Kosova dhe 20 vite pas ҫlirimit nga lufta e fundit me Serbinë dhe 13 vite nga shpallja e pavarësisë, ende kërcënohet nga shteti serb në forma të ndryshme. Krerët serbë vazhdimisht bëjnë deklarata të atilla që mund të sundojnë Kosovën dhe ta pushtojnë me luftë.
Kosova tani ka ushtrinë e saj dhe funksionon si një shtet normal. Kosova u bë me ushtri tre vite më parë, saktësisht më 14 dhjetor të vitit 2018, kur Parlamenti i Kosovës kishte votuar tri ligjet që e shndërrojnë FSK në ushtri të rregullt. Në atë seancë deputetët serbë nuk patën marrë pjesë.
Tani me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë e kësaj ushtri për t’i dalë në ‘krahë’ vendin për ҫdo nevojë, FSK-ja ende ka nevojë për investime ushtarake. Krahas kësaj a duhet shteti të krijojë një fond nga diaspora për investime ushtarake?
Analisti politik, Florim Zeqa thotë se ‘kërkesa për krijimin e një fondi nga diaspora për “investime ushtarake” më ktheu në vitet 1998/99, kur edhe u formuan fondet famoze të luftës; “3 përqindëshi” dhe “Vendlindja Thërret”, fonde këto që zbrazën xhepat e mërgimtarëve’.
“Ishte viti 1998, periudha pas lëshimit të komunikatës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për ‘mobilizim të përgjithshëm’. Nga drejtues të shoqatës “Besa” mora informacionin se nga Zvicera në qytetin Treviso (pjesa veriore e Italisë) kishin ardhur emisarët politik të UÇK-së! Meqë ndodhesha në distancë, arrita pak me vonesë në këtë takim. Me të hyrë brenda në sallën CGIL-it (sindikatit) e vërejta një qetësi të pazakontë, dëgjohej vetëm zëri i ’emisarit’ dhe ndonjë mizë apo mushkonjë e pakujdesshme që nuk i respektonte rregullat që kishte vënë ’emisari’. Për të ushtruar presion psikologjik, ai u kishte kërkuar mërgimtarëve, në momentin që e marrin fjalën, të prezentohen me emër dhe mbiemër, me adresë të banimit këtu në Itali dhe atje në vendlindje (Kosovë)”, thekson Zeqa.
Ai rrëfen më tutje se si nga ‘emisari’ iu kishte thënë se ‘kemi nevojë për paratë e juaja, për shkak se i kemi 200 mijë ushtarë në malet e Kosovës, prej tyre 100 mijë janë të armatosur dhe 100 mijë të tjerë i presin t’i marrin armët’.
“Në ato momente ’emisari’ ishte duke i thënë këto fjalë, po citoj; “…mos e lëshoni punën, mbase më vonë do të kemi nevojë edhe për ju në Kosovë, por në situatën e tanishme më shumë kemi nevojë për paratë e juaja, për shkak se i kemi 200 mijë ushtarë në malet e Kosovës, prej tyre 100 mijë janë të armatosur dhe 100 mijë të tjerë i presin t’i marrin armët që do t’i blejmë me paratë e juaja,…prandaj ‘mobilizimi i përgjithshëm’ vlenë vetëm për ata që janë pa letra (pa punë), e jo për ju që jeni duke punuar”! Me të përfunduar fjalën ’emisari’, tek kryesuesi i mbledhjes e kërkova fjalën në cilësinë e anëtarit të kryesisë së shoqatës “BESA” (Treviso-Itali) . Fillimisht u prezentova siq e kërkonin rregullat e parashturara nga ’emisari’, për të vazhduar tutje me diskutimin tim; “I nderuari ’emisar’, unë jam njëri nga shumë të tjerë në këtë sallë, që sot e e kanë bërë “licenziamenton” (ndërprerjen e mardhënjes së punës) për t’u bërë pjesë aktive e luftës çlirimtare, ndërsa ju tani po na thoni që të qëndrojmë në punë për të kontribuar me mjete financiare”, rrëfen analisti Zeqa.
Ai tregon më tutje se si kishe përcjellë një mesazh pjesëtarëve të tjerë të UҪK-së në Kosovë që kërkonin para nga diaspora.
“Meqë keni ardhur këtu si emisar i luftës, në emrin e SHP të UÇK-së, të lutem, pëcjelljau shokëve tuaj mesazhin tim, që të mos luajnë me ndjenjat tona, të kenë kujdes në lëshimin e komunikatave dhe thirrjeve drejtuar mërgatës, për arsye se shumica prej nesh, prej javësh e muajsh e kemi humbur kontaktin me familjet tona në Kosovë dhe nuk e dimë a i kemi gjallë apo të vdekur, ndërsa ju pa fije turpi vini këtu e talleni me ne, herë ashtu e herë kështu”. Në atë moment ’emisari’ më kërcënoj duke kërkuar që të jem më i kujdesshëm kur flasë për “shokët”, siq i quante ai përfaqësuesit e UÇK-së, “a e din ti kush janë ata shokët që ti e merr guximin dhe i kritikon”! Sikur të mos e dinja se cilët janë nuk do t’i thoja këto fjalë, prandaj edhe një herë po t’i përserisë, ti e ke për obligim t’ua përcjellësh, ishte përgjigja ime”, thekson Zeqa.
Ai thotë më tutje se ‘për habi ’emisarëve’ nuk ju bëri përshtypje gatishmëria e dhjetëra të rinjëve që kishin lënë punën për të shkuar në frontin e luftës, pasi më shumë ishin të interesuar për fuqizimin e fondit sesa të frontit të luftës’.
Zeqa thotë se këtë rast e rrëfeu me qëllimin për të treguar se si fondet shtetërore abuzohen dhe shpërdoren nga krerët e shtetit.
“E fillova kështu prononcimin tim për fondin shtetëror nga diaspora për “investime ushtarake”, për ta kuptuar më mirë thelbin e fondeve famoze, të cilat shpesh abuzohen dhe shpërdorohen nga krerët shtetërorë. Paslufta në Kosovë e dëshmoi të vërtetën e fondeve të luftës, gjegjësisht të ‘3 përqindëshit’ dhe ‘Vendlindja Thërret’, ku udhëheqësit e fondeve të sipërpermendura dhe grumbullues të mjeteve të mërgatës në Diasporë krijuan pasuri të paimagjinueshme; blenë shtëpi e banesa dhe hapen biznese me prejardhje të dyshimtë”, thekson ai.
Sipas tij, derisa nuk zbardhet fati i këtyre fondeve, mërgimtarët kurrë nuk mund ta kenë besimin e duhur në shtetin dhe drejtuesit e tij politik që i ka në krye dhe as të atyre që janë në opozitë.
“Pa zbardhjen e së vërtetës rreth fondeve të luftës, qoftë ai ‘Vendlindja thërret’ apo ai i ‘3-përqindëshit’, nuk do të ketë qetësi në shpirtrat e mërgimtarëve dhe as kthim të besimit, pasi u janë plaçkitur mundi e djersa e shumë viteve, duke përvetësuar e keqpërdorur miliona euro të gjakut të pastër kombëtar. Bartësit e fondeve të sipërpërmendura, në mënyrë të turpshme, vodhën qindra milionë euro të bashkatdhetarëve, duke mos raportuar asnjëherë aspektet financiare të grumbullimit dhe shpërndarjes së mjeteve të grumbulluara në emër të luftës çlirimtare”, vlerëson ai.
Analisti Zeqa thotë më tutje se Prokuroria Speciale në Kosovë për dy dekada as që ka marrë mundin dhe guximin të hetojë e të zbardhë se çka ka ndodhur dhe ku kanë përfunduar paratë që ua vodhën qytetarëve (mërgimtarëve), e që nuk ishin pak, por qindra miliona euro, prej së cilave para na dolën të gjithë politikanët milionerë e multimilionerë të pasluftës në Kosovën e rraskapitur nga pasojat shkatërrimtare të barbarisë serbe.
“Ndonëse kanë kaluar mbi 22 vjet, nuk doli as edhe një prokuror, qoftë vendor apo ndërkombëtar, të hapë rastin për qindra milionë euro të fondeve të luftës, të vjedhura nga personat e dyshimtë, edhe pse dihen me emër e mbiemër! Ndodhi pikërisht kështu, sepse prokurorët u bënë suporti më i madh i pushteteve kriminale në Kosovën e pasluftës. Pa dhënien e llogarisë për këto vjedhje kriminale të djersës së mërgimtarëve, jo vetëm se ky krim nuk do të harrohet, nuk do të kthehet as besimi në mesin e mërgimtarëve që e duan me shpirt e zemër atdheun e tyre – Republikën e Kosovës. Me ndihmat e pakursyera, mërgimtarët për qëllim kishin çlirimin e vendit e jo mbushjen e xhepave të shpërdoruesve të fondeve të sipërpërmendura, bartësit e të cilave mënjëherë pas lufte u shndërruan në milionerë dhe supermenë të politikës kosovare”, thekson ai.
Zeqa thotë më tutje se ‘të gjithë ata mërgimtarë që kanë derdhë mjete në fondet e sipërpërmendura janë atdhetarë të devotshëm të çështjes kombëtare, të cilëve si ngushëllim u kanë mbetur faturat e asaj kohe, të cilat i ruajnë me nostalgji e shpresë se një ditë do të bëhet mirë, por jo edhe që t’u kthehen mjetet në këmbim të ‘Bonave Fiskal’ të qeverisë në ekzil në vlerë prej disa mijëra eurosh (DM)’.
“Gjatë periudhës së luftës çlirimtare, ne mërgimtarët kemi qenë të vizituar shpesh nga përfaqësuesit e fondeve ‘Vendlindja Thërret’ dhe atyre të ‘3 përqindëshit’. Pas dite vinte njëri, në mbrëmje tjetri fond, për të njëjtin qëllim-grumbullimin e mjeteve financiare në emër të luftës çlirimtare. Sikur vetëm 10 % e fondeve të sipërpërmendura të shkonin në desitinacionin e duhur, ndryshe do të bëhej rezistenca e armatosur kundër pushtuesve serb dhe shumë më lehtë do ta përballonin qytetarët situatën e varfërisë gjatë luftës në Kosovë”, tha analisti Florim Zeqa.
Ai thotë tutje se ‘jo vetëm nga “çlirimtarët”, por edhe nga “institucionalistët”, për dy dekada rresht, shteti i Kosovës u trajtua si plaçkë lufte e jo si atdhe i tyre!
“Andaj, pa zbardhjen e fondeve të luftës, jo vetëm që nuk do të kthehet besimi ndër mërgimtar, nuk do të ketë sukses asnjë iniciativë tjetër për grumbullimin e mjeteve nga mërgata e jonë, qoftë për “investime ushtarake” apo çka do tjetër. Po ashtu qeveritarët e rinjë nëse duan ta kthejnë besimin e mërgimtarëve duhet të tregohen të kujdesshëm në menaxhimin e buxhetit të shtetit, e jo të tregohen zemërgjërë dhe dorëlirë me milionat e shtetit për serbët e veriut, siq kishte ndodhur në fillimin e punës së kësaj qeverie me ndarjen e 11 milionëve për pagesat e rrymës për serbët në veri. Një qeveri që ndanë miliona për serbët në veri, nuk ka çka lajmërohet tek mërgata jonë për “investime ushtarake”, për shkak se nuk dihet cila ushtri do të ndihmohet me ato mjete, ushtria e jonë apo strukturat paralele serbe në veri”, vlerëson Zeqa për ‘Bota sot’.