14.1 C
Pristina
Thursday, November 7, 2024

Çmimet e barnave në Kosovë, më të shtrenjtat në rajon

Rekomandime

Qytetarët e Kosovës paguajnë 10 milionë euro në vit barna më shtrenjtë sesa qytetarët e vendeve të rajonit, thonë nga Oda e Farmacistëve. Kjo për shkak se në vend nuk ka unifikim të çmimit të barnave.

Laramania e çmimeve të barnave nëpër barnatoret e Kosovës, sipas farmacistëve, ka ndikuar që qytetarët të mos kërkojnë cilësi në shërbim të blerjes së barnave, por çmime më të lira.

- Advertisement -

Rrjedhimisht barnat kontrabandohen dhe më pas shiten me çmime më të lira.

Por, farmacisti Gjon Leka i tha Radios Evropa e Lirë se barnat të cilat vijnë ilegalisht, qytetarët i blejnë për shkak të çmimit më të ulët. Por, ato barna, thotë ai, hyjnë në Kosovë në kushte jo të përshtatshme dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Pyetja e parë e çdo pacienti është se sa kushton ilaçi që e kërkon. Ne çdo herë kemi kërkuar rregull dhe unifikim të çmimit, por në mungesë, ne duhet të merremi me kalkulime të çmimeve. Ne varemi nga depot se me çfarë çmime i marrim ilaçet dhe me çfarë t’i shesim. Nëse ata e lëvizin çmimin, e që ndodh çdo herë, edhe ne duhet të lëvizim (çmimet), e që kemi ankesa më pas”, tha ai.

- Advertisement -

Në Kosovë janë 1,200 farmacistë të licencuar dhe 650 barnatore. Aktualisht, 10 për qind prej farmacistëve të licencuar e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në institucionet publike, ndërsa pjesa tjetër në institucione private.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi tha se ka pritur që të përfundojë procesi i unifikimit të çmimit të barnave, pasi që prej muajit maj të vitit 2019, për këtë çështje është në fuqi një udhëzim administrativ.

- Advertisement -

Por, puna ka mbetur në gjysmë për unifikimin e çmimeve, pasi komisioni i ankesave në Ministrinë e Shëndetësisë, gjashtë ditë para përfundimit të procesit dha dorëheqje dhe ende nuk është emëruar një komision i ri, i cili do ta vazhdonte punën.

“Ka 20 vjet që çmimet nëpër barnatore nuk janë të unifikuara. Problemet që sjellë ky mosrregullim sjellin abuzime me çmime, pasi çmimet janë shumëfish më të larta se në vendet e rajonit. Kjo rrjedhimisht bën që barnat të kontrabandohen për shkak të çmimeve. Qytetarët paguajnë 10 milionë euro më shumë barna për një vit në raport me shtetet e rajonit, ndërsa shteti ka humbur 6 milionë euro në vit përmes çmimeve abuzive”, tha Jakupi.

Ndërkaq, Faik Hoti zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë tha se për ta proceduar para udhëzimin administrativ, që rregullon unifikimin e çmimit të barnave, tashmë është caktuar një person, që do të udhëheqë grupin punues.

“Ministria e Shëndetësisë ka caktuar një zyrtar përgjegjës për të udhëhequr grupin punues që do të bëjë plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe pajisjeve medicinale, me qëllim që ky udhëzim të bëhet në tërësi i zbatueshëm dhe në këtë proces do të punohet bashkë me Odën e Farmacistëve dhe shoqatat që veprojnë në kuadër të komunitetit farmaceutik në Kosovë”, tha Hoti.

Mbi 30 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në Kosovë. Por, prej luftës së fundit në Kosovë, lista esenciale me barna asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi.

Megjithëkëtë, temë debati në Kosovë ka qenë vazhdimisht fakti që Ministria e Shëndetësisë blen barna më të shtrenjta sesa çmimi real i tyre në treg.

Më 2018, Ministria e Shëndetësisë kishte ndërprerë një sërë kontratash për furnizim me barna për institucionet publike shëndetësore, pasi kishte cilësuar se ato kontrata kishin qenë abuzive, për faktin se barnat ishin blerë me çmim më të lartë se ai i tregut.

Jakupi ndërkohë shtoi se gjatë kohës së pandemisë me koronavirus, farmacistët kanë qenë objekt sulmi dhe inspektimi, për shkak se ka pasur lëvizje çmimesh nëpër barnatore. Por, ai thotë se kanë qenë depot e licencuara nga shteti, ato që kanë luajtur me çmime dhe rrjedhimisht, barnatoret i kanë lëvizur çmimet varësisht sa i kanë blerë ato.

“Kjo dukuri veçanërisht ishte e shprehur gjatë fillimit të pandemisë COVID-19, ku shpeshherë padrejtësisht komuniteti farmaceutik ka qenë objekt i sulmeve të shumta në lidhje me lëvizjen e çmimeve të barnave gjatë kësaj periudhe, edhe pse kjo lëvizje nuk erdhi nga farmacistët. Përkundrazi, farmacistët në masën prej mbi 99 për qind janë përkrahës të unifikimi te çmimit të barnave nga shteti dhe eliminimin e çfarëdo keqpërdorimi që po bëhet gjatë këtyre periudhave nga persona të cilët vetëm me farmaci nuk kanë të bëjnë”, tha Jakupi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë ajo që ka ofruar ndihmë në zhvillimin e politikave sa i përket udhëzimit që unifikon çmimin e barnave, në mënyrë që të reduktohen shpenzimet e pacientëve për blerjen e barnave.

Për dy dekada, sipas zyrtarëve, në Kosovë nuk ka çmim të unifikuar të barnave, sepse sipas tyre, në fuqi ka qenë një rregullore administrative, e cila nuk ka paraparë unifikimin e çmimit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit