4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vjosa Osmani shkruan për Ibrahim Rugovën dhe propozon që vetura në të cilën u sulmua me bombë të shkojë në muze

Rekomandime

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e kishte thënë disa herë se burim frymëzimi e ka Ibrahim Rugovën. Sot, një ditë para Ditës së Presidentit, ajo ka shkruar për të dhe ka propozuar që vetura, në të cilën ndodhej ish-presidenti Ibrahim Rugova kur ishte sulmuar në vitin 2005 në rrugën “Agim Ramadani”, të ruhet në muze

Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se vetura në të cilën ishte sulmuar Rugova “është dëshmi se duhet të ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive”.

- Advertisement -

Në prag të 24 Majit, Ditës së Presidentit, e inicuar si ditë presidenti nga vetë dr. Ibrahim Rugova, e kujtuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës, ideatorin e shtetësisë së saj, njeriun e butë por këmbëngulës në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë.

U përkulëm para varrit të Presidentit historik, me kujtesën e freskët për njeriun, i cili na mësoi se këmbëngultësia në parime, sado e vështirë, është rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën për shtet që i bën të dinjitetshëm qytetarët e vet dhe ua garanton atyre liritë qytetare; se ëndrra për t’i shërbyer me dinjitet vendit është më e madhe se moskuptimi, sharjet e sulmet nga ata që s’mund ta kuptojnë vizionin tuaj, madje edhe kur sulmoheni me bomba, sikur i ndodhi presidentit tonë, 16 vjet më parë.

Sot, vetura në të cilën ndodhej presidenti Rugova atë ditë, së bashku me veturat e tjera të eskortës së tij, gjinden në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në mëshirë të fatit.

- Advertisement -

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje.

Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës.

- Advertisement -

Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat”, ka shkruar ajo në Facebook.

Osmani ka propozuar që vetura të jetë në Muzeun Kombëtar, ose në atë të Pavarësisë, “sepse, sikur e gjithë veprimtaria e dr. Rugovës, ajo është dëshmi se vizioni për shtetin e pavarur, i prirë nga dashuria për vendin, është i pathyeshëm; se këmbëngulja për ta ndërtuar vendin është më e madhe se cilado pengesë dhe se kujtesa për lëvizjen për pavarësi është kujtesë për qenien tonë”.

Ne do ta kujtojmë përherë presidentin Rugova si njeri stoik e si model të papërsëritshëm të politikanit, i cili ia dha politikës dimensionin më të çmuar të saj: atë human; e kujtojmë unifikuesin e jashtëzakonshëm të popullit të tij e përafruesin po kaq të madh të pikëpamjeve të ndryshme politike rreth vizionit për lirinë.

Ai u ndihmoi shqiptarëve që ta krijonin lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonin lirinë fizike dhe kjo qe e arritur e jashtëzakonshme e tij dhe e lëvizjes që ai e udhëhoqi; e kujtojmë udhëheqësin shpirtëror të shqiptarëve, i cili vizionin e tij për Kosovën dhe çështjen shqiptare e shpalosi aq bindshëm nëpër kancelaritë botërore, sa krijoi ura miqësie gjithandej globit dhe e vulosi përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me qytetërimin e vendet e perëndimit.

Këto, sikur dihet, ia mundësuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999.

Ëndrra e presidentit vazhdon!” ka shkruar tutje Osmani në këtë postim.

Ende s’janë gjetur autorët e atij sulmi. Sulmi ndodhi teksa Rugova po shkonte në një takim me Sekretarin e NATO-s, Javier Solana.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit