillimin e hetimeve gjatë muajit tetor.

- Advertisement -

“Ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rast për zhvillimin e hetimeve”, ka thënë të martën Laura Ulaj, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për Express.

Siçr kishte raportuar Insajderi, në mesin e tre përfituesve të një kontrate të Ministrisë së Shëndetësisë që peshonte gati gjysmë-milioni euro, ishte edhe një firmë private e lidhur ngushtë me Arben Vitinë, ish-udhëheqësin e këtij dikasteri qeveritar.

- Advertisement -

Firma private farmaceutike “Agani Ltd”, në të cilën ish-ministri Vitia kishte punuar për tri vite, mori hise të konsiderueshme nga një tender për furnizim emergjent me barna.

“Agani Ltd” është njëra nga tri firmat përfituese të tenderit të emërtuar: “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-virus”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 439 mijë (439.900,00) eurove.

Më 10 prill të këtij viti, kjo kompani private ishte përzgjedhur fituese e lotit 31 të tenderit, të vlefshëm 16 mijë (16.055,00) euro.

Po ashtu, Insajderi kishte gjetur se biznesmeni i akuzuar për mashtrim, Armend Agani, negocioi në emër të kompanisë farmaceutike “Agani Ltd” për këtë kontratë.

Ai kishte mbajtur pjesën më të madhe të aksioneve në “Agani Ltd” deri më 27 prill të vitit të kaluar, kur kishte hequr dorë nga aksionet e firmës, dy javë pasi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës. Aksionet ia kishte bartur djalit të tij, Don Aganit.

Një shkrim tjetër i Insajderit, hodhi dritë mbi një kompani që përfitoi rreth dy milionë euro kontrata të prokurimit publik nga Ministria e Shëndetësisë brenda disa javësh në katër muajt e parë të vitit 2020.

Kompania “LEGO SHPK”, vetëm gjatë muajit prill kishte dal fituese e disa kontratave të iniciuara nga MSh-ja . Në vlerë 1,716,492.00 euro, kësaj kompanie iu është dhënë për furnizim emergjent për Covid 19 me maska. Kurse kontratat tjera vijonë nga 151,250.00 euro deri tek shuma më e vogël në 11,200.00 për pasijet e tjera mjekësore dhe higjenike.

‘Lego SHPK’, në bazë të konfigurimit në Agjencinë e regjistrimit të bizneseve në Kosovë(ARBK), është kompani me përgjegjësi të kufizuar, e cila vepron me dy punëtorë dhe ka kapital financiar prej 1,000.00 eurosh.

Kjo kompani kishte arritur që t’i nënshkruante dhjetë kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë vetëm gjatë muajit prill, për furnizime emergjente me maska. Një maskë ka kushtuar mbi 7 euro.

Kompania del që një kohë ishte në pronësi të Elbasan Vilaku, por aktualisht është në pronësi të Fëllënza Abazi. Ka shumë pak të dhëna publike për pronarët e kompanisë.

Tenderë nga kjo Ministria e Shëndetësisë, në kohën kur ky dikaster udhëhiqej nga Arben Vitia, kishte fituar edhe kompania “Liri-Med”, e cila ishte përmendur në aktakuzën kundër grupit të Ilir Tolajt, ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë. Tolaj do të shpallej i pafajshëm nga ky proces.

Kompania të cilën ai e drejton, ka përfituar kontrata milionëshe nga prokurimet publike. Pjesën më të madhe të kontratave i ka lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë.

Vetëm gjatë periudhës së Arben Vitisë në krye të MSh-së, “Liri-Med” kishte përfituar gati gjysmë milioni euro nga kontratat e lidhura me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor të Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit