Sunday, October 13, 2024

I ulur këmbëkryq sfidoi policinë serbe, flet njeriu i fotos historike në Prishtinë

- Advertisement -
- Advertisement -

Ishte gushti i vitit 1990, kur shqiptarët e mbledhur pranë hotelit Grand në Prishtinë, prisnin me padurim delegacionin gjashtë-anëtarësh amerikan, të kryesuar nga Senatori Bob Dole.

Tubimi i tyre, për të protestuar për të drejtat që u takojnë, u shua me sulmin brutal të Policisë serbe. Në atë turmë ishte një burrë sypatrembur. Teksa të gjithë iknin, ai u ulë këmbëkryq. Ky imazh, i fiksuar nga fotografi Hazir Reka, do të publikohet në shumë gazeta dhe televizione botërore. Kush është ky burrë në fotografinë ikonike të Kosovës? Cili ishte ky njeri- permendore qe u “ngrutësua” midis dhunës e turmës?

Ishte lindur në Preshevë, por jetonte në Prishtinë. Më 1974 punësohet në KEK. Në vitin 1981 merr pjesë në demonstratat e nisura nga studentët, e më vonë dërgohet për të punuar në Drenicë. Kjo është biografia e shkurtë e Faik Rexhepit njeriut qe atë ditë nuk ju tremb syri. Sot, i shtyrë paksa në moshë, por me kujtesë të fortë, flet për për kohën kur burrëria e tij fiksohet në përjetësi.

- Advertisement -

Në vitin 1990 Rexhepi ishte inxhinier i kimisë në “Ferronikel” të Drenasit. Në këtë gjigant atë vit ishin instaluar masat e dhunshme nga Serbia. Ndaj, si shumë kolegë të tjerë, nuk mundte të rrinte i qetë para sfidave historike: terrorit që në të gjitha sferat e ushtronte Serbia! Ndaj, me të dëgjuar për vizitën e paralajmëruar të delegacionit amerikan në Prishtinë, Rexhepi me shokët vendosi të vinte në Prishtinë.

“Isha edhe nxitës i tyre, që të merrnin pjesë në protestat që u zhvillonin në atë kohë. Sepse, e vetmja mënyrë atëherë për ta fituar lirinë që e kemi sot, kanë qenë demonstratat”, thotë ai për “Bota sot”.

“Në qendër të Prishtinës, para hotelit Grand, kemi arritur diku kah ora 11:00 e ditës. Dielli po nxëntë. Ishim të emocionuar dhe me padurim prisnim diplomatët amerikanë. Ishim tubuar me flamuj e pankarta, për të dëshmuar shkeljen elementare të të drejtave të njeriut dhe robërimin e Kosovës. Policia ishte e armatosur deri në dhëmbë dhe vetëm pritej momenti kur do të intervenonte”, kujton ato momente bashkëbiseduesi ynë.

Kah ora 12:00, Policia nisi të futej nëpër masën e njerëzve. Ata kërkojnë që protestuesit të tërhiqen nga Grandi. Madje, kishte kërkesa që të shpërndahen duke thënë se “amerikanët do të vonohen pakëz”.“U tërhoqëm nja 50-70 metra nga hoteli dhe ashtu po qëndronim, por duke mos lëvizur më asnjë metër prapa. Situata dukej se do të eksplodonte, sepse nervozizmi te policët serbë ishte i madh. 30 minuta më vonë, Policia nisi intervenimin kundër masës, duke përdore shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës”.

Rexhepi atëherë u thotë disa qytetarëve që të ulen në tokë, sepse kështu do të tregojnë se janë paqedashës, se nuk sulmojnë, porse po protestojnë kundër dhunës.

- Advertisement -

“U ula për të treguar se ky vend është i joni e se s’kemi ku të shkojmë. Prandaj, s’kam lëvizur nga aty. Mbeta vetëm, e krejt ikën. Kur arrijti Policia serbe, më goditën disa herë me shkopinj gome. Më kapën për krahu që të më dërgonin në veturat e Policisë. Por, për fatin tim, në atë moment vjen një femër, basketbolliste e Ferizajt, që më tërhoqi për krahu edhe iu drejtua policëve në gjuhën serbe: ‘Zoti ju marroftë, lëshojeni njeriun, pse po e maltretoni’”! Kjo situatë është xhiruar dhe dokumentuar në një video.

Sulmi ishte barbar. Pas 20 minutave masa u tërhoq. Serbët që e arrestuan Rexhepin, u hutuan nga reagimi i gruas shqiptare, por edhe nga kameramanët dhe fotoreporterët e shumtë aty. Ai futet në Grand. Në ato çaste nuk mundte të orientohej. Veten e gjeti në katin e gjashtë të hotelit, ku iu afrua një gazetare kroate që i kërkoi intervistë. Edhe pse situata ishte alarmante, ai pranon. Por, nuk kaluan as dy-tre minuta e Policia speciale futet në hotel, duke sulmuar kë e zinte – madje edhe gazetarët. Në atë kaos Rexhepi arrinë të hikë. Me disa shokë të tjerë, strehohet në banesën e gruas trime që reagoi kundër Policisë serbe.

“Aty kemi qëndruar derisa ka rënë terri. Burri i saj insistonte që të mos dalim, sepse situata ishte ende e rrezikshme. Qyteti dukej shkretë. Nuk kishte asnjë lëvizje të qytetarëve, përveç patrullave të Policisë”. Rexhepi në shtëpi shkon nëpër terr e i dërmuar. Aty sheh plagët që kishte nga goditjet e policëve serbë.

- Advertisement -

Bob Dole, me të arritur në Prishtinë, ishte informuar për atë që kishte ndodhur në qendër të qytetit. Për këtë madje ai kishte reaguar publikisht. Ndërsa, fotografia e Rexhepit këmbëkryq, e bërë nga Hazir Reka, do të përshkojë botën.

Që nga viti 2007, Rexhepi është i pensionuar. Sot ai ka një mesazh për të gjithë: “Askush nuk të mëshiron, nëse nuk je vet këmbëngulës. Me punë arrihet gjithçka. Edhe kombi e edhe shteti varen prej punës. Kjo është ajo që na duhet sot”.

- Advertisement -

Të fundit

- Advertisement -

Lajme të lidhura