14.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Ish-zëdhënësi i NATO-s: “A do pranonte Serbia që komuniteti hungarez i Vojvodinës të qarkullonte me targa hungareze?”

Rekomandime

Me lëshimin e urdhrit që Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në gjendje gatishmërie në çdo moment, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duket se ia ka rezervuar vetës të drejtën të kalojë në përdorimin e arsyes së fundit, pra, atë të dhunës.

Mobilizimi i ushtrisë, të paktën siç deklaroi ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviç, ka të bëjë me situatën aktuale në Kosovë, pas skadencës së afatit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato legale RKS dhe fillimit të zbatimit të vendimit të shkallëzuar për këtë çështje.

- Advertisement -

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, në një përgjigjje për Albanian Post, thotë se ky është një justifikim që rrjedhimisht çon drejt dhunës, gjithmonë duke u nisur nga ajo çfarë është raportuar deri më tash, megjithëse ende nuk është verifikuar se Vuçiç, ka dërguar një pjesë të forcave ushtarake në kufirin me Kosovën.

“Dhuna përdoret shpesh për hir të krijimit të telasheve dhe ndarjeve – ka pak të bëjë me çështjen e regjistrimit të veturave”, theksoi ai.

Profesori i Strategjisë dhe Sigurisë, shpjegoi për AP edhe rastet kur duhet të mobilizohen ushtritë.

- Advertisement -

“Forcat ushtarake mobilizohen për t’u përballur me kërcënimet dhe nuk ka asnjë kërcënim për Serbinë që buron nga Kosova”.

Sipas tij, Serbia s’duhet ta shfrytëzojë çështjen e targave si një instrument të përshtatshëm për të futur pyka ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb që jetojnë në Kosovë, por përkundrazi, “Serbia duhet të tregojë se është e interesuar për një zgjidhje pragmatike”, sepse “situata kërkon qetësi nga të gjitha palët dhe jo provokime e madhështi”.

- Advertisement -

“E njëjta gjë vlen edhe për çdo organizatë paramilitare në veri të Kosovës”, shtoi tutje ai duke iu referuar raportimit të Albanian Post se në kohën kur u vendosën barrikadat në Veri, me datën 31 korrik, është vërejtur një prezencë shqetësuese e një grupi të armatosur.

Nga ana tjetër, duke u nisur nga parimi universal mbi rregullimin e çështjes së targave të veturave, Shea edhe pse beson se do të kishte qenë më mirë sikur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ta kishte pranuar kërkesën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të afatit për dhjetë muaj, sipas tij, kreu i ekzekutivit kosovar ka treguar fleksibilitet me shkallëzimin e vendimit.

“Është përgjegjës vetëm që Beogradi ta pranojë këtë parim”, vlerëson Shea duke dhënë edhe një ide se si do të vepronte Serbia me minoritetin hungarez të Vojvodinës në një rast të njëjtë.

“Nuk besoj se minoriteti hungarez që jeton në Vojvodinë lejohet nga Beogradi të qarkullojë me targa hungareze”.

Gjithashtu, ai komentoi edhe kërkesën e Perëndimit për ta shtyrë afatin edhe për dhjetë muaj, kërkesë të cilën Kurti nuk e respektoi në plotni.

“Një shtyrje prej 10 muajsh duhet të përdoret gjithashtu nga Prishtina për të zhvilluar një fushatë të fuqishme informuese në veri për të kundërshtuar dezinformimin dhe frikësimin e zhurmës dhe për të bindur komunitetin serb se targat e Kosovës nuk janë kërcënim për të drejtat e njeriut dhe statusin e komunitetit”.

“Në fund të fundit, unë jetoj në Mbretërinë e Bashkuar dhe Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut, të gjitha kanë qeveri që i kanë transferuar kompetencat e tyre. Por të gjithë qarkullojnë me targa të Mbretërisë së Bashkuar dhe askush nuk duket se e vret mendjen”, përfundoi ai.

Mund të përfundojmë se statusi real i “Madhështisë së Serbisë” është aq i pasigurt, sa edhe vetë ky status nuk sjell më as prestigj, as avantazh.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit