Tensionet e krijuara mes Ukrainës dhe Rusisë, kanë shqetësuar jo vetëm dy shtete, por edhe qeveritë e tjera ndërkombëtare. SHBA-ja ka ‘kërcënuar’ vazhdimisht Rusinë të tregohet e kujdesshme dhe të shmangë një pushtim të mundshëm të Ukrainës.
Megjithatë, vija kufitare mes Rusisë dhe Ukrainës tashmë është blinduar me trupa ushtarake nga të dyja krahët. Në vijën frontit ukrainas janë vendosur armë, snajperë të mbuluar nga bora, ndërsa vetë ushtarët qëndrojnë në llogore të frikësuar nga plumbat që mund t’iu drejtohen nga çasti në çast.
BBC sjell një reportazh me rrëfimet e disa prej ushtarëve ukrainas që janë rreshtuar në vijën e parë të frontit për të pritur në rast sulmesh nga pala ruse.
Maria (emër jo i vërtetë po i përdorur nga media) është një nga ushtaret ukrainase që pret në llogoren e frontit e armatosur. “Ajo po përpiqej të mos stresohej për gjithë këtë. Ushtarja 26-vjeçare ukrainase, llafazane dhe e lehtë, ishte në llogoren e saj, e armatosur me kallashnikov dhe një manikyr perfekt. Ajo është pjesë e brigadës së 56-të të këmbësorisë së Ukrainës”, shkruan artikulli.
“Përpiqem të shmang politikën dhe të mos shikoj TV, përpiqem të mos shqetësohem shumë”, tha Maria. “Por ne jemi gati. Kemi bërë shumë stërvitje. E kuptoj që nuk do të jetë si një stërvitje, do të jetë e vështirë për të gjithë. Por morali ynë është i lartë dhe ne po qëndrojmë në këmbë.”
Maria ka një grup vëllezërish. Dy shërbyen në gardën kombëtare të Ukrainës. Vëllai i saj më i vogël së shpejti do të shkojë në vijën e parë të frontit, si gjuajtës tankesh. Në shtëpi prindërit e saj në pension po kujdesen për djalin e saj katërvjeçar.
“Ishte shumë e vështirë ta lija atë,” tha ajo. “Por që kur isha gjashtë vjeç ëndrra ime ishte të shkoja në ushtri. Nuk e mendoja se do të përfundoja në vijën e parë, por nuk pendohem që jam këtu”.
Parë nga afër situatën, BBC shkruan se disa nga ushtarët janë të frikësuar për atë që i pret. “Sa herë që dëgjoj një zhurmë zemra ime rreh,” tha Ludmilla Momot, një e moshuar 64-vjeçare. Momot e di shumë mirë se çfarë mund të bëjë Moska dhe aleatët e saj.
Ndërkombëtarët flasin për një skenar të mundshëm: një inkursion i kufizuar, me forca të dërguara vetëm në Ukrainën Lindore. Kremlini ka të ngjarë të përpiqet t’i paraqesë ata si “paqeruajtës”, duke mbrojtur mbajtësit e pasaportave ruse.
Pavarësisht sinjaleve nga Perëndimi dhe SHBA-ja, vetë Rusia ka mohuar që të ketë një plan për pushtimin e Ukrainës. Ndërsa presidenti ukrainas, Volodyyr Zelensky, tha se nuk ka nevojë për panik dhe frikë të ekzagjeruar.