10.6 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Analisti amerikan reagon pas kërcënimeve të Serbisë ndaj Kosovës

Rekomandime

Reagime të shumta në Kosovë ka ngjallur deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili paralajmëroi në një deklaratë të djeshme se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke marrë si shembull konfliktin e fundit të armatosur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

- Advertisement -

Këto deklarata të Vuçiqit fillimisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, janë cilësuar si paralajmërim për një luftë të re, ndërsa më vonë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke thëne se deklaratat e Vuçiqit nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke, ndërsa ka kërkuar edhe reagimin e BE-së dhe NATO-së, nga të cilët deri të enjten mbrëma nuk ka pasur asnjë reagim.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, por edhe njohës të rrethanave politike në Ballkan, kanë folur pas këtyre deklaratave, duke i cilësuar si kërcënuese por edhe si “asgjë e re” nga ana e Serbisë për Kosovën.

Ish-këshilltari i lartë i DASH-it dhe njohësi i rrethanave në Ballkan, David L. Phillips, ka thënë se Prishtina duhet t’i intensifikojë përpjekjet për të vendosur kontroll mbi territorin e Kosovës dhe se agresioni i Serbisë nuk duhet të tolerohet.

- Advertisement -

“Kosova duhet të kontrollojë pikat kufitare me Serbinë dhe të integrojë territoret në veri të lumit Ibër në përputhje me parimet e Ahtisaarit dhe rregullimet kushtetuese për të drejtat e pakicave. Agresioni dhe sfida e Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës nuk mund të tolerohet.

Mosmarrëveshjet territoriale duhet të zgjidhen paqësisht përmes negociatave”, deklaroi Phillips në një prononcim.

- Advertisement -

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë në vend, ndajnë të njëjtin qëndrim se Kosova duhet të forcojë shtrirjen e sovranitet në gjithë vendin, në veçanti në Veri.

Nuredin Ibishi ka përmendur edhe kohën kur Policia e Kosovës ndërmerrte aksione kundër krimit të organizuar në Veri, ndërsa Serbia mblidhte Këshillin e Sigurisë, ku paralajmëronte nisjen e ushtrisë drejt Kosovës.

“Kjo nuk është hera e parë që Aleksandar Vuçiq bën deklarata të tilla, sepse ai ka qenë edhe ish-ministër për Informim në kohën e Milosheviqit dhe ai po vazhdon me atë avazin e vjetër, sikur edhe kur policia e Kosovës merrte aksione në Veri kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ai kërcënonte me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe nisjen e trupave drejt Kosovës”, ka thënë Ibishi.

Në lidhje me deklaratën e fundit të presidentit serb Vuçiq, Ibishi thotë se është një kërcënim i rrallë që i ka dërguar Kosovës.

“Kjo është një prej kërcënimeve të rralla, pa marrë parasysh se në çfarë konteksti jepet, duke thënë se konflikti duhet të zgjidhet dhe kinse nuk duhet t’i lihet gjeneratave të reja.

Një deklaratë me shumë kontradikta dhe konfuze mirëpo mendoj se ai dërgon një mesazh kërcënues për Kosovën”, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë në vend.
Për Nuredin Ibishin, heshtja ndërkombëtare në lidhje me kërcënimet e shpeshta të Serbisë ndaj Kosovë, nuk është mesazh i mirë.
“Bashkimi Evropian vazhdon të mos reagojë në këto kërcënime, por edhe prezenca ndërkombëtare këtu vazhdon të mos reagojë dhe kjo nuk çon mesazh të mirë, përgjithësisht nuk është hera e parë që ata heshtin.

Vuçiqi përherë e ka një notë kërcënuese për Kosovën por ato i kamuflon, qoftë në deklarata edhe kur fare s’kanë të bëjnë me Kosovën”, ka thënë Ibishi.
“Vuçiqi është i vetëdijshëm që nuk guxon të ndërhyjë falë prezencës ndërkombëtare, këtë rast të KFOR-it, po ta ketë edhe ku ta dimë çfarë aleati sikur e ka Rusinë, por e ka për qëllim ta mbajë situatën në tension”, tha Ibishaj.

Të gjitha reagimet e vendimmarrësve në vend, nga u.d e presidentit, Vjosa Osmani, kryeministri Avdullah Hoti, MPJD-ja dhe nga shumë zyrtarë tjerë të shtetit, Serbia të enjten në mbrëmje i ka quajtur si “histerike”.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se mesazhi kryesor i Vuçiqit sot ka qenë se, për Serbinë dhe popullin serb, “paqja është më e rëndësishmja”.

“Nëse përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë janë njësoj të interesuar për paqe, ata duhet ta mirëpresin dhe mbështesin një angazhim të tillë nga Beogradi”, ka thënë Petkoviq.

Ndërsa, vlen të thekson se reagimi i vetëm ndërkombëtar deri më tani ka ardhur nga ish-ambasadori i Holandës në vendin tonë, Robert Bosch.

Bosch ka thënë se udhëheqësit serbë nuk kanë kufij, ndërsa Vuçiqin e ka krahasuar me presidentin autoritar të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Më tej diplomati holandez, ka thënë se Serbia ka vuajtur mjaft nga tragjedia e Milosheviqit për të cilën siç ka thënë ai Vuçiqi dhe Daçiqi janë bashkëpërgjegjës.

“Udhëheqësit serbë nuk kanë kufij! Vuçiqi fillon të ngjajë me diktatorin e Azerbajxhanit, me fjalë me siguri, jo me vepra. Serbia ka vuajtur mjaft nga tragjedia e Milosheviqit për të cilën Vuçiqi (dhe Daçiqi) është bashkëpërgjegjës”, ka shkruar Bosch në profilin e tij në Facebook.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit