8.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Kush e ka shkruar Formulën e Pavarësisë? Studiuesja zbulon autorin

Rekomandime

Studiuesja Ledi Shamku ka analizuar dhe i ka dhënë një përgjigje në këtë 28 Nëntor pyetjes që bëhet shpesh se “kush e ka shkruar formularin e Pavarësisë së Shqipërisë”.

Ajo ka analizuar “Formulën e Pavarësisë” ku shkruhet “pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

- Advertisement -

E teksa analizon fjalë për fjalë rreshtat e shkruara në Formulën e Pavarësisë, ajo thotë se autori është Luigj Gurakuqi, fjalë të cila i ka shkruar në dialektin e gegërishtes dhe toskërishtes.

“Në përmbyllje të kësaj cekase mbi tekstin e Formulës së Pavarësisë, ndofta përfundimi e kapton misionin fillestar të saj. Pra mund te themi me siguri se këtë paragraf, historik për shqiptarët, e ka konceptuar vetë Luigj Gurakuqi. Por mund të themi edhe se ai intelekt i epërm na ka dhënë bashkë me atë “formulë” edhe një leksion demokracie që sot ende nuk po e shohim – as në fushë të gjuhës”shkruan Shamku ndër të tejra në analizën e saj.

E plotë nga Ledi Shamku Shkreli:

- Advertisement -

Ç’NA MËSON FORMULA E PAVARËSISË

Jemi në vigjilje të 28 Nëntorit. Vigjiljet e kremteve shpesh bëhen shkak që disa pyetje të thjeshta – e pikërisht se të thjeshta edhe të qenësishme – të dalin vetiu me ngulm në qendër të vëmendjes e të lypin përgjigje.

- Advertisement -

Edhe 28 Nëntori ka kohë që zgjon të tilla pyetje; njëra syresh lidhet pikërisht me “Formulën e Pavarësisë” dhe me shkruesin e saj. Kush e shkroi këtë paragraf historik? Kjo pyetje deri më sot është marrë ad literam, pra me ngulmin për të kërkuar dorën që e shkroi më fort sesa mendjen që e hartoi. Ndaj edhe është menduar që kjo hamendje të kjartësohet njëherë e mire, duke ndërmarrë ekspertizën shkencore të krahasuar të kaligrafisë së dokumentit – për ruajtjen e të cilit historiografia jonë duhet t’i jetë mirënjohëse njërit prej martirëve të saj, Lef Nosit.

Natyrisht ka rëndësinë e vet edhe detaji i grafisë, por ai nuk mund të jetë parësori po për të njëjtën arsye që nuk cilësohet parësore fotografia e dikujt në raport me praninë. Kështu pyetja “kush e ka shkruar Formulën e Pavarësisë” don të thotë më saktësisht: “kush e ka konceptuar atë?”. Dhe këtu ekspertiza e grafisë bën mënjanë e hyn në veprim analiza gjuhësore e tekstit të “formulës”, duke ndjekur pakashumë gjurmët e diálektos-it, shqisës së katërt sipas renditjes aristoteliane, e cila na lidh me të tjerët dhe botën përreth më shumë se çdo shqisë tjetër.

Po e sjellim edhe njëherë këtu të transkriptuar formulën tonë:

“Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

Në vështrim të parë, pa hyrë ende në analiza më të hollësishme, bie në sy një kompetencë e lartë gjuhësore e atij që ka hartuar paragrafin e mësipërm si dhe një njohje mjaft e mirë e stileve të shqipes; kjo pasi fragmenti, gjuhësisht, i përket regjistrit të lartë kancelaresk. Kështu, sa i takon përemrit lidhor, vihet re zëvendësimi i plotë i “që”-së gjysëmformale dhe informale me formën e epërme shkrimore “i cili / e cila”; e po ashtu edhe trajta sintaksore është e rendit klasik ftillues, pa asnjë zhvendosje, pra, që mund të cënonte stilin formal. Por para se të vijojmë me përimtime të tjera, ia vlen gjithashtu që gjuhësisht ta vendosim në kohë këtë formulim në shqipet, pasi sot një kompetencë e tillë mund të duket vërtet e rëndomtë për shumëkënd.

Qe viti 1912, vetëm 4 vjet pas Kongresit të Manastirit ku u vendos alfabeti i shqipes, por censura mbi shkrimin dhe mësimin e saj aherë nuk reshti, pasi turqit e rinj e patën mbyllë Normalen e Elbasanit pak kohë pasi u hap. Shqipëria po mundohej të dilte nga terrina osmane e të formonte një shtet, pra edhe një gjuhë të përbashkët, por Komisija Letrare (1916) që do të institucionalizonte fillimin e këtij procesi, qe ende katër vjet larg. Për pasojë një njohuri të tillë mbi stilet e regjistrat e shqipes asokohe pakkush mund ta kishte. E ky natyrisht nuk mund të ishte Ismail Bej Vlora, i cili qe një politikan-diplomat i Portës së Lartë dhe e kishte kompetencën politike për ta përfunduar tubimin e Vlorës me një formulë të tipit telegrafik ku lajmoheshin shtetet se Shqipëria shpalli pavarësinë. Vërtet një procedurë e tillë mbulohej nga kompetenca e tij politike, por kësaj kompetence nuk i përgjigjej e njëjta aftësi gjuhësore, e plakut te shquar, me të cilën shohim sot se është hartuar kjo “formulë”. Pra hartuesi nuk mund të ishte Ismail Bej Vlora. Vijojmë më tej.

Më 1912 kish mëse gjysëm shekulli që kish nisur të lavrohej mire edhe Koineja Toske e gjuhës së shkruar, sidomos në fushë të publicistikës. Kjo na lejon të shtrojmë një pyetje thelbësore, pa të cilën kjo analizë nuk mund të bëhet: si paraqitet raporti i zgjedhjeve gjuhësore në këtë “formulë”?

Le t’i analizojmë e grupojmë formantet e saj (të cilat më lart janë nxjerrë në pah me të zezë). Kësisoj, “fjalëvet”: mbaresa “t” është mbaresë e vjetër e shqipes, e përbashkët për gegnisht e toskërisht, ndaj shohim më tej.

1. Jemi para grupfjalëshit (sintagmës) “Z. Kryetari”, e cila duke u shkruar gjatë del “Zotni Kryetari”, pra na shfaqet në koinenë gege dhe këtë ftillim na e përcakton fjala “Kryetari” e cila jepet e shquar. Po të shkruhej në koinenë toske, do ta kishim “Z. Kryetar = Zoti Kryetar”, pra në të pashquarën, pasi do shquhej formula e politesës me “zoti”.

2. Më pas hasim formën “e math”: kjo afërmendsh është toskë, me shurdhimin karakteristik fundor të dh-së në th.

3. Po ashtu, ndonëse fjala “ndodhet”, si leksemë i takon edhe gegnishtes edhe toskërishtes, në “formulën” tonë, si stilemë, ajo priret më shumë për nga tipi medio-jugor, pasi Veriu do të kish parapëlqyer në këtë rast stilemën “gjindet”.

4. Edhe “Shqipëria”, të dyja herët që na shfaqet, del në trajtë toskë, e rotacizuar, pra jo si “Shqipnia”.

5. “Shqipëria” (për herë të dytë) si më sipër.

6. Gjithashtu, si element i toskërishtes mund të merret gjithaq prania e madhe e “ë”-ve, edhe aty ku gegnishtja nuk i ka.

7. Forma “zâ” afërmendsh që është formë gege, me hundoren tipike.

8. “Venduan”: edhe kjo monemë është gjithashtu gege dhe ftillohet si e tipit vendoj / me vendue / venduen, paçka se gramatikisht jepet në ekuilibër “venduan”, pra me model gegë por me togun toskë “ua”. Po të ishtë mirëfilli toske, do të ftillohej: vendos / vendosën. Kjo monemë mjaft interesante shpreh edhe ato mikroekuilibre gjuhësore brenda një fjale të vetme – pos atyre makro, më të vërejtshëm.

9. Grupi “me sot” është sintagmë gege, e cila në toskërisht do kishte si përgjegjëse grupin “nga sot”.

10. Forma “bâhet” shfaqet sërish si formë gege, me hundoren “â”.

11. Forma “vehte” është formë toske, e cila, siç dihet ka ardhur nga një metatezë e formës së vjetër “vetëhe” e që mandej ka pësuar rrudhjen fonetike.

12. Formantja “e mosvarme” është morfemë gege, por edhe kjo, si tek pika 8, është e tipit të mesëm.

Kështu pas këtij skanimi gramatikor të tekstit të formulës mund të bëhen dy konstatime të tjera gjuhësore. Së pari që elementet nga Koinetë Gege dhe Toske janë në ekuilibër të plotë mes tyre (6 me 6) dhe së dyti që format e zgjedhura si përfaqësuese janë edhe ato të Tipit të Mesëm.

Duke i përmbledhur rezultatet e kësaj analize gjuhësore të përshkallëzuar del se individi që konceptoi (“shkroi”) Formulën e Pavarësisë ka një kompetencë tejet të lartë gjuhësore për kohën; ai është njohës i shkëlqyer i stileve të shqipes, i gramatikës së dy koineve të saj – toskë dhe gegë – si dhe është militant i pajtimit gjuhësor kombëtar nëpërmjet përdorimit të formave të mesme.

Duke marrë në vështrim gjithë firmatarët e Aktit të Pavarësisë dhe duke njohur edhe kontributin e spikamat e tyre deri më atë kohë, duket qartë se një figurë e tillë s’mund të ish veçse mentori Luigj Gurakuqi, stilologu më në zë i gjuhës shqipe, për të cilin Justin Rrota do shkruante se “gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthellë se çdo shqyptar e s’kish mbledhí e çashtje gjuhe kû të mos gjindej, mos të mirrte pjesë, mos të ngulte mendimi e gjyqi i tij”. Dhe si për të na e forcuar më fort këtë bindje tonën se jemi bash përpara kësaj figure, padër Justini shtonte se: “Shkolla Normale e Elbasanit, Komisija Letrare e Shkodrës, janë shkallë ari të nji ngjitjes së madhënueshme kah kreshtët e lavdís së tij.”.

Në përmbyllje të kësaj cekase mbi tekstin e Formulës së Pavarësisë, ndofta përfundimi e kapton misionin fillestar të saj. Pra mund te themi me siguri se këtë paragraf, historik për shqiptarët, e ka konceptuar vetë Luigj Gurakuqi. Por mund të themi edhe se ai intelekt i epërm na ka dhënë bashkë me atë “formulë” edhe një leksion demokracie që sot ende nuk po e shohim – as në fushë të gjuhës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit