Ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri William E. Ryerson ka përcjellë një mesazh të ndërthurur në shqip dhe anglisht për të gjithë qytetarët shqiptarë, në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai shprehet se i mungojnë të gjithë miqtë e tij shqiptarë.
“Zonja ambasadore faleminderit shumë për ftesën. Më vjen shumë keq që nuk mund të jem atje te ju tani. Ndjesë që nuk ia dola të vij. Nuk është hera e parë që nuk jam aty. Unë nuk isha atje kur erdhën amerikanët e parë.
Unë nuk isha atje kur u kthyem në ambasadën tonë më vonë në 1991. Me sa duket e kam zakon të mungoj më shpesh. Më mungoni ju dhe të gjithë të ftuarit tuaj. Për miqtë e mi shqiptarë atje, ju përqafoj me mall. Faleminderit, mirupafshim”, shprehet ai.