Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate drejtuar mediave ka njoftuar qytetarët se gjatë vaksinimit kundër COVID-19, mund të bëhet edhe kombinimi i vaksinave.
Në komunikatë thuhet se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën donë ta marrin.
E zgjedhjet janë Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech. Megjithatë nëse dikush do t’i bëjë kombinim, dozën e parë mund ta marrin Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer apo anasjelltas.
Gjatë ditës u raportua se kombinimi i vaksinave në Kosovë nuk lejohet në qendrat vaksinuese.
E Ministria e Shëndetësisë thotë se kushdo që pretendon se diçka e tillë nuk lejohet, është e pavërtetë.
Qëllimi i kombinimit të vaksinave është rritja e imunitetit.
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë:
Kombinimi i vaksinave në Kosovë bëhet që kur ka nisur vaksinimi masiv kundër COVID-19
Ministria e Shëndetësisë i informon sërish qytetarët e vendit se ata që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë si Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech.
Gjithashtu, që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë kundër COVID-19 (qershor 2021), qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas.
Deklaratat e kujtdo qoftë se në Kosovë nuk lejohet kombinimi i vaksinave janë të pavërteta.
Me respekt,
Divizioni i Komunikimit me Publikun-MSh