10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Historia e dhimbshme: Kur komunistët dogjën historinë e Shqipërisë

Rekomandime

Historia e Shqipërisë është e mbushur me ngjarje të dhimbshme, me pushtime të njëpasnjëshme, me luftra për liri e pavarësi, me shtypje, shkatërrim dhe mohim të të drejtave themelore të një kombi, si mësimi i gjuhës, historisë e kulturës së tij.

Këto ngjarje tragjike përgjatë shekujve dhe mijëvjeçareve shqiptarët janë përpjekur ti përballojnë me trimëri, me vetmohim dhe me vetëdijen se toka, gjuha, kultura e zakonet janë vlera të pazëvendësueshme. Dheu i Atit e i Mëmës është mbrojtur me gjak.

- Advertisement -

E megjithatë, ka pasur momente përgjatë historisë tonë kur e keqja nuk na ka ardhur vetëm nga të huajt, por nga brenda nesh. Historinë tonë për shekuj me rradhë nuk na kanë lejuar ta shkruajmë ashtu si ka ndodhur, nuk na kanë lejuar të rrëfejmë se cilët jemi e cilët kemi qenë, përkundrazi, janë përpjekur ta fshijnë, ta ndryshojnë e përçundojnë sipas interesave të tyre. E si të mos mjaftonte kjo, ka pasur raste kur ne vetë kemi fshirë e shkatërruar dokumentat e paktë që i kishin rezistuar kohës, të cilat rrëfenin historinë e kombit shqiptar.

Diçka e tille ka ndodhur në vitin 1945, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Komunistët e sapo ardhur në pushtet, nga padija apo nga dashakeqësia, shkatërruan një prej arkivave më të medha të dokumentave historike që gjendej në Shqipëri, bibliotekën e familjes Libohova.

Familja Libohova është një prej familjeve më të rëndësishme shqiptare që prej shekullit XVI. Ajo njihet si familja që ka qeverisur vilajetin e Janinës për rreth 3 shekuj me rradhë. Shumë prej anëtarëve të kësaj familje kanë pasur pozita të larta në administratën e kohës, si diplomatë, kadilerë, pashallarë etj. Njëri prej anëtarëve më të njohur të kësaj familje është Mufid bej Libohova, ministër në qeverinë e parë të shtetit Shqiptar në vitin 1912, ministër disa herë në qeveritë e mëpasshme shqiptare, diplomat, themelues i Bankës së Shqipërisë etj.

- Advertisement -

Kjo familje kishte në zotërim një prej biblotekave më të pasura në Shqipëri, e cila përbëhej nga rreth 2000-3000 tekste dhe dokumenta të ndryshëm. Gjendeshin dokumenta të rëndësishme të cilat familja Libohova i kishte mbledhur e ruajtur përgjatë historisë së saj të lavdishme, që prej shekullit të XVI e më pas, gjatë periudhës që kjo familje ka qeverisur vilajetin e Janinës, dokumenta nga koha në të cilën Shqipëria ishte e pushtuar nga perandoria Otomane, dokumenta nga koha e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ku Myfid Libohova ka qenë nismëtar i lëvizjes për pavarësi sëbashku me Ismail bej Vlorën, dokumenta nga shteti i sapoformuar shqiptar dhe nga qeveritë e para të tij, në të cilat Myfid Libohova ka qenë disa herë ministër, si dhe dokumenta e korrespodencë me shtete të tjera nga aktiviteti i tij si diplomat.

Për fat të keq, kjo pasuri e kombit shqiptar, në të cilën dokumentohej një pjesë e historisë tonë, u shkatërrua në mënyre barbare nga regjimi komunist i ardhur në pushtet në vitin 1945, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Sarajet e familjes Libohova u konfiskuan, pasuritë u morën, anëtarët e familjes u burgosën dhe u internuan, ashtu sikurse i ndodhi Ollga Schweizer Libohovës, gruas së Mufid Libohovës, aristokrates daneze që kishte shpëtuar 100 burra shqiptarë nga pushkatimi gjatë kohës së luftës.

- Advertisement -

Përpos kësaj, regjimi diktatorial i sapo formuar, me një akt të pashembullt, urdhëroi edhe djegien e gjithë librave dhe dokumentave që gjendeshin në biblioteken e familjes Libohova. Mufid Libohova (i riu), nipi i Mufid bej Libohovës, në një rrëfim të tij do të shprehet: “Pas çlirimit, pikërisht në vitin 1945, me urdhër të shtetit të sapo formuar, familja e Mufid bej Libohovës u shpërngul nga sarajet në mes të qytetit, në një stallë lopësh, ku ndenjën për 5 muaj. Në atë kohë librat më me rëndësi të gjyshit i morën, ndërsa gratë e Libohovës i detyruan që t’i nxirrnin kazanët e rrobave në sheshin kryesor dhe zjarrin ta bënin me librat tanë. Biblioteka jonë ka pasur 2500 volume, si dhe dokumente të rëndësishme historike nga koha e marrëdhënieve me Turqinë.

Me djegien e kësaj biblioteke, fatkeqësisht u shua edhe një pjesë e historisë së shqipërisë dhe e kombit shqiptar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit