Presidenti Volodymyr Zelenskiy u bëri thirrje të hënën zyrtarëve shtetërorë, politikanëve dhe liderëve të biznesit që janë larguar së fundi nga vendi të kthehen në Ukrainë brenda 24 orëve për të treguar unitet me kombin mes frikës së një pushtimi të afërt rus.
“Është detyra juaj e drejtpërdrejtë në një situatë të tillë të jeni me ne, me popullin ukrainas. Unë sugjeroj që të ktheheni në atdheun tuaj brenda 24 orëve dhe të qëndroni krah për krah me ushtrinë ukrainase, diplomacinë tonë dhe popullin tonë” thuhet në një fjalim të Presidentit Zelensky të regjistruar në video.
Mediat ukrainase raportuan se disa ligjvënës dhe biznesmenë të shquar ishin larguar nga vendi fundjavën e kaluar pasi Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vendet e tjera perëndimore këshilluan qytetarët e tyre të largoheshin urgjentisht nga Ukraina.
“Kthehuni te populli juaj dhe te vendi juaj, i cili ishte burimi i biznesit dhe pasurive tuaja,” tha zoti Zelenskiy.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar që nga e premtja se një sulm mund të ndodhë çdo ditë.
“Na është thënë se 16 shkurti do të jetë dita e sulmit, por ne do ta bëjmë atë ditë uniteti”, tha presidenti Zelenskiy