Ish-kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeminsitri aktual i Kosovës, Albin Kurti, është dashur që t’i ftojë grupet punuese të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe të Transportit Rrugor, në mënyrë që të mos ta turpëroj vendin dhe institucionet duke thënë se nuk ka qenë i informuar. Ai gjithashtu tha se deklarata e Kurtit ka dëshpëruar SHBA’në.
Haradinaj përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, tregon se si më 30 janar kishte ftuar z. Xhemajli dhe z. Qupevaj, që t’i informojë rreth marrëveshjes që do të nënshkruhej nga ta me ndërmjetësimin e Ambasadorit Grenell.
“Kjo fotografi, është bërë më datë 30 Janar 2020. Të nderuar qytetarë si Kryeministër i vendit, dy javë më herët kam ftuar në takim grupet punuese të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe atë të Transportit Rrugor, respektivisht zyrtarët e Ministrisë Z. Xhemajli, dhe Z. Qupevaj, për t’u informuar rreth letrës së qëllimit për hekurudhat me Serbinë, e që është ndërmjetësuar nga Ambasadori Grenell. Kam kërkuar nga ata, që të jenë vigjilent dhe mos të negociojnë e as të diskutojnë asgjë që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, shkruan Haradinaj.
Ai tha se Kurti është dashur të veproj njëjtë në mënyrë që të mos ta turpëroj vendin duke thënë se nuk ka qenë i informuar rreth marrëveshjes që u nënshkrua të dje. Tutje, Haradinaj tha se deklarata e Kurtit ka dëshpëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Këtë gjë, është dashur ta bëjë edhe Kryeministri Kurti, në mënyrë që mos ta turpërojë vendin dhe institucionet duke thënë se nuk ka qenë i informuar. Kjo deklaratë, dëshpron edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dhënë indikacione se nuk jemi unik ndaj përkrahjes së tyre. RH”, ka shkruar Haradinaj.