-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Vdekja e mistershme e 35-vjeçares nga Gjakova, policia pas tetë muajve interviston mjekët e spitalit

Rekomandime

Në marsin e këtij viti, Zymer Lulashit, nga fshati Bec i Komunës së Gjakovës, i kishte vdekur vajza e tij, Dëshira Lleshdedaj, e cila kishte qenë nënë e dy fëmijëve. Familja në një rrëfim për Express dhënë në marsin e këtij viti, i kishte akuzuar mjekët e Gjakovës, aty ku fillimisht ishte mjekuar tashmë e ndjera. E me rastin tani po merret Policia e Kosovës. Hetuesit, dje (12 tetor), pas tetë muajve që ka ndodhur rasti, kanë intervistuar një pjesë të personelit të spitalit të Gjakovës për t’i pyetur rreth trajtimit që ia kanë bërë pacientes së ndjerë.

- Advertisement -

Një pjesë e stafit të Spitalit Rajonal në Gjakovë “Isa Grezda”, gjatë ditës së martë është intervistuar nga ana e organeve të hetuesisë kosovare. Në këtë spital, para tetë muajve, gjatë marsit të këtij viti, ishte shtruar një paciente, 35-vjeçarja Deshira Lleshdedaj, e cila pas disa ditëve kishte vdekur.

Për vdekjen, familja e së ndjerës e kishte akuzuar spitalin.

Por, policia hetime për këtë rast ka nisur vetëm tetë muaj pasi ka ndodhur vdekja e mistershme.

- Advertisement -

Rinisjen e hetimeve për këtë çështje e ka konfirmuar Drejtori Rajonal në Policinë e Gjakovës, Lumni Graishta.

“Mund të ju konfirmoj se rasti tashmë është duke u hetuar nga ana e drejtorisë për krime rajonale. Dje dhe pardje janë intervistuar një pjesë e personelit mjekësor në Gjakovë. Policia e Gjakovës në bazë të kompetencave të saj po i vazhdon hetimet për këtë rast”, i ka thënë gazetës Express të mërkurën Graishta.

- Advertisement -

E Express, më 28 mars kishte sjellë rrëfimin nga fshati Bec i Gjakovës. Aty ku familja e tashmë të ndjerës i tregonte ankesat e saj për trajtimin që mjekët ia kishin bërë vajzës së tyre.

Më poshtë gjeni rrëfimin e familjes, si dhe versionin e mjekëve të Gjakovës, në muajin mars

Babai i së ndjerës, Zymeri, tregon detaje rreth gjendjes shëndetësore të të bijës tashmë të vdekur.

“Në mëngjes e kam telefonuar vajzën, më ka thënë që është në spital. Më tha, kam pas mundim mbrëmë edhe burri më ka çu në spital. Kur është ba ora 7 unë kam qenë aty me gjithë djalin. Kam fol me çikën. Ajo ka qenë mirë”, tregon prindi i së ndjerës.

Ai po i akuzon mjekët në spitalin rajonal të Gjakovës se ia operuan vajzën pa ia kryer të gjitha analizat dhe fotografimet e nevojshme.

“…e kanë marrë mandej me e çu në operacion. Për çka po bahet operimi, i kam pyet. Më kanë thanë nuk e dimë, jemi në dyshim të ujit, gjakderdhjes dhe mëlçisë. E kanë futë në sallë të operacionit në 13:30 deri në 14:00. E kam pyet mjekun kryesor se cila është gjendja dhe çka ka mund të ndodhë”, shpjegon tutje ai.

Mjekët pas operimit që ia bënë 36-vjeçares, kanë konstatuar se operacioni ka shkuar mirë dhe se nga abdomeni i Dëshirës e kanë nxjerrë një sasi të vogël të ujit. Dyshime të tjera, mjekët gjakovarë, sipas babait të së ndjerës tregon se ata nuk kanë pasur.

“Më ka thënë mjeku kryesor se ato çka kemi dyshuar ne, asnjëra nuk është. Çdo gjë është në rregull. Operacioni është shumë mirë. Pak ujë e ka pas, por gjithçka është në rregull. Pasi e kemi çelë tha ia kemi heq edhe zorrën qorre. Më tha, tash qetësohet pak”, rrëfehet prindi.

Por, ai thotë se vajza pas operacionit ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pas nja gjysmë ore çika ka ardhur nga salla. I ka ardh pak vetëdija. Ajo, ka qenë e ftohtë sikur me pas qëndru 10 ditë në frigorifer, e ngrirë. Kam shku te mjeku pastaj. I kam thanë nuk është mirë, po duket sikur e vdekur”, tregon tutje prindi i Dëshirës së ndjerë.

Mjekët e Gjakovës: Dëshira vdiq nga gripi i derrit

Mjekët e spitalit rajonal në Gjakovë, Isa Grezda, i mohojnë deklaratat e prindit të pacientës së ndjerë se ajo vdiq për shkak të mostrajtimit të duhur mjekësor.

Kirurgu, Sabaudin Bytyqi, i cili e ka operuar Dëshirën, jep version tjetër nga prindi i saj. Ai për Express ka sqaruar rreth trajtimit që spitali i ka bërë pacientes në fjalë.

Sabaudin Bytyqi, kirurgu që e ka operuar Dëshirën

“Pacientja në fjalë, fillimisht është pranuar në repartin e Infektives. Ka fillua me u trajtu si bark qitje, vjellje, çrregullim gastrointestinal. Po megjithëse i janë keqësuar parametrat vital, asaj i bie tensioni dhe disa pengesa tjera, atëherë është konstatuar nga internisti se pacientja duhet të kalojë në repartin internistik për reanimim.”, shpjegon doktori.

Ai thotë se pacientes në fjalë i janë bërë të gjitha shërbimet e nevojshme mjekësore në spitalin ku ai punon.

“Ia kemi ba ultrazërin, kemi pa lëng të lirë dhe gjendja ishte e rëndë. Ajo vendoset pastaj në kujdesin intensiv. Pas një dy orëve, vjen anesteziologu edhe tregon që gjendja e saj shëndetësore nuk është aspak e mirë dhe se duhet fut në operim. Pas intervenimit që zgjati diku 30 minuta, u pa që nuk ka diçka me zorrë, përveç një lëngu të lirë që është retroaktiv si pasojë e ndonjë infeksioni. Mëlçia, shnetka, zorrët, i pamë që në përgjegjësi janë mirë. Kjo tregonte që diçka tjetër nuk është në rregull. I pamë gjëndrat e rrituna të mezos. Merret një gjandërr, një pjesë e umit për shkak të analizës histopatologjike dhe mbyllet barku. Nuk gjejmë asgjë tjetër”, tregon për procedurat e operimit të 35-vjecares, doktori i cili e ka operuar atë.

Tutje ai sqaron se gjatë operacionit, mjekët kanë konstatuar se Dëshira, 35 vjeçare, ishte prekur nga gripi i derrit, dhe se nuk kishte simptoma të tjera të ndonjë sëmundje tjetër. Doktori thotë se edhe babait të vajzës ia ka thënë fjalët e njëjta.

“Këto që i kemi pa ne gjatë punës, ia prezantojë edhe prindit të vajzës. I them, ne e kryem intervenimin, por nuk ishte ajo çka menduam ne. Dyshimi më i madh është tek gripi i derrit, kështu që gjendja vazhdon të jetë e rëndë, dhe është shumë e rrezikuar. Por ishte porosia që sa më parë të dërgohet në Prishtinë”, tregon mjeku në fjalë.

Ai thotë se pacientes në fjalë i kanë ofruar të gjitha trajtimet e nevojshme.

“Ajo nuk ka shku se ka mbete pas dore. Mirëpo është një sëmundje e tillë të cilës as mjekët s’po mund t’i gjejnë zgjidhje. Operacioni këtu a shku pa komplikime. Ne realisht 90 për qind pas operacionit e kemi ditë se ka grip të derrit”, shpjegon kirurgu Sabaudin Bytyqi.

Babai i së ndjerës: Vajzën tonë na e mbytën mjekët, ajo nuk vdiq nga Gripi i Derrit

Por, familja Lulashi nga Gjakova nuk po e pranon se vajza iu vdiq nga gripi i derrit. Ata po thonë se mjekët në Gjakovë i thanë se operacioni shkoi mirë dhe se vajza do të kthjellet nga anestezioni pas gjysmë ore.

“Në sallë të operacionit cika ka hy pa fotografim, pa analiza, dhe asnjë dokument të gjallë ose fakte me e shti në sallë. E pyeta pse më the në rregull. Tash tha, jam pak i dyshimtë se mundet me qenë gripi i derrave. I kam thanë për 10 minuta duhet e çu për spital vajzën. Një orë kam pritë me e çu vajzën”, thotë Zymeri, prindi i Dëshirës së ndjerë.

“Çika jem, është e vdekur direkt prej doktorëve të Gjakovës. Nëse ka qenë gripi i derrave, nuk është dashtë me e ba operacion”, shpjegon tutje Zymeri.

Mjekët: Babai i së ndjerës nga kërcënoi “Nëse nuk e zgjidh gjyqi çështjen, atëherë reagojmë ne”

Me rastin tashmë janë duke u marrë edhe organet e hetuesisë kosovare. Kjo, pasi që familja e së ndjerës rastin e ka paraqitur edhe në policinë e Kosovës.

Por, rast në polici ka paraqitur edhe kirurgu Saudin Bytyqi. Ai thotë se u kërcënua nga prindi i Dëshirës, gjatë ditës së hënë të kësaj jave.

“Kërcënimi nga ana e familjarëve ka ardh diku pas 5 ditëve. Në dhomë këtu në zyrë hyn prindi. I shprehi ngushëllime. Më tha, nuk ka çka me të ardhë keq sepse këtë punë do ta ndjekë me gjyq, deri të shpallin fajtor. Nëse ata nuk të shpallin fajtor, unë atëherë do të ta jap dënimin”, thotë doktori.

E kërcënimin ndaj mjekut e pranon edhe vetë prindi i dëshirës së ndjerë, Zymeri.

“Është e vërtetë që unë të hënën kam shku në spital dhe i kam thënë. Zotëri, çika me ka vdekë. Ti je shkaktari që ma ke vra çikën. I kamë thanë, lutju zotit që të dënojë drejtësia, e mos të dënojë unë. Se nëse ka me të dënu unë, për ty nuk do të jetë mirë. I lutem zotit që drejtësia ta çoje punën e vet në vend. Çika jem nuk ngjallet më, por të mos merret edhe dikush tjetër në qafë”, shprehet Zymberi.

Vendimi i Prokurorisë për obuksionin e viktimës

Dëshira, 35 vjeçare, ndërroi jetë më datë 19 mars, në Klinikën Infektive të QKUK’së. Nga kjo Klinikë nuk kanë pranuar që të japin informata rreth vdekjes dhe trajtimit të saj, duke sqaruar se me rastin po merre prokuroria e shtetit.

Në anën tjetër, prokuroria tashmë i ka nisur hetimet. Ka urdhëruar që pacientes së vdekur t’i bëhet ekspertiza mjeko-ligore për të sqaruar të gjitha rrethanat e vdekjes.

Në mbrojtje të mjekëve nga Gjakova, kanë reagua edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, e cila e ka konsideruar kanosjen si pjesë e një fenomeni kriminal që po ndodh në vendin tonë ndaj mjekëve

“Anëtari ynë, S.B. është kanosur me jetë nga ana e familjarëve të një pacienteje, të cilës i ishte konstatuar vdekja në QKUK. Rasti në fjalë është pjesë e fenomenit kriminal i cili është duke ndodhur tani më në përditshmëri gjatë ushtrimit të veprimtarisë mjekësore”, kanë deklaruar zyrtarë nga Oda e Mjekëve.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit