12.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Vuçiq: Shqiptarët të fitojnë gjithçka e ne ta njohim Kosovën – s’vjen në shprehje

Rekomandime

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se mundësia që shqiptarët e Kosovës të fitojnë gjithçka, e ne asgjë – as që vjen në shprehje dhe se për këtë as ai si president e as parlamenti serb nuk janë të gatshëm të pranojnë. Thotë se këtë ia ka përcjellë edhe zyrtarëve të shtetit amerikan gjatë bisedave që ka zhvilluar me ta në Nju Jork.

- Advertisement -

Vuçiqi, në një deklarim për televizionin publik serb, ka thënë se mundësia që Kosova të fitojë gjithçka e Serbia ta njohë Kosovën nuk vjen në shprehje, por tha se kjo mund të ndodhë “me ndonjë udhëheqësi tjetër që do të ishte e gatshme për këtë”.

“Por, jemi të gatshëm për dialog, që sa më parë t’i nisim bisedimet në mënyrë që të ndalojmë çdo mundësi destabilizimi”, tha Vuçiqi.

Sipas Vuçiqit, fakti që zyrtarët e shtetit amerikan kërkojnë njohje të ndërsjellë “nuk është diçka krejtësisht e re” sepse, siç thotë ai, “këtë edhe e kemi pritur. “Por, do të thosha, kërkesat e fuqive të mëdha i kemi futur diku nën tepih dhe u përpoqëm t’i shijonim ëndrrat e mitet tona. Veshët tanë janë shpesh shumë të butë për të dëgjuar gjithçka që ata mendojnë për Serbinë e edhe në raport me Prishtinën”, shtoi ai.

- Advertisement -

I pyetur që të komentojë njoftimin e Departamentit të Shtetit ku thuhet se SHBA-ja nxit Serbinë që të përqendrohet në realizimin e reformave, si dhe për rinisjen e dialogut me Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve e cila çon kah njohja reciproke, Vuçiqi tha:

“Thelbi është në atë pjesën për njohjen reciproke, sepse shoh që shumë njerëz në vendin tonë që kanë kontribuuar në krijimin e kushteve për marrjen e vendimit për pavarësinë e Kosovës, njerëz në Prishtinë e edhe tek bashkësia ndërkombëtare, kanë gjetur në të njëfarë lajmi të madh. Ky nuk është qëndrim krejtësisht i ri i SHBA-së, sepse ajo e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 2008”.

- Advertisement -

“Amerika është fuqi e madhe dhe pavarësisht se çfarë flasim ne, pavarësisht qeverisë, atë vendim të tyre nuk do ta ndryshojmë”, theksoi ai.

Sipas tij, në njoftimin e Departamentit të Shtetit “janë dy gjëra të mira, dhe një e keqe sipas nesh”.

“Një gjë e mirë është që ata mbështesin rrugën tonë evropiane, gjëja e dytë e mirë është që ata nuk hyjnë në atë se si do të duhej dukur marrëveshja, por se është me rëndësi që të arrihet marrëveshja mes serbëve e shqiptarëve”, deklaroi presidenti serb, transmeton Koha.net.

Sipas tij, gjëja e keqe në atë njoftim të DASH-it, është se “SHBA-ja kërkon njohje reciproke mes Beogradit e Prishtinës”.

Duke folur për taksat, Vuçiqi tha se Kosova deri në fund të nëntorit, ose fillim të dhjetorit, nuk do t’i heqë ato.

“Prestigj dhe vota në Kosovë, në mesin e shqiptarëve, fitojnë ata që flasin më të keqi për Serbinë dhe për presidentin e Serbisë, e shpesh edhe për popullin serb, kështu që është iluzion të pritet që dikush nga ta në këto kushte të kërkojë diçka që është shumë racionale, normale – të hiqen taksat që janë masë anti-civilizuese”, tha Vuçiqi.

Por tha se kjo është e mundshme me presion të fuqishëm amerikan.

“Kur kemi folur me BE-në, njerëzit e BE-së janë konsultuar me amerikanët, edhe pse amerikanët nuk ishin në tavolinë”, thotë presidenti serb, duke dashur të tregojë fuqinë e SHBA-së karshi Kosovës.

Thotë se nëse ndokush mendon që dikush tjetër, përpos Amerikës, mund të ndikojë në Kosovë, mashtrohet shumë.

Shton se Serbia nuk do të ndryshojë formatin e bisedimeve.

Vuçiqi dje është takuar në Nju Jork me sekretarin e shtetit amerikan, Mike Pompeo, ndërkaq sot ai është pritur në takim nga Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë dhe me Nënkryetarin ekzekutiv të Këshillit Atlantik, Damon Wilson. Temë kyçe ka qenë Kosova.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit