-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

New York Times: Çasja e Grenellit ndaj Kosovës po acaron Amerikën me Evropën

Rekomandime

Gazeta prestigjioze amerikane “New York Times”, në një artikull dedikuar ftesës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ua bënë Kosovës dhe Serbisë që më 27 qershor të takohen në Shtëpinë e Bardhë për dialogun mes dy shteteve, ka thënë se kjo lëvizje ka “turbulluar” raportet e SHBA-së me aleatët evropianë.

- Advertisement -

Prestigjiozja amerikane ka shkruar se gjithçka ka nisur me caktimin e Richard Grenellit si të dërguar special të SHBA-së për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Qasja e Grenellit ndaj aleatëve evropianë, sipas “New York Times”, është pritur keq nga evropianët që e kanë akuzuar për injorim e nënçmim të demokracisë në Kosovë dhe për mbylljen e syve për autoritarizëm në Serbi.

“Dyshoj se në këtë mënyrë mund të zgjidhni një situatë si Kosova, me mënyrën se si po përpiqet Grenelli”, ka thënë Wolfgang Petritsch, ish i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën. “Emërimi ka qenë shumë i dëmshëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Me Grenellin ka pasur veç konfuzion”, ka shtuar ai.

- Advertisement -

Në artikullin e publikuar të shtunën jepen detaje se si Grenelli akoma shpreson për një fitore diplomatike në Ballkan para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA. Ftesën për Kosovën dhe Serbinë për 27 qershor, ky medium e ka vlerësuar si befasuese.

Përkrahës të idesë së Grenellit kanë thënë se para se ai të hynte në dialog, negociatat nuk ishin askund. Kritikët kanë shprehur shqetësime se një vizitë në SHBA është shpërblim për njerëzit që nëpër vendet e tyre janë kritikuar për minim të demokracisë.

- Advertisement -

“NYTimes” ka vazhduar se si deri tash të gjitha administratat amerikane, si ato të demokratëve, por edhe ato të republikanëve, ishin garantuese të sigurisë në Kosovë, duke bashkëpunuar me evropianët, “por nën administratën e Trumpit, bashkëpunimi me partnerët evropianë është zhdukur. Takimi i javës së ardhshme është caktuar pa konsulta me BE-në”.

Grenelli është përpjekur të zgjidhë çështjen duke rritur presionin mbi Kosovën, ka shkruar “NYTimes”.

“Kemi harruar kush është klienti ynë”, ka thënë David L. Phillips, ekspert i Ballkanit dhe këshilltar i Departamentit të Shtetit gjatë luftës në Kosovë. “S’është Serbia, por Kosova, shteti të cilin e kemi ndihmuar të formohet, i kemi shërbyer e mbrojtur”.

Administrata e Trumpit shpreson se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të fitojë zgjedhjet e nesërme, e se kjo do t’i jepte “hapësirë për t’i adresuar tensionet me Kosovën”.

“Zgjedhjet s’janë garë, kjo dihet. Pas zgjedhjeve ka pritje se do të jetë momentumi. Por, momentum për çka? Askush nuk e di”, ka thënë Marko Savkoviq, drejtor i programit për Forumin e Sigurisë në Beograd, konferencë e përvitshme politike në Serbi.

Sipas “NYTimes”, presioni i Amerikës është vënë mbi Kosovën, jo Serbinë, duke përmendur kërkesën për heqjen e tarifave, e duke kërcënuar edhe me ndërprerjen e ndihmës së Amerikës për Kosovën. Në mars, SHBA-ja ngriu 50 milionë dollarë në formë ndihme për Kosovën. Në të njëjtën javë ishte sugjeruar edhe tërheqja e trupave amerikane nga Kosova. Intervenimet kishin nxitur tensionet mes presidentit Hashim Thaçi e ish-kryeministrit Albin Kurti.

“Kosova s’ka parë kurrë një diplomat si Grenelli”, ka thënë Brikena Hoxha, drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet. “Stili i Grenellit vjen më shumë sikur ngacmim, sesa negocim”.

Në anën tjetër, në Serbi, ftesa për Vuçiqin shihet “si përkrahje për metodat e tij autokratike”, sipas Dragan Gjilas, lider opozitar.

Për shumë vjet, Amerika ka refuzuar rivizatimin e kufijve mbi vijat etnike, por më 2018, kursi i Departamentit të Shtetit ndryshoi, pas asaj që një ish-zyrtar i SHBA-së ka thënë se ishte vendim i brendshëm për të qenë më të sigurt në vendet si Ballkani, për të shmangur humbjen e ndikimit ndaj fuqive rivale si Rusia e Kina. Ndryshimi kishte shqetësuar disa qeveri evropiane, por ishte bërë në koordinim me zyrtarë të BE-së, që negocionin ndërmjetësimin atë kohë, sipas “NYTimes”.

Ky medium ka shkruar edhe për marrëveshjet për aviacion e hekurudhat, të cilat u nënshkruan nën ndërmjetësimin e Grenellit. Është theksuar se palët kanë nënshkruar dokumente të ndara me fjalë ndryshe.

Disa nga përkrahësit e Grenellit kanë thënë se Thaçi e Vuçiqi fshehtë po dialogojnë një marrëveshje paqeje, duke lavdëruar përpjekjen amerikane.

“Prapa skenave, ata kanë arritur mirëkuptim për disa kushte të një traktati të ardhshëm, përfshirë idenë e rregullimit të kufijve të Kosovës, sipas katër ish-zyrtarëve amerikanë që kanë cituar njerëzit e përfshirë në negociata”, shkruan mediumi prestigjioz, që ka vazhduar se bisedimet ngecën kur në pushtet erdhi Albin Kurti, që u shpreh se e drejta për dialogim i takon atij dhe jo presidentit Hashim Thaçi.

Një nga këta katër ish-zyrtarë, James R.Hooper, ka thënë se Grenelli kishte dalë kundër Kurtit nën frikën se ai mund të nxjerrë nga binarët momentumin e krijuar nga Thaçi e Vuçiqi.

Eksperti i çështjeve të Ballkanit kishte thënë se Grenelli e kishte kuptuar se “kjo dritare po mbyllej dhe ai dëshironte ta përfundonte, të ratifikohej dhe ajo të implementohej”.

Tani të gjithë mohojnë se diskutimet për shkëmbim territoresh po diskutohen, ndërsa Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit