10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Serbia thotë se s’do t’i ndalë çnjohjet, a do ta heqë tash Kurti taksën 100 %?

Rekomandime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë javës së kaluar ka shpalosur qëndrimin e tij për taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Kurti ka njoftuar se nga 15 marsi tarifën 100 për qind do ta largojë vetëm për lëndën e parë që importohet nga Serbia.

- Advertisement -

Për hapat që duhet të ndërmerren pas 15 marsit, Kurti i ka vënë kushte Serbisë duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të Kosovës, çka do të çonte që në një periudhë prej 90 ditësh, taksa të hiqet plotësisht.

Mirëpo, derisa në Kosovë dje u mbajt seancë për taksën, Serbia u kundërpërgjigj menjëherë duke hedhur poshtë propozimin e Kurtit. Fushata serbe kundër Kosovës sot solli edhe një çnjohje të re, në mesin e disa prej tyre që presidenti serb nga vizita e tij në Amerikë paralajmëroi se do të vijnë.

Ministri i Jashtëm Serb, Ivica Daçiq mëngjesin e sotëm prezantoi notën verbale me të cilën shteti i Sierra Leones që ishte ndër të parët që më 2008 kishte njohur Kosovën, vendosi për tërheqjen e saj.

- Advertisement -

Sërish Daçiq tha se kjo është vetëm një nga sukseset e diplomacisë serbe, në mesin e çnjohjeve të shumta që pritet të vijnë.

Ndërkohë, si zakonisht nga Ministria e Punëve të Jashtme hodhën poshtë pretendimet e Daçiqit. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca tha se ende nuk kanë marrë konfirmim zyrtar për tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone.

- Advertisement -

Nga partia e cila ka qenë më e zëshmja kundër heqjes së taksës dhe madje paralajmëruan edhe veprime nëse kjo ndodhë, reaguan duke kërkuar që pas veprimit të fundit të Serbisë, kryeministri Kurti duhet të tërheq menjëherë ofertën e tij për heqjen e taksës.

Meliza Haradinaj nga AAK-ja ka thënë se kryeministri Kurti duhet të tërheq menjëherë ofertën e tij të gabuar e të ngutshme për heqjen e taksës, derisa të shohë se është afruar nënshkrimi i kontratës finale për njohje.

Ndërkohë, dy partitë në pushtet Vetëvendosje dhe LDK edhe dje, në seancën e jashtëzakonshme shprehën qëndrime të kundërta sa i përket çështjes së taksës. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa doli hapur kundër qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti për heqje të pjesërishme të taksës, duke kërkuar heqjen e plotë të saj, ashtu siç kërkon Amerika.

Në një vijë me Isa Mustafën është shprehur ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili ka deklaruar se heqja e tarifës do të ishte një fillim i mrekullueshëm dhe përparim i madh.

Kujtojmë se propozimi i Kurit për heqjen e pjesërishme të taksës u kundërshtua menjëherë nga SHBA-të. I dërguar Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell paralajmëroi Kurtin se po bën një gabim të rëndë dhe kërkoi heqjen e tërësishme të takës.

Gjatë ditës së sotme Kurti foli edhe një herë për taksën, duke krijuar mjegullnajë për veprimet që mund të pasojnë. Ai përsëriti edhe një herë se reciprociteti do të zbatohet, por duke mos dhënë datë se kur do të ndodhë kjo.

“Reciprociteti është vlerë barazie para se të jetë masë kundërvënie. Duhet ta ndihmojmë biznesin vendas që të rritet punësimi, prodhimi, zhvillimi dhe paga mesatare në sektorin privat. Qytetarët e kanë kuptuar se çfarë është reciprocitet përveç të disave në parlament. Sot bëhen një muaj prej kur jam zgjedhur kryeministër dhe besoj se edhe kritikët më të mëdhenj e kanë parë se ne kemi qenë të zënë me punë në Qeveri pa asnjë festë që arritëm të zgjedhemi. Kanë festuar qytetarët, por jo edhe qeveritarët e rinj”, u shpreh Kurti.

Mbetet të shihet nëse Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Amerikës dhe partnerit qeverisës për heqjen e takës, apo do të zgjedhë t’u kundërpërgjigjet veprimeve të të fundit të Serbisë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit