Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Qeveria gjermane ka zotuar edhe 12,65 milionë euro shtesë për projektin e ngrohjes qendrore me energji solare.
Murati ka thënë se këto mjete do të jenë grant dhe e sjellin në 26 milionë euro gjithsej kontributin e Gjermanisë në formë granti për këtë projekt.
“Një lajm i mirë për energjetikën! Si rezultat i thellimit të bashkëpunimit të mirë, Qeveria Gjermane ka zotuar edhe 12.65 milionë euro shtesë për projektin e ngrohjes qëndrore me energji solare që pritet të fillojë shumë shpejt.
Këto mjete do të jenë grant, dhe e sjellin në mbi 26 milionë euro gjithsej kontributin e Qeverisë Gjermane në formë granti për këtë projekt.
Projekti në fjalë parasheh rritjen e kapacitetit për ngrohje qëndrore, dhe mundëson zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të Termokos-it, duke mundësuar efiçiencë shtesë e shfrytëzim të burimeve të ripërtërishme”, ka thënë Murati.
Ai ka shtuar se kjo nënkupton që më shumë familje do të kenë ngrohje me çmim të përballueshëm.