20.3 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Profa misterioz që bëri kërdi me 83 nota 1-sh: Zbulohen detaje të çuditshme e të pathëna

Rekomandime

Sistemi arsimor në Kosovë vazhdon të prodhojë tema të nxehta, ose deridiku të nxehta, në debatin publik.

Së fundi, u propozua madje edhe heqja e shkronjës Ë që po shkaktonte shumë probleme në të shkruar te shqiptarët e Kosovës, por kjo u kundërshtua rreptë nga kryeakademiku Mehmet Kraja. E edhe më së fundi, një profesor i ngeli 83 maturantë.

- Advertisement -

Profesori pejan me emrin Shemsedin Haxhijaj (rreth 55 vjeçar) ka dalë të jetë problem i madh për 83 nxënës të shkollës së mesme “Ali Hadri” në Pejë.

Haxhijaj duket i pakompromis për mënyrën se si i menaxhon gjërat dhe për atë se sa duhet të jetë i përgatitur një nxënës për të merituar qoftë një ‘dysh të lodhtë’, që ndodh se një profesor e dhuron veç pse nxënësi është prezent në çdo orë dhe nuk bën mungesa.

Mirëpo, jo Haxhijaj, i cili është i vendosur të blindojë veten nga bota e civilizimit virtual për arsye misterioze.

- Advertisement -

Duke qenë pa përfaqësim në rrjetet sociale, ai ka evituar komente si ky më poshtë i Milaim Zekës, i cili ka kërkuar që profesori në fjalë të “dërgohet në Shtime”, qartazi duke iu referuar Qendrës Integruese Rehabilituese të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë që ndodhet në këtë qytezë.

Të shumta kanë qenë reagimet prej kur mori përmasa mediatike rasti në fjalë, madje me drejtorin e shkollës “Ali Hadri” që pati një reagim tejet interesant rreth ngjarjes.

- Advertisement -

Ky punon shumë, po rezultat nuk po jep”, thotë Arif Ademaj në paraqitjen televizive për Klanin.

“I kom tërhekë vërejtjen se kjo nuk bon, nuk po ec… a pe sheh”, thotë tutje ai, pa dhënë detaje për mënyrën si ka ardhur deri te ky vlerësim i profesorit apo për çka realisht i është tërhequr vërejtja punonjësit arsimor.

Interesante është edhe përmbajtja e ankesës së parashtruar nga kryetari i Këshillit të Nxënësve të Shkollës, Orines Gashi, të cilën e ka siguruar Nacionale.

“Duke e ditur historikun e profesorit në fjalë se si ai i lë gjithnjë 90% të nxënësve në riprovime, deri në afatin e dytë e që në fund shumica, mos të themi të gjithë e kalojnë, me ose pa meritë dhe arrijnë të marrin atë notën kaluese, me fjalë të profesorit apo pa, atëherë ne të gjithë maturantët e Shkollës ‘Ali Hadri’, kërkojmë që sa më parë të merren masa në raport me profesorin nga DKA (Drejtoria Komunale e Arsimit)”, shkruhet ndër tjerash, në ankesën e kryetarit të këshillit të nxënësve të shkollës, Orines Gashi, dhe kryetarit të këshillit të prindërve, Driton Gashi.

Është një ankesë e krijuar në formën e shkruar, të cilën mund ta shihni më poshtë, e që përmban përplot gabime drejtshkrimore, për t’i dhënë një pikë profës në “luftën nxënës-profesor”, se ndoshta disa ose të gjithë prej atyre që kanë mbetur në provim njëmend e meritojnë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, sipas ekspertit të arsimit, Rinor Qehaja, një rast si ky i shkollës “Ali Hadri” hedh dritë në një problem shumë më të madh në sistemin arsimor kosovar.

“Rasti si ky na rikujton sa i pabesueshëm është vlerësimi i brendshëm i nxënësve në shkolla. Mungesa e një vlerësimi të standardizuar të nxënësve sjell situata në të cilat mësimdhënësi vlerëson më subjektivisht larg kërkesave të nxënësit në dëm të nxënësit, dhe kjo për të dy ekstremet, atë të një note të mirë, që krijon iluzionin e të qenit nxënës i mirë, dhe të një note jo të mirë që dekurajon nxënësin”, thotë Qehaja.

Orinesi është nxënës me nota të shkëlqyeshme në lëndët tjera, por thotë se suksesi i tij i përgjithshëm po del të jetë “shumë mirë”, për shkak se mënyra e vlerësimit në sistemin kosovar të arsimit nuk ia mundëson suksesin e “shkëlqyeshëm”, në rast se ai ka qoftë edhe vetëm një njësh.

“Pak a shumë m’u ka hakmarrë (që ma ka lënë njësh profesori Haxhijaj) për shkak se jam anku konstant për të”, thotë ai.

Por, për të qartësuar konfuzitetin e kahmotshëm e të përvitshëm në shkollat kosovare: Nëse një nxënës i ka notat e tjera 5 (pesëshe), a duhet që profesori i një lënde në këtë rast t’i japë notë kaluese, duke u bazuar vetëm në notat e lëndëve të tjera?

Epo, jo, sipas Qehajës.

“Vlerësimi i nxënësve bëhet i pavarur për lëndë kurrikulare, jo i ndikuar nga vlerësimi i lëndëve tjera. Praktika në të cilat mësimdhëniet në emër të kinse mëshirës ndaj nxënësit japin vlerësim jo real janë të dëmshme për vetë nxënësin pikë së pari. Mësimdhënësit duhet të jenë të pandikuar në vlerësimin e tyre, nëse e njëjta kontestohet, sikurse të përcaktuar edhe me legjislacion, vlerësimi i nxënësve me komision është një mundësi për të dëshmuar ndryshe.“

I pyetur nëse është ndonjë nxënës që është vlerësuar me notën 5 (pesëshe) nga profesori në fjalë, Orinesi pati një përgjigje të prerë:

“Jo, as s’ka ndodhë, as s’do të ndodhë.”

Edhe Graniti, i cili ka dhjetë vjet që ka përfunduar shkollën në “Ali Hadri” dhe ka pasur punë me të njëjtin profesor, tha se edhe para dhjetë vjetësh numri i madh i njëshave ka qenë gjë e zakonshme për Haxhijajn.

“Edhe në kohën kur kam qenë unë ka pasë njësha njëjtë. Veç që s’u bo e madhe.”

Mirëpo, ai tutje potencoi se ka mjaftuar që nxënësit të mos mungonin në orën e mësimit të tij, për të siguruar një note kaluese, gjë me të cilën nuk u pajtua Orinesi se gjen praktikë edhe në kohën aktuale.

Ndërkohë, udhëheqësi i Sektorit të Inspektimit të Arsimit në Pejë, Fadil Kelmendi, ka thënë se së shpejti do të fillojnë procedurat rreth rastit.

“Të premten pasdite diku nga ora 16:30 kam pranuar një ankesë nga Këshilli i nxënësve të Kosovës dhe atë përmes Inspektoratit të Arsimit në MASHTI për rastin që po flisni! Kisha parashikuar për sot të merremi me rastin por shkollat sot nuk po punojnë, ndërsa nesër është testi i arritshmërisë! Nesër pasdite apo eventualisht pasnesër, Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Pejë do të merret me këtë rast dhe do të dalë me rekomadime!”, thotë për redaksinë e Nacionales, z. Kelmendi.

Në krejt këtë situatë, duket jashtëzakonisht e vështirë të drejtohet gishti i fajit te ndonjë palë, marrë parasysh mungesën faktike të matjes së njëmendtë të dijes dhe përgatitjes së nxënësve në fjalë dhe inspektimit të orëve mësimore të profesorit, i cili vazhdon ta zgjedhë heshtjen si mjet reagimi ndaj kësaj ngjarjeje.

*Profesori në fjalë jepte mësim për matematikë dhe teknologji informative.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit