13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Regjistrimi i popullatës në Serbi gjatë shekullit XIX

Rekomandime

Shkruan: Qazim NAMANI

- Advertisement -

Nga viti 1804 numri i banorëve mysliman në varosh të Beogradit vinte duke rënë, ndoëse numri i shtëpive mbeti i pa ndryshuar.

Në vitin 1833 nga gjithësejt 3000 shtëpi myslimane që kishin qenë më parë, në 1000 prej tyre filluan të banojnë të krishterët.

Pas vitit 1815 e deri në vitin 1820 në Beograd ishin gjithsejtë 120 shtëpi të ndërtuara nga të krishterët, ndërsa pas vitit 1820 numri i shtëpive të krishtera arriti në 500 sosh.

- Advertisement -

Sipas përkatësisë fetare popullata e Beogradit ndahej në mysliman, të krishterë dhe hebrenj.

Popullatën myslimane sipas origjinës e përbënin boshnjakët, shqiptarët dhe një numër fare i vogël turq të vërtetë.

- Advertisement -

Në vitin 1830 në Beograd jetonin rreth 2000 hebrenjë disa prej të cilve më vonë u shpërngulën në Smederevë. Në vitin 1833 në Beograd jetonin 1530 hebrenj në 210 shtëpi.

Pas fitimit të autonomisë së Serbisë princi Millosh Obrenoviqi kërkoi në vitin 1833 që të bëhet regjistrimi i popullsisë.

Sipas regjistrimit në kohën e kryengritjes së dytë më 1815 në territorin e Serbisë që e fitoi autonomin më 1830 ishin 473.000 banorë.

Në vitin 1834 u bë regjistrimi i popullatës dhe në këtë kohë Serbia numëronte 678.192 banorë.

Në vitin 1834 është bërë regjistrimi i parë i popullsisë edhe në rajonin e Beogradit.

Është interesant të vemi në dukje disa të dhënat të regjistrimeve të më hershme të popullsisë sipas së cilave në Beograd nga viti 1804 e deri në vitin 1830 numri i banorëve sillej përafërsisht si vijon:

Në vitin 1804 kishte 25.000 banorë, në vitin 1808 rreth 30.000 banorë, në vitin 1816 rreth 30.000 banorë, në vitin 1827 rreth 30.000 banorë, dhe në vitin 1833 rreth 18.000 banorë.

Siç shihet pas kryengritjes së parë e deri me fitimin e autonomisë së Serbisë, numri i banorëve në Beograd sillej prej 25.000 deri në 30.000 banorë.

Po ashtu edhe numri i shtëpive ishte i njëjtë . Gati të gjitha shtëpitë në varoshin e Beogradit në ato vite ishin të regjistruara si turke ose myslimane, përderisa numri i shtëpive të tregtarëve të krishterë ishte fare i vogël.

Në regjistrimin e vitit 1834 sipas konfesionit 40% të popullatës e përbënin të krishterët dhe hebrenjtë.

Në këtë kohë popullata myslimane ishte akoma shumicë në numër. Në regjistrimin e vitit 1846 popullata e Beogradit që përbëhej nga të regjistruarit si serb, hebrenjë, romë dhe të huajë të cilët paraqiteshin si një grup kompakt dhe rival i popullatës myslimane.

Shtëpi myslimane në këtë kohë kishte rreth 35% nga numri i përgjithshëm.

Sipas këtij regjistrimi u pa se kishte pasur ndryshime të mëdha krahasuar me regjistrimin e vitit 1834 kur shtëpi serbe dhe të hebrenjve së bashku në Beograd ishin 769 ose 25% e numrit të përgjithshëm të shtëpive.

Në regjistrimin e vitit 1846 numri i shtëpive serbe dhe të hebrenjve ishte shtuar në 1720 ose 45%. Shtëpi të hebrenjve në vitin 1846 ishin 4% , në vitin 1856 numri i tyre u rritë në 6%, ndërsa romët përbënin 1% nga numri i përgjithshëm i popullatës së qytetit.

Të regjistruar si shtetas të huaj në Beograd gjatë regjistrimit të vitit 1846 ishin rreth 7%. Sipas regjistrimit të vitit 1856 popullata myslimane përbënte 31%, kurse serb dhe vlleh së bashku përbënin 61% të popullsisë.

Popullata e Beogradit në këtë kohë ishte ndarë sipas përkatësisë fetare.

Numri i objekteve të kultit në këtë kohë ishte si vijon: 11 xhami, 4 teqe, 2 kisha provasllave për serb dhe vlleh dhe 1 sinagogë.

Në këtë periudhë ndarja ishte bërë edhe nëpër shkolla si vijon: 10 shkolla fillore për popullatë myslimane, 1 hebreje, 1 greke, 3 shkolla fillore serbe, gjimnazi, shkolla e tregtisë, liceu dhe bogosllavija në gjuhën serbe.

Në vitin 1854 u tentua që të bëhet diferencimi i popullatës në aspektin antropologjik në disa grupe (lloje), tipi Kaukaz si e quanin në atë kohë me origjine indoevropiane dhe të cilit i përkisnin të krishterët, serbët, vllahët, katolikët dhe protesanët. Hebrenjtë dhe romët u ndanë në tipe tjera të ndryshme. Tipi Kaukaz përbënte 92,4%.

Popullata e Beogradit gjithnjë vinte duke u diferencuar në aspektin fetar, etnik dhe social. Në vitin 1867 myslimanët u detyruan ta braktisin qytetin, shtëpitë dhe pasuria e tyre ju nda qytetarëve serb.

Para vitit 1867 të krishterët vllahë nga Maqedonia dhe shqiptarët ortodoks nga viset jugore e përbënin grupin ma të madh të popullatës dhe njiheshin si toskë, të cilët u bënë faktori kryesor në formimin e profilit etnik të popullatës së Beogradit.

Myslimanët që konsideroheshin si turq të cilët u shpërngulën nga Beogradi ishin boshnjakët, shqiptarët, myslimanët e Nishit dhe shumë pak osmanlijë.

Në vitin 1862 nga Beogradi u shpërngulën 8000 mysliman, në vitin 1867 edhe 15.000 të tjerë, kështu që pas kësaj shpërngulje në qytet mbetën vetëm 600 mysliman.

Numri i hebrejve në vitin 1862 kishte arritur në 10.4% në numrin e përgjithshëm të popullsisë.

Në këtë kohë popullatën e Beogradit e përbënin grupe të reja që vinin në qytet me strukturë heterogjene etnike dhe fetare.

Pas shpërnguljes së myslimanëve në vitin 1862 në qytet erdhën popullatë e re nga viset qendrore.

Beogradi në këtë kohë udhëhiqej nga popujë të ndryshëm dhe nuk kishte kurrfarë modeli të udhëheqjes, prandaj edhe thuhej se sa ka shtëpi aq ka edhe tradita (adete) dhe popullata me vështirësi e flisnin gjuhën serbe.

Kështu, pas vitit 1862 serbet filluan ngadalë të marrin nën kontroll tregtinë, zanatet dhe kulturën.

Në dokumentet që ruhen në arkivin historik të qytetit të Beogradit, në literature dhe në kujtimet e regjistruara të qytetarëve të vjetër kishte mjaftë shumë emra të qytetarëve që tregonin përkatësinë e tyre të më hershme jo sllave.

Njëri ndër ta ishte Arnautoviq Ilija oficer me gradën oficer, i cili e mbante këtë mbiemër sepse në Beograd kishte ardhur nga jugu, përkatësisht nga trevat shqiptare.

Në këtë kohë vërehen edhe shumë emra dhe mbiemra tjerë që tregojnë se në Beograd kishin shkuar nga viset jugore edhe qytetar tjerë si: Demir Kumanova, Nikoll Kosova e tjerë që ishin shumë aktiv në luftën kundër Turqisë më përkatësisht në shpërnguljen e shqiptarëve etnik nga Sanxhaku i Nishit.

Nga Maqedonia në Beograd kishin shkuar edhe vëllezërit zografi, pastaj shqiptar tjerë nga Kërçova Dibra, Ohri, Manastiri, Shkupi dhe qytete tjera që kishin profesione dhe zanate të ndryshme.

Në vitin 1878 Serbia në jug u zgjerua edhe në katër rrethe (Nishin, Pirotin, Vranjen, dhe Toplicen). Pas zgjerimit regjistrimi i popullatës u bë në vitin 1884 dhe Serbia tani numëronte 1.901.736 banorë.

Migrimi drejtë Beogradit i popullatës autoktone me origjinë shqiptare dhe vllahe nga jugu, si dhe ardhja e emigrantëve tjerë nga diaspora ndikuan që Beogradi të zhvillohet në hap me qytetet tjera evropiane.

Procesi i asimilimit të popullatës së Beogradit u zhvillua me një dinamikë të shpejtë sa që sipas regjistrimit të vitit 1889 në Beograd u regjistruan vetëm 69 qytetar si shqiptar.

Sipas këtij regjistrimi Beogradi në atë kohë numëronte gjithsejtë 55.868 banorë, prej tyre 44.855 ishin regjistruar serb ndërsa jo serb ishin regjistruar 11.013 banorë.

Në dhjetor të vitit 1900 në Beograd, filloi të botohet gazeta dyjavore “Bratimstvo”(Vëllazërimi) emërtimi i së cilës ishte i shkruar edhe në gjuhën shqipe me shkronja cirilike.

Pronar i kësaj gazete ishte Aleksa Bogosavleviq-Berisha me origjinë shqiptare.

Të dhënat e dokumentuara më lartë tregojnë dukshëm nevojën për hulumtime dhe studime në këtë fushë në të ardhmen, të cilat mendojmë se do të jenë tema befasuese për historiografinë e Ballkanit nëse studiohet dhe përshkruhet në mënyrë objektive numri i shqiptarëve dhe vllahëve të serbizuar gjatë shekujve XVIII, XIX dhe XX.

Në regjistrimin e vitit 1921 Serbia i kishte 4.819.430 banorë. Prej tyre në Kosovë jetonin 439.010 banorë ndërsa në Vojvodinë jetonin 1.536.994 banorë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit