-0.1 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

A mund të bëhemi të pavdekshëm – sipas disa shkencëtarëve

Rekomandime

Demografët vlerësojnë se para brezit tonë rreth 100 miliardë njerëz jetuan dhe vdiqën, dhe asnjë prej tyre nuk është kthyer për të konfirmuar ekzistencën e një jete të përtejme, të paktën jo në standardet e larta dëshmuese të shkencës. Ky është realiteti i gjendjes njerëzore. “Memento mori”, siç reflektuan të krishterët mesjetarë – Mos harroni se ju duhet të vdisni.

- Advertisement -

Pse duhet të vdesim? Teologët dhe besimtarët fetarë kanë pasur prej kohësh një përgjigje të gatshme: vdekja është thjesht një kalim nga një fazë në tjetrën në një proskenium kozmik. Në botëkuptimin fetar vdekja nuk ka nevojë për asnjë shpjegim tjetër përveçse “Zoti e do” si pjesë e një modeli domethënës që do të zbulohet sapo të shkojmë në anën tjetër, zakonisht që përfshin një ‘ndëshkim’ kozmik për veprimet e dikujt dhe zgjidhje e të gjithave rezultateve morale.

Sidoqoftë, shumica e shkencëtarëve janë realistë më të ashpër në lidhje me vdekjen. Është thjesht rezultat i dy fakteve për natyrën: (1) Ligji i Dytë i Termodinamikës, ose fakti që ka një aspekt me një drejtim në universin tonë që çon në entropi dhe shkatërrim dhe gjithashtu vdekje për të gjitha sistemet, nga yjet dhe njerëzit në vetë universin; (2) logjika e evolucionit, ose fakti se përgjedhja  natyrore ka krijuar gjene të pavdekshme përmes pasardhësve tanë, ndërkaq trupi të jetë i vdekshëm, sepse burimet trashëgohen më mirë te brezat e ardhshëm se sa të kishte ndodhur mbajtja gjallë e paraardhësve tanë – ne vdesim që të tjerët të jetojnë, transmeton Telegrafi.

Në çerek shekullin e kaluar disa nga këta shkencëtarë – veçanërisht ata që nuk besojnë në një shpirt të pavdekshëm ose parajsë eterike – kanë ndërmarrë qëllimin e madh të shtrirjes së jetëgjatësisë njerëzore në shekuj, mijëvjeçarë apo ndoshta edhe përgjithmonë. Kush janë këta tekno-ëndërrimtarë?

- Advertisement -

Procesi i ‘ngrirjes’

Qëllimi i krionikës, në një frazë, është “ngrij – prit – ringjall”. Shpirti në këtë skenar është vetja e ruajtur në kujtesë, kështu që kriopreservimi i kujtesës e ruan vetën pafundësisht deri në ditën kur teknologjitë mjekësore arrijnë për ta ringjallur atë. Aktualisht kjo po bëhet përmes vitrifikimit të trurit apo ‘ngrirjes’, që përfshin shndërrimin e trurit të ruajtur në një substancë të ngjashme me qelqin.

- Advertisement -

A mund të funksionojë? Neuroshkencëtari i njohur Christof Koch, shprehu skepticizmin e tij në lidhje me vitrifikimin e trurit: “Deri më sot, ne nuk kemi dëshmi se një tru i ruajtur mund të ndizet përsëri më vonë, me të gjitha kujtimet e mëhershme”. Përkrahësit e këtij procesi tregojnë për embrionet e ngrira që kthehen në jetë, por një tru është shumë më i madh dhe procesi i ngrirjes shkatërron neuronet që mbajnë kujtime, duke fshirë kështu vetën/shpirtin. Askush i ngrirë deri më sot nuk do të kthehet i gjallë.

Ekstropianët

Siç sugjeron edhe emri, ekstropianët janë kundër entropisë. Duke pasur parasysh fuqinë e jashtëzakonshme të Ligjit të Dytë të Termodinamikës, që thotë se universi është në një gjendje entropie, përkrahësit e idesë së ekstropianizmit, janë me të vërtet mendimtarë të guximshëm, me emra sikurse T.O. Tomorrow (Tom Bell), Max More (Max T. O’Connor), dhe Natasha Vita-More (Nancie Clark).

Entropia është një sasi termodinamike që përfaqëson mungesën e energjisë termike të një sistemi për shndërrim në punë mekanike, e interpretuar shpesh si shkallë e çrregullimit ose rastësisë në sistem.

Ekstropia është parimi pseudoshkencor se jeta do të zgjerohet pafundësisht dhe në mënyrë të rregullt, progresive në të gjithë universin me anë të inteligjencës dhe teknologjisë njerëzore.

Qëllimet e ekstropisë janë ngritëse nëse jo utopike: jetë më të gjatë, më shumë inteligjencë, mençuri më të madhe, përmirësim i shëndetit fizik dhe mendor dhe eliminimi i kufijve politikë, ekonomikë dhe kulturor për zhvilimin personal dhe avancimin shoqëror. Pasi të arrihen këto, ata thonë se “pavdekësia është rruga e ardhshme”.

Problemi është se vdekshmëria jonë duket se është e programuar në çdo qelizë, organ dhe sistem në trupin tonë, sipas artikullit në ScienceFocus, ashtu që pavdekësia do të kërkojë zgjidhjen e problemeve të shumta në shumë nivele kompleksiteti, dhe të gjitha në të njëjtën kohë. Edhe nëse arrihet të kapërcehet tavani i sipërm prej 125 vjetësh duke zgjidhur këto probleme të shumta, kush e di se cilat çështje shtesë mjekësore mund të dalin që njerëzit ende nuk mund t’i konceptojnë nëse jetojnë, si përshembull 200 ose 500 vjet. Në vend që të arrihet qëllimi utopik i pavdekësisë, një objektiv më modest për të jetuar deri në 150 vjet me një cilësi relativisht të lartë jetese do të ishte diçka që ia vlen të synohet, përcjell Telegrafi.

Trans’humanistët

Trans’humanistët syojnë të transformojnë gjendjen njerëzore së pari përmes zgjedhjes së stilit të jetesës, që përfshin dietë dhe stërvitje, pastaj përmes përmirësimëve të trupit (p.sh., implantet e gjirit ose koklearit) dhe zëvendësimet e pjesëve të trupit (p.sh. gjunjët artificialë, ijet dhe zemrat), pastaj inxhinierinë gjenetike, të gjitha këto me qëllim që të arrihet marrja nën kontroll e evolucionit dhe e transformimit të specieve në diçka më të fortë, më të shpejtë, më të shëndetshme dhe me aftësi njohëse jashtëzakonisht superiore.

Ngarkuesit e mendjes singularitare

Këta janë shkencëtarët që duan të transferojnë “vetën” ose “shpirtin” e njeriut –  modelin e infomacionit që përfaqëson mendimet dhe kujtimet tuaja të ruajtura në lidhjen e trurit tuaj – në një kompjuter. ‘Profeti’ i singularitetit është Ray Kurzweil, dhe në librin e tij, “The Singularity is Near”, ai fillon me atë që ai e quan “ligji i përshpejtimit të kthimeve”, i cili thotë se jo vetëm që ndryshimi po përshpejtohet, por që shkalla e ndryshimi po përshpejtohet.

Ligji i Moore ka parashikuar me saktësi shkallën e dyfishimit të fuqisë kompjuterike që nga vitet 1960. Para Singularitetit, bota do të ketë ndryshuar më shumë në një shekull sesa ka ndryshuar në mijëra shekujt e mëparshëm. Ndërsa i afrohemi Singularitetit, thotë Kurzweil, bota do të ndryshojë më shumë në një dekadë sesa në një mijë shekuj, dhe ndërsa përshpejtimi vazhdon dhe arrijmë në Singularitetin, bota do të ndryshojë më shumë në një vit sesa në të gjithë historinë e para-Singularitetit.

Singulariteti teknologjik – ose thjesht singulariteti – është një pikë hipotetike në kohë në të cilën rritja teknologjike bëhet e pakontrollueshme dhe e pakthyeshme, duke rezultuar në ndryshime të paparashikueshme në civilizimin njerëzor, transmeton Telegrafi.

Sipas autorit të tekstit, Michael Shermer, njerëzit do të arrijnë një pikë rreth vitit 2029 kur teknologjitë mjekësore do të shtojnë një vit shtesë, çdo vit të jetëgjatësisë së njeriut. Derisa shkalla e avancimit të teknologjisë mjekësore përshpejtohet, vitet do të grumbullohen për dekada, shekuj dhe më gjerë, e mundur edhe përgjithmonë. Në një moment do të jetë e kujdesshme të ngarkoni mendjen, shpirtin – në një kompjuter për të shmangur problemet që sjell një substrat biologjik si truri. Kur kjo të ndodhë, njerëzit do të arrijnë pavdekësinë.

A do të mund të bëhemi ndonjëherë të përjetshëm

Autori Shermer shprehet skeptik për sa i përket kësaj çështjeje. Sidoqoftë, sipas tij, duke i vlerësuar këto pavdekësi të bazuara në shkencë në mënyrë krahasuese, krionika apo ngrirja duket si një bast i mirë se sa ngarkimi i mendjes vetëm sepse, intuitivisht, duke ruajtur trupin, trurin, të ngrirë, të ruajtur, të shkrirë, të ngrohur, dhe të rizgjuar ai thotë se i duket më shumë se si të zgjohesh nga një gjumë i gjatë, se sa të ngarkohesh në një kompjuter, që do të ishte vetëm një kopje e tij, ndryshe se sa një binjak.

Por krionika është një bast shumë i vështirë sipas Sherman, dhe potencon se ai do të zgjidhte ekstropianët dhe trans’humanistët sepse ata të paktën sugjerojnë një qasje më pragmatike dhe shtesë, që mund ta përdorin njerëzit duke filluar nga sot –dieta, stërvitja dhe ndryshimet në stilin e jetës.

“Pra, le të vazhdojmë në atë rrugë dhe të shohim se sa larg mund të arrijmë”, thotë ai.

Në fund të fundit, shprehet autori, entropia do të na sjellë në planin afatgjatë, në mos të shkurtër. Edhe pse dieta, stërvitja dhe mënyra e jetesës janë të gjitha gjëra të mira për të bërë një jetë të gjatë të shëndetshme, unë kam dyshime serioze se ato mund të zgjasin jetën përtej kufirit aktual prej rreth 125 vjetësh.

Kur ajo barrierë të thyhet – me dekada apo shekuj – skeptikët do të bëhen besimtarë. Ndërkohë, pavarësisht nëse ka apo jo një jetë të përtejme, ne jetojmë këtu dhe tani, kështu që ne duhet të shfrytëzojmë sa më shumë kohën tonë, duke shfrytëzuar çdo ditë, çdo takim, çdo marrëdhënie, sepse aty gjendet kuptimi i vërtetë i jetës, deklaron autori i artikullit, Sherman.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit