Putin akuzon NATO-n se ka injoruar shqetësimet e Rusisë

0
93

Vladimir Putin tha se SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s kishin injoruar shqetësimet kryesore të sigurisë së Rusisë, por premtoi të vazhdonte bisedimet me perëndimin.

Këto deklarata i bëri në një telefonatë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në mes të tensioneve për një luftë të mundshme në Ukrainë.

Në komentet e tij të para publike rretj përgjigjeve të SHBA-së dhe NATO-s ndaj propozimeve ruse për të rishkruar arkitekturën e sigurisë pas luftës së ftohtë, Putin tha se shqetësimet e Moskës për zgjerimin e NATO-s dhe vendosjen e armëve pranë kufijve të saj nuk ishin marrë parasysh.

Derisa Macron i tha Putinit se Rusia duhej të respektonte sovranitetin e shteteve. Putin pranoi të vazhdonte bisedimet, kështu që kishte një ndjenjë se “gjërat kanë lëvizur”, tha një zyrtar i presidencës franceze, për Theguardian.

Në telefonatën që zgjati më shumë se një orë, Putin tha se SHBA-ja dhe NATO nuk kishin marrë parasysh “shqetësimet themelore” të Moskës për zgjerimin e NATO-s dhe vendosjen e raketave goditëse pranë kufirit rus.

Putin i tha udhëheqësit francez se Rusia do të vazhdonte bisedimet në të ashtuquajturin format Normandie që mbledh së bashku përfaqësues nga Franca, Gjermania, Ukraina dhe Rusia, pas bisedimeve në fillim të kësaj jave midis katërshes së vendeve.

Putin i tha Macron se presidenti francez ishte “i vetmi me të cilin mund të kishte diskutime kaq serioze”, sipas burimit të presidencës franceze. Kurse i pari i Francës ka bërë thirrje prej kohësh për dialog me Rusinë, ndonjëherë duke zemëruar vendet e tjera anëtare të BE-së që kanë preferuar një qasje më të distancuar.

Derisa SHBA ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën për Rusinë për të shpjeguar operacionet e saj ushtarake.

Manovrat diplomatike erdhën pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, sugjeroi se Shtëpia e Bardhë ishte në panik për një sulm të afërt rus.

Më shumë se 100 mijë trupa ruse janë grumbulluar në kufirin me Ukrainën, duke bërë që presidenti amerikan, Joe Biden, t’i thoshte Zelenskiy të enjten se ekzistonte “një mundësi e veçantë që rusët të mund të pushtonin Ukrainën në shkurt”.

I pyetur për thirrjen, Zelenskiy tha se nuk e konsideronte situatën më të tensionuar se më parë.