17.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Joseph DioGuardin për Ambasador të Kosovës në SHBA

Rekomandime

NGA PROF. DR. ZIJA LLESHI

- Advertisement -

Mbas përfundimit të mandatit të Ambasadores znj. Vlora Ҫitaku në SHBA ka mbetur ky vend i ambasadorit ende i zbrazët, kurse suksesi që tregoi në misionin e saj e solli znj. Ҫitaku lartë në rangim deri në krye të udhëheqjes partiake të PDK.

Pyetja tani është se kush do të bëhet Ambasador i Kosovës në SHBA? Kuptohet se kjo është gjithmonë dhe ҫdokund kompetencë ekskluzive e Kryeministrit dhe Qeverisë së atij shteti. Kjo vlen padyshim edhe tek ne që angazhohemi për një shoqëri demokratike.

Por kjo nuk e mohon të drejtën e qytetarëve të rëndomtë, ku e konsideroj vendin edhe unë, të shprehin mendimet, vlerësimet, sugjerimet dhe preferencat e veta. Faktikisht, dhe më në fund, jemi ne vetë ata të cilëve me aktivitetet dhe sjelljet tona na mbetët obligim të dëshmojmë se shoqëria jonë është vërtetë shoqëri demokratike.

- Advertisement -

Në këtë kuptim, dhe vetëm në këtë kuptim, e pa cenuar fare kompetencat e përgjegjësve dhe duke i respektuar me kujdes ato, do ta shprehi edhe unë sugjerimin tim dhe preferencën time të bazuar në argumente shumë bindëse.

Unë kam vlerësim dhe bindje të thellë se personaliteti më i denjë dhe më eminent për këtë mision aq të rëndësishëm sot është shqiptaro-amerikani zoti Joseph DioGuardi. Me zotin (Xhozef) DioGuardi, si Ambasador, do të është Kosova në SHBA dhe njëherit do të është edhe SHBA në Kosovë.

- Advertisement -

Në nominimin e Joseph DioGuardit për Ambasador në mendje kam poashtu edhe analogjinë me shembullin e Ҫekisë e cila dëshironte që zonja Madeline Albright, kjo demokrate e famshme botërore, që jeton në SHBA dhe ka kombësi ҫeke, të bëhet liderë politike dhe shtetërore e Çekisë që demokratizohej.

Janë të panumërta argumentet më relevante në të cilat unë e bazoj sugjerimin dhe vlerësimin t´im.

Joseph DioGuardi së bashku me Tom Lantosh kanë merita të jashtëzakonshme sepse me vizitën e tyre Kosovës (1989) ishin të parët (”Dallëndyshet e para”) të cilët sensibilizuan çështjen e Kosovës në SHBA si dhe në përmasa tjera ndërkombëtare.

Me atë vizitë, Joseph DioGuardi në shumë fjalime të tij, i përforcoi shpresat gati të humbura të shqiptarëve në Kosovë duke i bindur me shumë argumente objektive demokratike dhe gjithmonë me mesazhin e fuqishëm në gjuhën shqipe të trashëguar nga prindërit e tij që e thoshte kudo gjatë fjalimeve: ”Mbahu Nënë – o, mos kij frikë, Se ke djemtë n ‘Amerikë”…(Noli, maj 1917) që dëgjuesit e shumtë e mirëpriteshin me përshëndetje të përzemërt, simpati të pakufizuar deri në adhurim ndaj SHBA, me krenari dhe duartrokitje frenetike.

Joseph DioGuardi e ka shoqëruar më vonë (1990) për në Kosovë, edhe mikun e madh e historik të shqiptarëve, zotin Bob Dole, që më 1996 ishte kandidat për President të SHBA, dhe gjashtë anëtare të Kongresit të SHBA me qellim që nga afër të njihen me pozitën e okupuar e të eksploatuar të shqiptarëve në Kosovë dhe të përkrahin çlirimin e Kosovës nga Serbia. Joseph DioGuardi në angazhimin e tij për kauzën shqiptare e ka vizituar Kosovën afër njëzet herë dhe gjithmonë me ide dhe sugjerime të reja në dobi të Kosovës.

Emirat siҫ janë Joseph DioGuardi, Tom Lantosh, Bob Dole, Eliot Engel e të tjerë, në historinë e shqiptarëve qëndrojnë përbri emërave të njohur botëror George Bush Sr., Bill Clinton, George W. Bush, Magdeleine Albright, Wesley Clark e të tjerë të cilët, në traditat demokratike e miqësore të ish Presidentit (1913-1921) Wilson e bashkë me emërimin e tij, janë të shkruar me germa të arta në historinë moderne të kombit shqiptar.

Joseph DioGuardin e vlerësojnë lartë dhe është figurë shumë e çmuar dhe e nderuar në qarqet universitare dhe akademike të Kosovës. Ai poashtu çmohet edhe nga opozita si dhe nga të gjitha shtresat e gjera popullore dhe emërimi i tij do të mirëpritej dhe do të pëlqehej në këto qarqe si personaliteti më i merituar dhe e gjithë kjo pasqyron një panoramë koherente plebishitare.

Rreth Joseph DioGuardit si President i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane ku ai kryen veprimtarinë e vetë, janë të bashkuar të gjithë bashkëkombësit shqiptarë në SHBA dhe ai është faktori më i rëndësishëm koheziv në angazhimet e tyre dhe nominimi i tij do të është mirënjohje dhe një shpërblim të gjithë bashkëkombëseve shqiptarë në SHBA për aktivitetet e pandërprera e të palodhshme të tyre për Kosovën e pavarur. Joseph DioGuardi faktikisht konsiderohet edhe ashtu Ambasadori i pa emëruar i Kosovës, gjithmonë në shërbim të shqiptarëve dhe Kosovës dhe përfaqësimit të tyre në gjithë hapësirën gjeografike dhe politike në SHBA.

Joseph DioGuardi ka qenë dy mandate (1985-1989) Kongresist në Kongresin Amerikan. Me nominimin e tij për Ambasador të Kosovës në SHBA, shqiptarët në Kosovë do të dëshmonjë edhe faktin tjetër shumë me rëndësi se shqiptarët në Kosovë vlerësojnë shumë lartë ata bashkëkombës tonë që kontribuojnë në zhvillimin dhe përparimin e SHBA.

Me përvojën e tij në Kongresin Amerikan dhe si njohësi më i mirë i demokracisë që zhvillohet në Amerikë si dhe afërsia e tij dhe lidhjet e shumta me prominencën politike në SHBA e me përvojën e tij, ai mbanë primatin dhe është personi më adekuat për ambasador dhe absolutisht i pa konkurrencë si dhe absolutisht i pa krahasueshëm me këdo tjetër në këtë aspekt. DioGuardi është i njohur në SHBA për botëkuptimet dhe përcaktimet e tija demokratike që nga koha kur ka qenë Kongresist dhe fjala e tij peshon rëndë. Përvojën e tij duhet shfrytëzuar që të mos humbet kot në shkretëtirë dhe është shans unike dhe e pa zëvendësueshme për personin e dytë në Ambasadë që të ketë nderin, fatin dhe mundësinë të merr mësime dhe të fitoi praktikën e duhur për të vazhduar më tutje si i pavarur sipas mësimeve dhe udhëzimeve të tij.

Pas aktiviteteve të para (1989), Joseph DioGuardi vazhdoi pandërprerë, intenzivisht dhe fuqishëm aktivitetin e tij deri tani, në një periudhë më shumë se tridhjetë vjeҫare. Praktikisht tërë jetën e mëvonshme ia kushtoi demokracisë dhe kauzës e çlirimit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë, që ishte preokupimi kryesor në jetën e tij, dhe jo vetëm të tij por edhe i bashkëshortes së tij, zonjës së nderuar Shirley Cloyes DioGuardi, mikeshës së madhe të shqiptarëve.

Bindja ime e thellë kuptohet është që edhe për Kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës janë shumë mirë të njohura të gjitha argumentet e lartpërmendura, madje dhe shumë të tjera të pa përmendura, dhe se veprimtari i pa kompromis e i palodhshëm, Joseph DioGuardi, mund të jetë edhe për ata i preferuari dhe favoriti nr 1. në listën (për ne e pa njohur) të kandidatëve potencial.

Kosova ka obligim kombëtar, moral e njerëzor që pasi ta pranojë edhe si qytetar të vendit, Joseph DioGuardin (80 vjeҫar) ta nderojë e ta shpërblejë e t´i jep mirënjohje, për veprimtarinë jetësore, së paku qoftë edhe në këtë mënyrë si Ambasador i ardhshëm në SHBA, për kontributin e tij dhe familjes së tij si dhe për preokupimin e tij jetësor dhe gjithë ato kontribute që i ka dhënë personalisht dhe familjarisht Kosovës.

Sugjerimin tim, gjithnjë thellësisht i bindur dhe i pa lëkundur në favor të Joseph DioGuardit për Ambasador, e bazoj pra në këtë se para këtyre argumenteve të përmendura më lartë do të ”gjunjëzohej” ҫdo refuzim joreal, e bindshëm i pa argumentuar, apo ҫdo hezitim tjetër.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit